Portofoli i dhjetë gjyqtarëve të Apelit në Shqipëri vlen 802 milionë lekë ose më shumë sesa gjysma e pasurisë së 81 gjyqtarëve të karrierës të marrë së bashku. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se dhjetë gjyqtarët më të kamur të Apelit në vend kanë pesëfishuar pasurinë e tyre nga viti 2003 deri në fund të vitit 2014, duke investuar vlera të mëdha parash në pasuri të paluajtshme dhe kompani biznesi.
Lista e gjyqtarëve më të pasur të Apelit në Shqipëri kryesohet nga Gjin Gjoni-njëherazi anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Gjyqtari i shumëdiskutuar, sipas të dhënave të analizuara nga BIRN ka arritur disa rekorde njëherësh; ai ka shënuar kurbën më të lartë të shtimit të pasurisë në 11 vjet dhe zotëron familjarisht numrin më të madh të kompanive të biznesit.
E dyta në listë është gjyqtarja e Apelit të Vlorës, Gjinovefa Gaba, e ndjekur nga Zegjine Sollaku, Alaudin Malaj dhe Agim Bendo të Apelit të Tiranës. Vlera më të vogla pasurie-por gjithsesi pjesë e 10 më të pasurve zotërojnë gjyqtarët Lefter Jahaj, Gurali Brahimllari i Apelit të Krimeve të Rënda, Fiqerete Mullaj, Vasil Hanxhari dhe Evjeni Sinojmeri.
Në vitin 2003-viti i parë i deklarimit të pasurive për zyrtarët e lartë-dhjetë gjyqtarët e Apelit zotëronin së bashku 145 586 726 lekë ose 1.2 milionë USD. Në fund të vitit 2014, pasuria bruto e tyre, sipas deklarimeve që ata vetë kanë bërë është rritur me rreth 5 milionë USD.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se gjyqtarët më të pasur në Shqipëri zotërojnë gjithashtu në total një paketë borxhesh prej 152 029 223 lekësh ose 1.2 milionë USD në fund të vitit 2014. Ndërsa pasuria neto kap shifrat e 650 080 518 lekëve ose 5.3 milionë dollarëve në total.
Të dhënat e përftuara tregojnë se shtatë gjyqtarët më të pasur i përkasin Gjykatës së Apelit të Tiranës. Dy prej tyre janë gjyqtarë Apeli në Vlorë dhe një i tretë punon në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda.
Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN analizoi deklaratat e pasurisë së 81 gjyqtarëve të Gjykatave të Apelit në Shqipëri, pasi i administroi ato nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI përmes një kërkese të bazuar në ligjin për të drejtën e informimit.
Të dhënat e plotësuara nga gjyqtarët në secilën deklaratë vjetore u hodhën në një databazë dhe iu nënshtruan analizës aritmetike dhe logjike, e cili bazohet në një nga format e kontrollit të përdorura nga ILDKPKI për të hetuar pasurinë e zyrtarëve dhe është e njohur si një nga praktikat më të mira ndërkombëtare.
Përmes hedhjes në sistem të pasurive të deklaruara dhe vlerës së tyre, databaza gjeneron të dhëna për vlerën e përgjithshme të pasurisë së 81 gjyqtarëve, për pasurinë në total që zotëron secili gjyqtar dhe për shpërndarjen e saj sipas pasurive të paluajtshme apo llogarive bankare.
Të dhënat e përftuara nga ILDKPKI nuk ofrojnë fakte nëse pasuritë e këtyre gjyqtarëve janë shtuar apo jo në mënyrë të kundraligjshme. Gjithashtu, përfundimet e BIRN bazohen në pasuritë që gjyqtarët kanë deklaruar në ILDKPKI, sipas kategorive të përcaktuara prej tyre.
Hetimet e thelluara të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive kanë nxjerrë të dhëna të ndryshme në të paktën dy raste, Gjin Gjonin dhe Alaudin Malajn. Dy gjyqtarët janë kallëzuar më pas në Prokurori, me akuzat e deklarimeve të rreme dhe fshehjes së pasurisë.
Gjyqtarët më të pasur
Në deklaratën e tij të parë, Gjin Gjoni raportoi në Inspektoriatin e Lartë të Pasurisë vetëm të ardhurat e tij nga paga si gjyqtar dhe një automjet “Benz” në emër të vëllait në vlerën e 1.3 milionë lekëve për vitin 2003. Në fund të vitit 2014, pasuria e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë vlen rreth 162 milionë lekë ose 1.3 milionë dollarë.
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se Gjoni ka në fund të vitit 2014 një paketë borxhesh rreth 20 milionë lekë. Pasuria e tij neto në fund të periudhës së deklarimit është 141 milionë lekë ose 1.1 milionë dollarë.
Përgjatë 11 viteve të analizuara, Gjoni ka qenë ortak në tre kompani biznesi, aksionet e të cilave ia ka transferuar bashkëshortes së tij, Elona Çaushi. Në fund të vitit 2014, kjo e fundit ishte pronare e gjashtë kompanive të biznesit, ku vendin kryesor e zë “Albanian Duty Free Distribution” me një kapital prej 25 milionë lekësh sipas Qendrës së Regjistrimit të Bizneseve.
