Nga Prof. Dr. Hazbi Shehu
Ç’do trup lëviz. Nuk ka lëvizje pa materie. Nuk ka qetësi absolute dhe vetë trupat në qetësi relative janë në lëvizje. Hapësira dhe materia kanë ekzistuar, ekzistojnë dhe do të ekzistojnë bashkë – nuk ka fillim apo mbarim. Fundi është nje pafundësi, që rrezet e dritës e mbushin duke lëvizur në pafundësi. Të gjitha këto janë perceptime të trurit dhe mendjes së njeriut.
Materia në vetëlëvizje zhvillon dhe zbukuron gjithë Universin. Me anë të aparateve speciale teleskopike, astronomët shohin dhe përcaktojnë vezullimet yjore që shprehin vetëlëvizjen dhe vetëveprimin e tyre në çdo çast, por që i përkasin zhvillimit në billiona dhe triliona vjet. Vetëlëvizja e materies shpreh energjinë e brendshme të saj.
Tek qeniet e gjalla ajo ndodhet ose ekziston nga çasti i lindjes së foshnjes, si rrjedhojë i trashëgimisë së prindërve të saj. Kjo energji, dhuratë e prindërve, është shkëndija për zjarrin që do të zhvillohet brenda foshnjes të porsalindur. Por po nuk i hodhe dru zjarrit, ai do të shuhet. Energjia e brëndshme e trashëguar nga prindërit tek foshnja duhet ushqyer vazhdimisht, sepse ajo vë në funksionim çdo pjesë të trupit dhe trurin. Tek disa njerëz zhvillohen më mirë dhe më qartë kryesisht pjesët e trupit që shërbejnë për të kryer punë fizike dhe më pak truri. Ata me vetëlëvizjet e trupit tyre muskular zbukurojnë jetën njerëzore. Kjo shprehet qartë dhe bukur në realizimin e lojrave Olimpike, tek ndërtimet gjigande në shekuj, në forcën muskulare gjatë luftave me shpatë në duar, etj.
Në njerëz të veçantë truri paraqitet shumë më i zhvilluar se pjesët e tjera trupore. Këta në saj të vetëlëvizjes dhe vetëveprimit të trurit tyre special i kanë dhenë dhe vazhdojnë ti japin njerëzimit pasurinë e zhvillimit shkencor (shpikja e rrotës, kompjuteri, zbërthimi i atomit, njohja dhe zbërthimi i vazhdueshëm i Universit, etj). Të parët kanë dhënë dhe vazhdojnë ti japin njerëzimit kënaqësinë për ta kaluar jetën sa më mirë dhe sa më bukur në saj të vetëlëvizjeve të trupit tyre. Shkencëtarët e trurit i kanë hapur sytë njerëzimit për të depërtuar në thellësi të Universit. Ata me shpikjet e jashtëzakonshme e kanë bërë jetën më të lehtë, më të rehatshme, më tërheqëse dhe më simpatike. Tek shumica e njerëzve, zhvillimi trupor dhe ai truror paraqitet deri diku i barabartë. Ata zhvillojnë në përgjithësi një jetë normale, por duke pranuar sigurisht dhe anomalitë që lindin gjatë vetëlëvizjeve në kontakt me botën e jashtme, me forcat e natyrës. I gjithë ky zhvillim i jashtëzakonshëm i njerëzimit është pasojë ose rrjedhojë i energjisë së brëndshme që kryen vetëlëvizjen e njeriut në të gjitha drejtimet e jetës. Energjia e brëndshme ekziston tek çdo qënie e gjallë (njeri, kafshë, zog, etj.), por shkalla e pranisë së kësaj energjie ndryshon për çdo qënie në veçanti.
