Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një takim sot me drejtuesit e 61 bashkive të reja, për reformën në sektorin e ujit. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe drejtuesit vendor të zgjedhur nën logon e Partisë Demokratike, të cilët ishin edhe më aktivët gjatë diskutimeve.
Madje kryeministri Rama me batutë i’u drejtua të zgjedhurve vendorë se “vetëm të djathtët paskan pyetje”.
Gjatë këtij takimi Rama ka shkëmbyer disa replika me kryebashkiakun e Pogradecit dhe atë të Vaut të Dejës.
Replikat:
Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Eduard Kapri: Meqenëse u nis, besoj se problemi i pjesës më të madhe të bashkive është edhe problemi i borxheve. Në lidhje me problemin e borxheve kemi qenë në kontakt dhe me Ministrinë e Financave, për të ndjekur hapat, të cilat po ndërmerren me borxhet e vjetra. Por problemet na dalin ditë pas dite dhe pavarësisht se borxhi që ka Bashkia e Pogradecit mbase nuk është më i madhi në lidhje më bashkitë e tjera, po në raport me buxhetin që ka, mbase mund të jetë në nivelet më të mëdha. Problemi më i madh që po na del këto ditë është se pavarësisht borxhit, i cili është evidentuar edhe nga projekti STAR, për të cilin Bashkia e Pogradecit ka qenë projekt pilot, apo edhe tani me bilancet e konsoliduara, tani po na vijnë përsëri dhe po na dalin fatura të vitit 2004, të cilat po na vijnë nëpërmjet përmbarimit për detyrime të prapambetura nga KESH-i i mëparshëm që ka qenë, që ato nuk i kemi as të evidentuara dhe njëkohësisht po detyrohemi nga organet përmbarimore, për arsye se kanë marrë ato, deri në bllokimin e llogarive. Të paktën ne si bashki Pogradeci po mundohemi të mos rrisim borxhet, por duke qenë se një nivel i madh i këtyre borxheve është lidhur me vendimet gjyqësore të marra, të cilat kanë dhe interesat apo gjobat e tyre në vazhdimësi, ky borxh nuk po ulet, pavarësisht përpjekjeve që ne kemi marrë si bashki për të ulur këtë borxh. Kjo ishte në lidhje me problemin e borxheve të vjetra që kanë pasur bashkitë.
Po flasim në rangun e bashkisë, meqenëse e kishim si pikë të parë. Kurse në ujësjellës, Pogradeci ka ato ujësjellësit të cilat kanë kryer investime, performanca është shumë e mirë. Problemi ishte se po na dalin disa detyrime nga KESH-i që ka qenë, i vitit 2004.
Në lidhje me bordin, ne si bashki Pogradeci na janë transferuar afërsisht 2.8 milionë lekë të reja për komplet bordin dhe janë transferuar 2 punonjës, të cilët na kanë ardhur me vonesë. Rreth një muaj më përpara, ne patëm mundësi të zgjidhnin nga specialistët që ishin në bordin e kullimit për të marrë dhe këta specialistë. Normalisht ne i marrim për eksperiencën dhe përvojën e tyre që kanë. Problemi është se duke qenë në një zonë në të cilën ka munguar plotësisht investimi në sektorin e ujitjes dhe një investim, i cili ka qenë nisur që në vitin 2012, përsëri nuk ka përfunduar, jemi në pamjaftueshmëri fondesh, duke mos trashëguar asnjë mekanizëm. Vetëm 2 punonjës. Jemi në pamjaftueshmëri për t’i kthyer pikërisht këto kanale në të shfrytëzueshme. Nga ana jonë janë marrë masat, po financojmë dhe nga fondet e bashkisë, nga buxheti i bashkisë, por është për të ardhur keq që një bashki që me rezervat e saj ujore mund të shkojë deri në mbulimin e 2 mijë hektarëve në ujitje, aktualisht mbulohen rreth 300 hektarë. Është një problem shumë i madh, që ne nuk mund ta përballojmë.