Gjin Gjoni është njëri prej 12 gjyqtarëve që ILDKPKI kallëzoi në Prokurori në prill 2014 për veprat penale të deklarimit të rremë, falsifikimit të dokumenteve dhe pastrimit të produkteve të veprës penale. Prokuroria dhe gjykata pushuan akuzat kundër tij, përmes një procesi të debatueshëm.
Ndryshe nga Gjin Gjoni, gjyqtarja e Apelit të Vlorës, Gjinofeva Gaba ka zotëruar një pasuri të konsiderueshme në vitin 2003-sipas deklaratës së parë të pasurisë së saj. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se në vitin 2003, Gaba zotëronte mbi 45 milionë lekë ose 373 mijë dollarë pasuri. Në vitin 2014, pasuria e saj është ngjitur në 126 milionë lekë ose rreth 1 milion dollarë.
Kompania e bashkëshortit të saj me aktivitet në fushën e printimeve dhe botimeve siguron një pjesë të të ardhurave të deklaruara të gjyqtares, ndërsa pasuria më me vlerë e familjes është një apartament në qendër të Tiranës.
Me një portofol prej 101 milionë lekësh pasuri bruto, Zegjine Sollaku renditet e treta në listën e gjyqtarëve më të pasur. Në vitin 2003, familja Sollaku deklaronte rreth 14 milionë lekë pasuri, të përbërë nga dy apartamente, një shtëpi private dhe një sipërfaqe të konsiderueshme pylli.
Në fund të vitit 2014, kjo pasuri llogaritet në 101 milionë lekë, ndërkohë që borxhet e familjes kapin shifrën e 17 milionë lekëve. Pasuria e deklaruar e familjes Sollaku ka shënuar ritme të shpejta rritjeje pas vitit 2008, kur bashkëshorti i gjyqtares, ish-prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku ka filluar aktivitetin si avokat.
Nga viti 2008 deri në vitin 2014, gjyqtarja Sollaku ka deklaruar të ardhura nga studioja avokatore e bashkëshortit 87 milionë lekë, çka i ka mundësuar familjes të shtojë pasuritë e patundshme në vlera të mëdha parash në Tiranë.
Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit të Tiranës, Alaudin Malaj, një tjetër personazh i diskutuar i sistemit të drejtësisë në vend zotëron sipas të dhënave të BIRN një pasuri të deklaruar prej rreth 92 milionë lekësh ose 752 mijë dollarësh.
ILDKPKI e kallëzoi Malajn në vitin 2014, duke e akuzuar atë për fshehje të pasurisë, që sipas saj kapte shifrën e 1.7 milionë eurove, por Prokuroria i pushoi hetimet.
Në deklaratën e vitit 2003, Malaj raportonte se pasuria e tij është 8 milionë lekë. Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se pasuria e tij e deklaruar është rritur me rreth 84 milionë lekë në 11 vite.
Malaj ka blerë gjashtë apartamente në Tiranë dhe Durrës përgjatë viteve 2003-2014, ndërsa babai i tij i ka dhuruar bashkëshortes Edlira Malaj dy apartamente të tjera. Pasuritë e patundshme janë kthyer në një gjenerator të ardhurash për familjen e gjyqtarit Malaj, pasi disa apartamente u dhanë me qira në vlera të konsiderueshme, ndërsa disa të tjera u shitën në vlera shumëfish më të larta se ç’ishin blerë.
Gjithashtu, familja Malaj zotëron 4 kompani biznesi në Vlorë, Tiranë dhe Kosovë, dy prej të cilave kanë si aktivitet kryesor fushën e ndërtimit.
Agim Bendo, një tjetër gjyqtar i Apelit të Tiranës zë vendin e pestë në listën e gjyqtarëve më të pasur të Apelit. Me një pasuri bruto prej 28 milionë lekësh në vitin 2003, familja Bendo është ngjitur në shifrat e 77 milionë lekëve të deklaruara në fund të vitit 2014.
Si shumica e gjyqtarëve në Shqipëri, edhe familja Bendo ka investuar para në pasuri të paluajtshme, ndërsa siguron të ardhura edhe nga aksionet që bashkëshortja e gjyqtarit zotëron në një kompani private.
Lefter Jahaj dhe Gurali Brahimllari zotërojnë respektivisht 57 milionë dhe 54 milionë lekë pasuri në fund të vitit 2014. Të dy gjyqtarët kanë arritur të katërfishojnë pasurinë e tyre nga viti 2003 deri në fund të vitit 2014, ndërkohë që burimet e pasurisë kanë qenë të ndryshme.
Prona më me vlerë e familjes së gjyqtarit të Apelit, Jahaj është një apartament me vlerë 130 mijë dollarë, për të cilën gjyqtari deklaron se e ka blerë me paratë e kursyera dhe ndihmë financiare nga familja dhe të afërmit që ndodhen në Kanada.