Sapo lind foshnja, energjia e brëndshme i vë në lëvizje të gjitha pjesët e trupit të saj. Trupi i foshnjes lëviz pa vetëdije. Ajo nuk arrin të kontrollojë drejtimin e lëvizjeve të trupit duke përfshirë dhe trurin brenda kokës. Kjo ndodh sepse truri lëviz njësoj si pjesët e tjera të trupit. Trupi i foshnjes të sapolindur lëviz pa i ndjerë ngacmimet ose veprimet e forcave të jashtme, si dhe përkëdheljen e prindërve, etj. Kur energjia e brëndshme e detyron trurin të kryej vetëlëvizje dhe vetëveprime të pavarura, atëhere ai do të funksionojë si organ urdhërues për të gjitha pjesët e tjera të trupit. Në çastin kur foshnja fillon të ndjej ngacmimet e jashtme dhe njekohësisht i përgjigjet atyre me qeshjen e fytyrës ose largimin e trupit; atëhere duhet pranuar se truri ka filluar të urdhërojë pjesët e trupit, megjithëse dobët. Kur fillon fëmija të ushqehet, atëhere energjia e brendshme forcohet dhe fillon ti kundërvihet më fort ngacmimeve të jashtme. Energjia e brendshme arrin kulmin e fuqisë së saj, kur njeriu ndodhet rreth moshave 30-50 vjeçare. Në këtë periudhë të jetës, njeriu jo vetëm i përballon ngacmimet apo forcat e jashtme, por arrin dhe ti mundi ato. Nëse gjatë periudhës rinore, llogjika e njeriut nuk punonte ose mendonte dobët për të ardhmen e vetë, gjatë moshave 30-50 vjeçare, ai jo vetëm e përballon lehtë jetën, por mendon dhe e shikon qartë dhe me optimizëm të ardhmen e tij.
Rreth moshës 60 vjeç, energjia e brendshme si rrjedhojë i veprimit dhe goditjeve të vazhdueshme të forcave të jashtëme të natyrës, fillon të dobësohet prandaj është e domosdoshme që në këtë periudhë njeriu duhet të intensifikoi lëvizjet e trupit të tij. Ky proçes fizkultural së bashku me energjinë e brendshme do të mbante gjallë, madje do të gjllëronte dhe ç’do pjesë të trupit të tij?!Po të neglixhosh nje këshillë apo udhëzim të tillë do të thotë ti dorëzohesh vdekjes së parakohëshme ose gjymtyra të veçanta si duar, kembë, shtylla kurrizore, etj., do të mpihen, do të dalin jashtë funksionimit dhe nuk do ti kryejnë proçeset e tyre përkatëse që i nevojiten trupit të njeriut.
Me kalimin e kohës, sidomos kur njeriu arrin në moshën e tretë, energjia e brendshme zvogëlohet ose dobësohet shumë dhe i përballon me vështirësi sulmet e forcave të natyrës. Në një kohë të caktuar kur energjia e brendshme e njeriut shuhet, ai kalon në një formë tjetër të materies (vdes thotë populli ose kthehet në pluhur ose dhe pleh). Forcat e natyrës janë të pashtershme. Ato godasin dhe veprojnë mbi materien e çdo lloji. Në veprimet e tyre i ndjejmë më shumë kur ato godasin njeriun dhe të mirat materiale që ai i ka krijuar. Ky proçes duket qartë po të analizojmë jetën e një personi të vetëm. Periudha e zgjatjes të energjisë së brendshme tek një njeri shkon rreth 100 vjet, ndoshta dhe pak më shumë në varësi të trashëgimisë.
Forcat e jashtme të natyrës kërkojnë ta kthejnë njeriun nga vetëlëvizës në një trup pa energji. Ai pas vdekjes transportohet nga këto forca ose dhe nga vetë njerëzit (në këtë rast ata luajnë rolin e forcave të jashtme të natyrës si transportues ose punëtorë për veten e tyre) duke e groposur në tokë dhe mbuluar me dhe’. Kështu duke analizuar një njeri të vetëm të kësaj jete, arrin në përfundim se njeriu në sytë e njerëzimit është i përkohshëm; si njeri vetëlëvizës në tokën tonë. I njëjti proçes ndodh jo vetëm në qeniet e gjalla, por në të gjitha llojet e materies. Vetëlëvizja e Tokës shprehet jo vetëm me rrotullimin rreth vetes dhe rreth Diellit, por dhe me ndryshimin e përtëritjen e sipërfaqjes si rrjedhojë i veprimit të energjisë së brendshme të vetë tokës.