Gjithashtu duhet nxituar edhe nga Ministria e Bujqësisë për kalimin e aseteve, për faktin se të gjithë këto kompetenca që po na transferohen, ne nuk po na jepen as ambientet ku këto borde apo këto ndërmarrje të ushtrojnë veprimtarinë e tyre. Ne na u kalua bordi i ujësjellësit, nuk kemi një ambient zyre. Na kalohet ndërmarrja Rruga Urës, nuk na kalohet asnjë ambient zyre. Na kalohet ndërmarrja pyjore, nuk na kalohet asnjë ambient zyre. Këto nuk i kërkojmë për luks, por i kërkojmë që vërtetë këto punonjës të cilët transferohen dhe këto ndërmarrje, ne të kemi mundësinë që t’u ofrojmë atyre komoditetin për të kryer funksionin e tyre. Ne detyrohemi tani që këto ndërmarrje, duke mos u transferuar asnjë aset në lidhje me zyra ku ata të ushtrojnë veprimtarinë e tyre, po i lëmë nëpër ambiente, po cungojmë ambiente të ndryshme, që po punojnë në kushte të pa përshtatshme. Njëkohësisht, duke qenë se më përpare nuk ka qenë funksioni i komunave, por ka qenë i bordit të kullimit, duke qenë se këto ambiente kanë qenë të mbyllura, ne akoma nuk kemi marrë as projektet ekzistuese që kanë qenë, në mënyrë që t’i rishikojmë dhe të kemi mundësi të aplikojmë në lidhje me këto projekte. Është një proces që besoj duhet të avancojë që të na jepet mundësia. Zyrat e bordit të kullimit përsëri nuk na janë kaluar, ndërmarrja Rruga Urë nuk na ka kaluar dhe nuk dimë ku të zhvillojmë aktivitetin. Janë probleme që ne i hasim përditë.
Njëkohësisht do të kërkoja që me ligjin e ri të pushtetit vendor kuptohet që kryetarët e bashkive marrin në administrim gjithë territorin e tyre, por po vihemi përballë faktit që nëpërmjet vendimeve që dalin nga Këshilli i Ministrave, pa qenë në dijeni dhe vetë bashkia, e cila është në administrim të territorit dhe kalimit, merren vendime të cilat i heqin nga përdorimi. Bashkisë Pogradec faktikisht në dhjetor është marrë një vendim që i janë hequr 1000 hektarë. Ndërkohë që bashkia nuk është në dijeni dhe ndërkohë që për këto toka ka probleme me banorë të ndryshme të zonave dhe për faktin e thjeshtë se disa, duke qenë se vendimet e kthimit të pronave janë marrë në mënyrë të vazhdueshme, njerëzit janë pajisur me certifikata, ka përplasje me banorët. E mira është se para se të merren vendime të tilla të konsultohemi edhe nëpërmjet bashkisë. Ndërkohë që në një komunë lëshohen 220 hektarë dhe këto të ardhura i merr dukë qenë territori i fshatit dhe banorët nuk kanë marrë një sasi të madhe toke, por kanë minimumet e tyre dhe këto të ardhura për qiradhënien e saj i shkojnë përsëri Ministrisë Bujqësisë, ndërkohë që ata atje janë në kushte shumë të vështira.
Kryeministri Edi Rama: Kryetar, të lutem mos ik fare nga axhenda, se nuk është një mbledhje për vajtimet e gjithë bashkive, se arsye për të vajtuar ju mund të keni shumë dhe do na duhet pastaj të bëjmë seanca të veçanta me secilin. Këtu që ne këtu jemi mbledhur për ujin dhe reformën e ujit.
Ndërkohë, për sa ju thatë, e para mbase ka dhe të tjerë që nuk janë informuar, ne me vendim qeverie e kemi rikthyer administrimin e të drejtës për të marrë propozime dhe për të vënë në dispozicion toke bujqësore për zhvillime bujqësore tek bashkitë. Pra, jeni ju tani, nuk është më ministria dhe qeveria që japin me qera tokë bujqësore, por janë bashkitë.
Kur e kemi marrë vendimin për t’i hequr nga njësitë vendore, e kemi marrë si një vendim të përkohshëm, për shkak të veprimtarisë kriminale të shumë kryetarëve të njësive vendore që tokat bujqësore i trajtuan si troje, i tjetërsuan, i bënë histori nga më të çuditshmet. Ka qenë një vendim i ndërmjetëm, me qëllimin e vetëm që të kemi më në kontroll një situatë që kishte dalë komplet jashtë kontrollit. Tani është rikthyer tek ju.
