Legjislatura e pestë e Kuvendit të Kosovës si rrallëherë që prej inaugurimit të saj ka zhvilluar një seancë normale plenare edhe me pjesëmarrje të opozitës.
Pas tre muajsh bojkot, jetës parlamentare i është kthyer subjekti më i madh opozitar, lëvizja “Vetëvendosje”, e cila që nga marsi bashkë me dy partitë tjera, AAK-në dhe Nismën, patën marrë vendim për braktisjen e seancave, shkruan “Koha Ditore”.
Por qëndrim rreth pjesëmarrjes në seanca nuk kanë ndryshuar AAK dhe Nisma.
Megjithatë partia që drejtohet nga Ramush Haradinaj (AAK) ka paralajmëruar kthimin në Kuvend vetëm kur në rend dite të sillet marrëveshja për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.
Uzurpimi i pronave shoqërore, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit, si dhe mosimplementimi i marrëveshjeve me Serbinë janë çështjet e diskutuara në seancën e së enjtes. (b.an)