Toka fillimisht ka qenë një e terë e pandarë. Në saj të veprimit të energjisë së brendshme pas biliona-triliona vjetësh u copëtua në pllaka (sipas teorisë së tektonikës së pllakave) që shprehin konkretisht kontinentet e ndarë (Euro-Azia, Amerika, etj.), në përputhje me pllakat tektonike. Veprimi i energjisë së brendshme ka qenë, është dhe do të jetë vazhdimisht në luftë me forcat e jashtme të Universit (Dielli, planetet e sistemit tonë, yjet e Gjithësisë, etj.). Në saj të veprimit të Universit mbi tokën, energjia e brendshme e saj zvogëlohet ose dobësohet. Kjo shprehet me faktin se kohë më parë, kjo energji ishte aq shumë e fortë saqë arriti ta copëtojë Tokën në pllaka. Sot veprimi i energjisë së brendshme shprehet më rrallë dhe në pjesë të veçanta të rruzullit tokësor. Kjo vërtetohet nga shpërthimet e vullkanëve dhe veprimet e tërmetëve herë në një pjesë të një kontinenti dhe herë në një kontinent tjetër. Toka jonë sot ndodhet në fillimin e fazës së pleqërisë dhe do të vijë një kohë që ajo do të shkatërrohet ose transformohet d.m.th. do kalojë në një fazë tjetër të ekzistencës së materies si të gjithe yjet e Universit. Kjo do të ndodh kur forcat e jashtme të Universit do të mundin ta shuajnë energjia e brendshme e tokës, sepse me zhdukjen e kësaj energjie, ato e kanë të lehtë ta shkatërrojne planetin tonë, si rrjedhojë i eksplozionit. Proçesi kryhet njëlloj si tek qeniet e gjalla, vetëm se ndryshon kohë zgjatja. Sigurisht ky proçes tek planeti yne kërkon biliona vjet, ndërsa tek njeriu ai zgjat rrethe 100 vjet.
Pra çdo pjese e materies të çfarëdo madhësie apo dimensioni që ekziston në Univers i nënshtrohet të njejtit ligj të natyrës. Asnjë materie nuk ekziston dhe nuk mund të ekzistojë e vetme. Ato kundërveprojnë mbi njëra-tjetrën, d.m.th. ekziston dhe vepron ligji: Veprim – kundërveprim. Konkretisht njeriu vepron mbi natyrën, por dhe natyra i kundërvihet atij sipas kushteve duke ju përgjigjur më dobët ose me të njejtën forcë, por jo rrallë dhe me forca të jashtëzakonshme për ta shkatërruar dhe transformuar qenien e gjallë në një formë tjetër të materies. Forcat shkatërruese të natyrës kanë mposhtur ose mundur dhe do ta mundin në të ardhmen energjinë e brendshme të një njeriu, por kurrë nuk do të arrjnë të mundin energjinë e brendshme të gjithë njerëzimit, sepse një njeri vdes por qindra dhe mijëra njerëz lindin.
Energjia e brendshme e gjithë njerëzimit sa vjen e shtohet dhe forcohet si rrjedhojë i shtimit në menyrë të vazhdueshme të njerëzve.
Forcat e natyrës kanë mposhtur dhe do të mposhtin në të ardhmen një planet ose yll të vetëm duke e shkatërruar dhe transformuar në një formë tjetër të materies, por kurrë nuk do të arrijnë të shkatërrojnë yjet e Gjithësisë sepse një planet ose yll shkatërrohet qindra të tjerë formohen. Materia në të gjitha format e saj ndodhet në ekuilibër. Kur mbi të godisin ose veprojnë forcat e jashtme, ajo për një çast e humbet ekuilibrin, por në saj të energjisë së brendshme, brenda kohës së nevojshme dhe në varësi të madhësisë së forcës goditëse e rivendos atë. Njeriu nga çasti i lindjes e deri sa kalon në një formë tjetër të materies, në përgjithësi në saj të energjisë së tij të brendshme vazhdimisht ndodhet në ekuilibër. Kur energjia brenda trupit dobësohet për shkak të mungesës së ushqimit, ose kur atë e godasin forcat e jashtme, ai e humbet ekuilibrin dhe ndodhin ngjarje jo të pëlqyshme, p.sh. njeriu bie në tokë dhe mund të demtohet. Me anë të ndihmave mjeksore dhe veçanërisht të ushqimit që kërkon organizmi, rivendoset ekuilibri dhe kthimi në jetën normale.