Ministria e Bujqësisë do të ketë vetëm një person përgjegjës përfaqësues, në çdo rast kur ju do të trajtoni me komisionin përkatës, kërkesat e subjekteve të ndryshme për të shfrytëzuar tokë bujqësore dhe ka thjeshtë dhe vetëm detyrimin të bëjë një oponencë konstruktive, për të shmangur abuzimet dhe trajtimin e tokës së bukës si truall ndërtimi apo për arsye të tjera. Pra, e keni ju dhe të jemi të qartë në këtë gjë. Është vendim i qeverisë që e kemi marrë përpara pak kohe.
Përsa i përket të gjithë procesit që ju ankoheni, të burokracisë së brendshme, është problemi juaj, nuk është problemi ynë. Se si i bëni ju agregimin, bashkimin e aseteve të ujësjellësit, etj, është çështja juaj. Nuk jeni kryetarë njësish vendore vetëm për të kërkuar lekë nga qeveria, por jeni për të administruar pasuritë dhe asetet dhe ndërmarrjet tuaj. Nuk ka asnjë problem të kësaj natyre të shkaktuar nga qeveria, apo ku të jetë pengesë qeveria. Ne, sigurisht që, nuk mund t’ju transferonim ju njerëz që nuk i kishim. Ne kishim një strukturë të pyjeve dhe e transferuam. Kemi transferuar burimet njerëzore dhe paratë tek ju. Në rast se Pogradecit i kanë rënë 2, aq kishim ne. Po të kishim 40, do t’ia jepnim 40. Totali i punonjësve të strukturës është ndarë në mënyrë proporcionale për të gjitha bashkitë. Dikush ka 4, dikush 3, dikush 2, dikush 1, se kaq janë. Po ju them se nga një vështrim që ju kemi bërë organikave të bashkive, janë organikat më të fryra në Europë dhe rajon. Keni drejtori dhe sektorë parazitë që mund t’i shkurtoni dhe forconi strukturën që ju duhet për punë. Keni drejtori strategjish që janë komplet pa asnjë përmbajtje. Shkurtoni ato, shtoni të tjera. Në qoftë se ju e përdorni fondin, buxhetin e Bashkisë, për të krijuar artificialisht vende pune dhe për të marrë në punë kushërinjtë dhe militantët e zemrës tuaj, kjo është një zgjedhje që e bëni ju dhe nëse këshillat bashkiakë ju mbështesin, është puna e tyre. Por kjo nuk mund dot të jetë një arsye për t’u ankuar nga qeveria, pse nuk ju jep ju më shumë njerëz dhe më shumë fonde për të paguar njerëz.
E njëjta gjë përsa i përket bordit. Ne kemi ruajtur një bërthamë për të 4 bordet rajonale, që do jenë edhe ato në shërbimin tuaj, pra, në shërbim të ekonomisë kombëtare dhe tuajën dhe gjithë të tjerët janë vënë në dispozicionin tuaj. Por ne nuk mund të të dorëzojmë dokumentet e bordit, nëse nuk ke krijuar akoma njësinë. Duhet të krijosh njësinë e ujitjes dhe të kullimit në bashki dhe ajo njësi merr në dispozicion dokumentet, siç i kanë marrë plot të tjerë këtu nga Ministria. Kujt t’ia dorëzojmë? Duhet t’ia japim njësisë.
Përsa i përket zyrave, unë nuk e di si mund të ndahen zyrat! Një godinë të ndahet në copa dhe një zyrë t’ia çojmë Pogradecit, një zyrë Korçës, një zyrë tjetër Kolonjës. Unë nuk di si mund të bëhet një ndarje e tillë, si mund të sharrohen zyrat dhe të ndahen në mënyrë proporcionale. Ato struktura që kemi mundësi, patjetër që ne do t’ua kalojmë. Jeni ju që duhet të bëni kërkesë, jo ne. Jeni ju që mund të thoni që kjo apo ajo godinë është bosh, apo është gjysmë e përdorur, ndaj ju lutem konsideroni vendimin që të na e kaloni si aset i bashkisë.