Ndërsa të ardhurat kryesore në familjen e gjyqtarit të Apelit të Krimeve të Rënda, Brahimllari vijnë nga bashkëshortja me profesion stomatologe.
Fiqirete Mullaj, gjyqtare e Apelit të Tiranës renditet e teta në listën e pasurive të analizuara nga BIRN. Familja e gjyqtares Mullaj ka një pasuri me vlerë 47 milionë lekë dhe zotëron zero lekë borxhe.
Megjithatë, pasuria e saj përbëhet kryesisht nga të ardhurat e punës së specializuar të bashkëshortit të saj, studiues i njohur në Institutin e Kërkimeve Biologjike dhe paga e djalit të gjyqtares, i cili punon për një prej bankave më të mëdha në Shtetet e Bashkuara.
Në fundin e listës së dhjetë gjyqtarëve më të pasur të Apelit renditen Vasil Hanxhari i Gjykatës së Apelit Vlorë dhe Evjeni Sinojmeri e Apelit të Tiranës. Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se Hanxhari e ka dyfishuar pasurinë e tij gjatë 11 viteve, duke llogaritur në portofolin e tij 43 milionë lekë të deklaruara në fund të vitit 2014.
Ndërsa gjyqtarja Sinojmeri e ka dhjetëfishuar pasurinë e saj në 11 vite, duke kapur shifrën e 41 milionë lekëve në fund të vitit 2014.
Biznesi i gjyqtarëve
Sistemi gjyqësor shqiptar vuan një nivel të lartë korrupsioni, sipas perceptimit të shumicës së shqiptarëve dhe raporteve monitoruese ndërkombëtare. Një reformë në drejtësi që mundëson njëkohësisht pastrimin e sistemit nga gjyqtarët e korruptuar është kushti kyç i Brukselit për ecurinë e mëtejshme të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Nëse reforma miratohet më 21 korrik, pasuritë e gjyqtarëve në vend do t’i nënshtrohen një skanimi të thelluar nga institucionet e vetingut, pasi konsiderohen si një nga indikatorët që përcakton integritetin e gjyqtarëve të Shqipërisë. Bashkë me pasurinë, gjyqtarët do të filtrohen edhe për lidhje të dyshuara me krimin e organizuar apo për aftësitë e tyre profesionale.
Në dy investigime të mëparshme të bazuara në deklaratat e pasurisë së 11 viteve, BIRN arriti në përfundimin se 81 gjyqtarët e Apelit në Shqipëri zotërojnë së bashku më shumë se 2 miliardë lekë të deklaruara pasuri.
Duke përdorur teknikat e certifikuara të kontrollit aritmetik dhe logjik, BIRN arriti të zbulonte gjithashtu se 79 për qind e gjyqtarëve të Apelit rezultojnë se kanë pasur të paktën në një vit të karrierës së tyre diferenca të pajustifikuara midis pasurisë së krijuar dhe burimeve financiare të deklaruara.
Në total, shuma e pajustifikuar nga gjyqtarët e Apelit kap shifrën e 2.7 milionë USD.
Megjithatë, analiza e deklaratave të pasurisë tregon gjithashtu se stili i jetesës së gjyqtarëve të karrierës në Shqipëri mbështetet sot nga disa burime të ardhurash, ku paga nga funksioni zë vetëm 1/3 e totalit të fitimeve.
Në vitin 2004, paga si gjyqtar përbënte gjysmën e të ardhurave familjare në total.
Të ardhurat nga kompanitë e biznesit të familjarëve, nga shitja e pasurive të paluajtshme apo nga qiratë e apartamenteve zënë një volum të rëndësishëm të pasurisë së përgjithshme të gjyqtarëve të Apelit në Shqipëri.
BIRN arriti të zbulojë se 81 gjyqtarët kanë përfituar në total 439 537 823 lekë (3.6 milionë USD) nga kompanitë e biznesit, 165 412 983 lekë (1.5 milionë USD) nga shitja e pasurive të paluajtshme dhe 11 2849 267 lekë (923 mijë USD) nga qiratë përgjatë dhjetë viteve të deklarimit të pasurisë.
Gjyqtarët deklarojnë gjithashtu vlera të konsiderueshme dhuratash cash, të ardhura nga mësimdhënia apo të ardhura të tjera, të cilat nuk përfshihen në kategoritë e mësipërme.
Detyrimet e gjyqtarëve të Apelit përbëjnë më pak se ¼ e të ardhurave totale të tyre. Shumica e gjyqtarëve deklarojnë borxhe për llogari të kredive bankare, borxhe ndaj palëve të treta dhe ndaj kompanive të ndërtimit.
Në deklaratat e tyre fillestare të dorëzuara në ILDKPKI në vitin 2004, gjyqtarët raportojnë borxhe në vlera të mëdha ndaj palëve të treta dhe më pak kredi bankare. Në vitin 2014, raporti është i përmbysur, ndërsa kreditë bankare zënë pjesën më të madhe të detyrimeve të tyre. / BIRN