Edhe Toka ose planeti ynë, i ndodhur nën goditjet dhe veprimet e forcave të jashtëme të natyrës, mund ta humbasi për një çast ekuilibrin, por në saj të energjisë së brendshme në përputhje me kohën e nevojshme e rivendos përsëri atë. I njëjti proçes zhvillohet për të gjithë yjet, etj., por Universi gjithmonë është dhe do të jetë në ekuilibër vazhdimisht. Ai e ruan ekuilibrin në saj të energjisë së brendshme brenda vetvetes.
Brenda çdo materie, në cilëndo formë që ajo të shprehet ekziston e mira dhe e keqja.
Vetëlëvizja e materies në saj të energjisë së brendshme në përgjithësi ka shprehur, po shpreh dhe do të shprehi gjithmonë zhvillimin e jetës njerëzore, lulëzimin e saj, ndërsa lëvizja si rrjedhojë i veprimit të forcave të jashtme ka sjellë, po sjell dhe do të sjelli shkatërrim dhe fatkeqësi të njerëzimit. Në këto përplasje fitues ka dalë, po del dhe do të dali vetëlëvizja e materies. Kjo luftë apo përplasje shprehet jo vetëm në qeniet e gjalla të veçanta në përgjithësi (njerëzit, kafshët, zogjtë, gjarpërinjtë, etj.), por dhe tek një familje, fis, shtet, etj). Të gjithë pjesëtarët e një familje vetveprojnë për të krijuar kushte jetese sa më të mira në familjen e tyre. Ata përplasen me njerëzit jashtë familjes që i kundërvihen atyre. Kjo përplasje zakonisht përfundon në paqe, por ka raste që sjell ofendime ose shkakton dhe vrasje.
Në të njetin përfundim; ndoshta dhe më keq të çon vetëlëvizja brenda një fisi dhe brenda një shteti. Shteti përpilon ligjet e tij, bazuar në vetëlëvizjen e njerëzve për një jetë më të mirë dhe më të begatshme. Të gjitha anët negative të vetëlëvizjes lidhen me egoizmin personal të një njeriu, të drejtuesit të familjes ose dhe të drejtuesve politikanë të një shteti. Këto ligje që vendosen në saj të vetëlëvizjes brënda një shteti, shërbejnë për të krijuar kushte të mirëqenies brënda shtetit dhe për tu mbrojtur nga sulmet shkatërruese të ndonjë shteti tjetër. Por nuk ka pak raste kur drejtimin e shtetit me anë të mashtrimeve dhe dogmave ideologjike e marrin njerëz egoistë, të cilët kërkojnë të dominojnë mbi shtetet e tjerë ose të zaptojnë edhe të gjithë botën. Vetëlëvizja ose vetëveprimi në këto raste luan rol negativ në shoqërinë njerëzore. Në vendet e zhvilluara, por dhe në ato me demokraci në zhvillim ku zbatohet liria e mendimit dhe të drejtat e njeriut në përputhje me kartën e Kombeve të Bashkuara, një pjesë e të rinjve shfrytëzojnë këto liri dhe shkelin ligjët e shoqërisë njerëzore. Ata duke u turrur pas pijeve alkolike, duhanit, drogës, lojrave të kumarit me para, nuk kanë mundësi të shohin jetën e vërtetë njerëzore dhe bëhen pre e njerëzve të ligj, egoistë që kërkojnë ta shthurrin botën. Kjo ndodh, sepse truri i tyre mpihet nga veprimi i forcave të jashtme (pijet alkolike jasht masë, droga, etj) dhe si rrjedhojë e dobësojnë veprimin e energjisë së brendshme të tyre, megjithëse tek ata kjo energji është në kulmin e zhvillimit të saj.