Tani po bëjmë vendimin që të gjithë konviktet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë do t’ua kalojmë bashkive. Po ashtu do vazhdojmë të kalojmë te bashkitë dhe do t’u japim mundësi bashkive të regjistrojnë pronat e tyre. Ka bashki sot që nuk kanë të regjistruar as godinën e tyre, jo më të kenë të regjistruara gjëra të tjera. Nesër mund të çohet një parti dhe mund t’ju bëjë ju si bashki, atë që i ndodhi SHQUP-it. Por, po të jetë e regjistruar, është prona e bashkisë dhe të tjerat të bëhen kolaterale dhe mund të bëni gjëra që bëjnë sot bashkitë. Sot, bashki të tëra në Europë, nga Gjermania në Holandë dhe në Angli, edhe godinën e tyre e vënë në dispozicion për të nxjerrë para. Jo se ikin nga godina, por e japin në administrim privat. Këto janë gjëra që duhet t’i bëni ju, nuk mund t’i bëjmë ne. Ajo që ne të jeni të bindur 100% që duam të bëjmë është që të fuqizojmë maksimalisht këtë model qeverisjeje. Por nuk mund të fuqizohet, nëse vetëm jep dhe s’ka detyrim perfomance mbrapsht.
Tani ju po bëni inventarët tuaj dhe do të shikoni sesa probleme keni të trashëguara nga kryetarët e komunave me tokën bujqësore, me kontrata, tjetërsime, abuzime, që të gjitha kanë ardhur si rezultat i një pseudodecentralizimi dhe i një pseudokompetence, pa asnjë kontroll. Sot, ju faktikisht keni qytetin qendror, por kur të merrni edhe gjitha të tjerat, do ta shikoni vetë se me çfarë do ndesheni. Tani keni edhe tokat bujqësore. Doni të dilni për të mbështetur investime private për sera, për prodhim bujqësor, për agropërpunim e keni ju në dorë, me oponencë nga Ministria e Bujqësisë për t’iu shmangur atyre që kanë ndodhur në të kaluarën.
Përsa i përket mjeteve, në 15 vjet është blerë vetëm një ekskavator i ri për gjithë bujqësinë shqiptare për 28 mijë metra katrorë. Flota e trashëguar është e kohës së dashurisë shqiptaro-kineze dhe me ndonjë akt tjetër heroik për të marrë edhe ndonjë ekskavator tjetër, kur ngelëm vetëm. Asgjë të re, zero! Pas pak muajsh, ne do ju japim 61 ekskavatorë të standardeve më të larta teknologjike, që ju t’i keni për kanalet ujitëse dhe kulluese. Unë e kuptoj që 61 prapë nuk do mjaftojnë dhe do duhet prapë vitin tjetër t’ju mbështesim dhe ne do ju mbështesim. Por kini parasysh se nga po nisemi. Treçereku i flotës që ne do transferonim tek ju ishte i papërdorshëm, thjesht inventar fizik për skrap, që po ta vije në punë, do harxhoje naftë pafund vetëm që ekskavatori të kollitej në vend. Kjo është situata, por shumë shpejt do keni këtë kontribut të parë për flotën e re. Por duhet t’i bëni dhe ju llogaritë tuaja. Një kryetar bashkie mund të thotë se do të fokusohem te bujqësia dhe do t’i vë të gjitha fondet tek bujqësia, ndërsa një tjetër mund të thotë ky nuk është fare problemi. Ne thjesht do garantojmë që secili të ushtrojë kompetencat e veta. Pastaj, si i ndani ju fondet, është puna juaj, është puna e Këshillit dhe e keni me popullin, nuk e keni me ne.
Kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila: Përshëndetje zoti Kryeministër. Ne sapo kemi përfunduar kalimin e inventarizimit të gjithë rrjetit vaditës dhe kullues pranë Bashkisë së Vaut të Dejës. Ne kemi rreth 12 mijë hektarë tokë bujqësore, nga e cila mbi 8 mijë hektarë janë në sistemin e vaditjes. Ne kemi filluar nga puna me ato të ardhura, megjithëse ato janë normalisht të vogla. Por gjatë kësaj periudhe, ne nuk kemi pasur asnjë lloj mbështetje nga Ministria e Bujqësisë, qoftë për kanalet vaditëse apo dhe për kanalet kulluese. Janë mbi 8 mijë hektarë sot, që është tokë bujqësore që duhet të jetë në plan të parë për t’u ardhur në ndihmë fermerëve. Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Po është e vërtetë Zef, bashkia juaj dhe disa bashki të tjera nuk kanë marrë mbështetje financiare dhe arsyeja është shumë e thjeshtë; Ne kemi vënë në dispozicion një shumë të konsiderueshme për herë të parë, por jo të mjaftueshme për të plotësuar kërkesat e të gjithë bashkive. Ndarja është bërë duke pasur parasysh në fillim zonat me prodhimin më intensiv, sepse edhe ndarja me thërrime nuk do sillte asnjë efekt. Ju do të kishit pak më shumë sesa hiçi, por nuk do t’ju jepte ndonjë impakt. Ndërkohë që impaktin që presim të marrin në zonat më intensive nuk do e merrnim dot. Të jeni të bindur që arsyeja është kjo. Ne, sigurisht që do të vazhdojmë, duke pasur parasysh që të bëjmë edhe kompensimet e nevojshme.
Kini parasysh që ka një vëmendje dhe interes të madh nga Komisioni Europian, USAID dhe nga organizma të tjerë, për të mbështetur këtë proces modernizimi të qeverisjes vendore, drejtpërdrejt me bashkitë. Në qoftë se bashkitë do të jenë në gjendje, jo thjesht të bëjnë projekte, por edhe t’i mbështesin ato me besueshmërinë e nevojshme të mekanizmave të tyre, pra, nëse ju do të bëni një projekt për të pasur mbështetje për ujitjen dhe kullimin dhe ky projekt do mbështetet me besueshmëri, duke treguar inventarin dhe ai të jetë model; duke treguar territorin dhe se kush janë arsyet pse rritja e kapaciteteve ujitës do të sjellë ulje të varfërisë, rritje të punësimit etj, të jeni të sigurt që do të mund të angazhoni fonde ekstra, edhe më shumë sesa ka angazhuar qeveria shqiptare.
Ne kemi marrë në mënyrë të vazhdueshme shprehje interesimi që nga KE, USAID dhe të tjerë për ecurinë e reformës dhe të gjithë presin që ju të filloni të kërkoni mbështetje prej tyre. Por kini parasysh edhe në ujësjellës, në rast se ju do të krijoni ndërmarrje të besueshme, do të gjeni patjetër partneritete edhe me organizmat ndërkombëtare financiare, me BERZH, që në programin e ri që do bëjë me qeverinë në fokus ka ujësjellësit dhe mbështetjen e bujqësisë. Ata e kanë strategji në të gjithë Europën, kontributin financiar në ndërmarrjet e ujësjellësve. Sigurisht që ata janë bankë dhe futen në ndërmarrje që do nxjerrin lekë dhe jo aty ku duhen mbushur gropa. Kjo është prapë çështje besueshmërie e sistemit që ju do krijon
Nuk e kuptova pse asnjë socialist nuk kërkoi fjalën.
Ne jemi në dispozicion dhe siç ju kam thënë, për probleme që janë konkrete të bashkive, dera është e hapur, sidomos për demokratët.
Historia e mesazhit në fushatë ka bërë efekt fantastik. I ka dhënë një nxitje të madhe gjithë bashkëpunimit me të gjithë kryetarët e bashkive të Partisë Demokratike. Së fundi kam pasur një takim fantastik me kryetarin e bashkisë së Tropojës, të cilit do t’i japim një mbështetje shumë të rëndësishme për një transformim të rëndësishëm urban edhe në Tropojë. Nën shembullin e Tropojës do të vazhdojmë ta bëjmë gjithë këtë bashkëpunim, një shembull suksesi, për herë të parë në kaq shumë vite ndërveprim, mes qeverisë dhe pushtetit vendor. Për fat të mirë, kolegët socialistë të dy partive të koalicionit, nuk janë xhelozë për këtë bashkëpunim.