Përfaqësuesit e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe atij Gjyqësor, kanë zhvilluar ditën e sotme mbledhjen e parë të përbashkët.
Drejtuesi i KLP-së, Gent Ibrahimi shprehet se procesi i vetingut ka shkaktuar problematika dhe mungesa të mëdha në sistemin e drejtësisë.
Sipas tij, duhen përdorur të gjitha mjetet e mundshme për të zbutur këtë problematikë.
“Vettingu është një politikë publike, që gëzon një legjitimitet të plotë, por pasojat e tij janë ato që janë. Sot po bëhet gjithnjë e më e vështirë për të marrë drejtësisë në dyert e institucioneve të drejtësisë. Detyra jonë është të gjejmë mjetet dhe mënyrat për të adresuar këtë problem, për të zbutur pasojat e Vettingut. KLGJ filloi të diskutonte njërën nga këto instrumente dje me hartën e re gjyqësore, ne kemi më shumë se kaq si instrumente në dorë, ndaj jemi mbledhur sot. Çështja e parë që do diskutojmë është pikërisht problematikat e shkaktuara në sistemin e drejtësisë si rezultat i zbatimit të Vettngut. Sfidat janë evidente. Ajo çka ne do të diskutojmë me përparësi sot janë mjetet, metodat, që kanë në dispozicion dy këshillat për ta zbutur këtë problematikë” – shprehet Ibrahimi.
Ndërkohë, drejtuesja e KLGJ-së, Naureda Llagami thotë se sistemi do ja dalë të funksionojë, nëse të gjithë përfaqësuesit e organeve të drejtësisë kuptojnë nevojat dhe mundohen t’i adresojnë, duke u mbështetur te njëri-tjetri.
“Misioni vazhdon, qëndresa po. Mesazhi im është që gjithçka duket e pamundur, derisa të arrihet. Jam besimplotë që nëse të gjithë këtu kuptojmë nevojat që kemi dhe mundohemi t’i adresojmë, duke u mbështetur te njëri-tjetri, padiskutim që sistemi do ja dalë ashtu siç duhet” – tha Llagami.
g.kosovari