Këta të rinj nën ndikimin e goditjeve të jashtme e humbin kontrollin e vetes, sepse truri i tyre nuk është në gjendje ti drejtojë. Ata zvarriten drejt shthurrjeve njerëzore. Truri i tyre nuk e dallon të mirën nga e keqja. Ata shkojnë nga frynë era dhe do mbesin pa punë, do lypin, do flenë nëpër stacionet e trenit ose kembëzat e urave. Duke mos gjykuar me ndërgjegje nuk e kanë problem të ofendojnë, ose në disa raste të vrasin dhe njerëz duke përfunduar në burg. Vajzat që largohen nga familja duke përdorur shprehjen “Do të bej jetën time”,shkojnë pas të dashurve, i nënshtrohen pijeve alkolike, drogës, duhanit, etj., braktisin punën për të plotësuar dëshirat e tyre, mbesin pa para. Pra vetëlëvizja dhe vetëveprimi “i lirë”, i pa kontrolluar dhe pa u drejtuar nga truri e shkatërron njeriun e të gjitha moshave. I drejtohemi kryesisht të rinjve se ata janë e ardhmja e shoqërisë njerëzore, sepse janë më të prirur për të kaluar më shpejt në të ashtuquajturën jetë të shthurrur e me pasoja për të ardhmen e tyre personale dhe të shoqërisë njerëzore në terësi. Truri i tyre i mpirë nga pijet marramendëse nuk punon normalisht, për ti treguar të mirat dhe të këqijat e “jetës së re” që ata kanë përqafuar pa vetëdije, por të tërhequr nga e ashtuquajtura “bukuri” transformuese e çastit.
Si rezultat i punës së vazhdueshme të prindërve, njerëzve të afërm, shoqërisë, etj. duke punuar me ndërgjegjen e tyre, së bashku me energjinë e brendshme, e cila është në përplasje të vazhdushme me forcat e jashtme negative, mund të arrihet që një pjesë e këtyre të rinjve të rikthehen në jetën e zakonshme njerëzore. Nëse të rinjtë, por dhe të gjithë njerëzit do të zbatojnë thenien e popullit “Gjëlla me kripë dhe kripa me karar”, njerëzimi do të kalojë një jetë jo vetëm normale, por dhe të bukur. Sot shteti, gazetat, televizioni, etj., duke parë situatën e rendë që është krijuar dhe vazhdon të zhvillohet kryesisht tek të rinjtë, po përdor të gjitha format e mundshme për të forcuar njësinë bazë të jetës njerëzore, familjen. E gjithë shoqëria njerëzore është e shqetësuar për këto probleme. Si rrjedhojë ajo duhet të përpiqet të gjejë kyçin për ti kuruar dhe me synim për ti shëruar këto sëmundje ngjitëse dhe të rrezikshme për jetën që dhurohet vetëm njëherë.
Shumë njerëz, kryesisht të rinj të infektuar nga sëmundje të tilla, kur e pësojnë dhe ndodhen në gjendje shumë të rendë, kujtohen se ekziston një fuqi që mund ti shpëtojë dhe i drejtohen asaj duke u shprehur “O i madhi Zot! Na fal se kemi gabuar. Ju lutemi na ndihmoni!”
