Zyrtari i VV-së Boiken Abazi, pretendon se krahu i aktivistëve anti-Kurti, që e kanë braktisur Lëvizjen Vetëvendosje, kanë marrë arkivat elektronike nga kompjuterët në zyrat e partisë.
Këtë Abazi e thotë në një nga debatet me komente në rrjetin social Facebook. Ai për më tepër thotë se përveç se kanë marrë disa nga arkivat, disa të tjera i kanë fshirë.
“Rexhep, disa aktivistë të Sekretariatit të Përgjithshëm morën nga Lëvizja ç’kishin për të marrë, në disa raste kur ikën morën edhe arkivat elektronike të Lëvizjes nga kompjuterët, dhe i fshinë më tej arkivat nga kompjuterët e Lëvizjes – ky është fakt i verifikueshëm kurdo që të kesh dëshirë sepse veprime të tilla mbeten në memorien e “hard diskut”.
Të njëjtit, më herët, kanë dhënë ç’kishin për të dhënë, por pa harruar që kanë marrë shumë më shumë se ç’kanë dhënë, dhe kanë marrë edhe gjëra që nuk u takojnë, si p.sh. arkivat elektronike të Lëvizjes”, ka shkruar Abazi.
Më tej në këtë koment ku diskutohet për Sekretariatin të cilin e ka drejtuar Dardan Molliqaj, Abazi ngrit akuza edhe për pagat që ata kanë marrë. (b.an)