Kuptimi i jetës nuk është dhe kaq i thjeshtë siç paraqitet në këtë shkrim. Por, le të jetë ky qoftë dhe një shkëndi për të rizgjuar trurin e atyre të rinjve që kanë shkarë nga rruga e jetës normale të njerëzimit dhe një paralajmërim për të gjithë të tjerët. A do të shuhet energjia e brendshme e njerëzimit dhe e të gjithë qenieve të gjalla?! Para së gjithash duhet të shprehemi qartë me bindje dhe me fakte se materia në përgjithësi dhe qeniet e gjalla në veçanti, si dhe energjia e brendshme janë binjakë. Ata kanë ekzistuar, kanë lindur ose janë formuar bashkë. Energjia e brendshme do të ndalojë vetëveprimin e saj tek një njeri i vetëm kur ai të transformohet dhe të kalojë nga materie e gjallë dhe vetëlëvizës në një formë tjetër të saj, duke ju nënshtruar lëvizjes si rrjedhojë i veprimit të forcave të jashtme të natyrës. Përvoja e jetës deri tanishme ka treguar se koha e veprimit të vetëlëvizjes tek një njeri i vetëm vërtitet rreth 100 vjet. Pikërisht kur energjia e brendshme është mundur nga veprimi i forcave të jashtme të natyrës.
Tek të gjitha qeniet e gjalla, energjia e brendshme do të pushojë së vepruari kur ato detyrohen nga forcat e jashtme të natyrës të ndalojnë vetëlëvizjen dhe të transformohen duke kaluar në një formë tjetër të materies. Duhet të pranojmë të bindur duke u bazuar në faktet ekzistuese të deri tanishme të jetës njerëzore se energjia e brendshme ndalon vetëlëvizjen e një njeriu në nje kohë të caktuar. Për gjithë njerëzimin; kjo energji është dhe do të mbetet e pashtershme, sepse ai vazhdimisht shtohet dhe do të mbetet i përjetshëm. Por duhe theksuar se këta njerëz “të mençur” nuk ekzistojnë tek qeniet e tjera të gjalla (kafshët, zogjtë, gjarpërinjtë, etj.). Kështu që bota e gjallë do të vazhdojë qoftë dhe pa njerëzimin, si rrjedhojë i dëfrimit çmenduror të disa kokrrave me tru të kalbur.
Deri tani është shkruar dhe analizuar shkurt bota tonë e madhe, ku jetojnë qeniet e gjalla, materia e ngurtë si Toka ose planeti ynë dhe yjet në Univers. Të gjitha këto ne i shohim, i prekim dhe i ndjejmë në saj të energjisë së brendshme, të vetëlëvizjes dhe gjithçka na duket e natyrshme. Por duhet mos të harrojmë se ekziston dhe një botë tjetër jo më pak e vogël se e jona. Kjo është bota e madhe, për mos të thenë shumë e madhe e “mikroorganizmave”. Këtë botë ne nuk e prekim, nuk e ndjejmë, madje as e shohim direkt, përveç se me anë të mikroskopit. Mikroorganizmat vetlëvizin brenda dhe jashtë çdo materie: qenieve të gjalla, materies së ngurtë, të lengët, etj.. Për proçeset që kryejnë mikroorganizmat, mendime më konkrete duhet të japin specialistet mikrobiologë. Deri tani është arritur në konkluzion se dhe qeniet e kësaj bote vetëlëvizin dhe vetëveprojnë si bota njerëzore, e kafshëve, zogjve, etj. Veprimet e tyre ndodhin si brenda çdo materie dhe jashtë saj.
Transportimi ose lëvizja e mikroorganizmave nga një materie tek tjetra kryhet nga forcat e jashtme si: ajri, rrymat ujore, nga lëvizja e trupave të materieve ose nga goditja e tyre njeri me tjetrin dhe formave të tjera. Edhe bota e mikroorganizmave kryen vetëlëvizje ose veprime të dobishme dhe të demshme në kontakt me çdo materie tjetër (tek njerëzit, kafshët, zogjtë, etj.). Po të mos ekzistonte dhe mos ekzistojë proçesi i vetëlëvizjes dhe vetëveprimit të të gjitha llojeve të materies në gjithësinë e pafund, Universi do të paraqitej si një lëmsh i terë, i ngrirë dhe i palëvizëshëm. Eshtë aftësia dhe madhështia e trurit që studjon, analizon, zbërthen dhe paraqet qartë dhe bukur të gjitha proçeset që ndodhin në Gjithësinë apo Universin, sigurisht sipas shkallës së njohjes së deritanishme. Truri i njeriut është një substancë enigmatike e qënies së gjallë dhe të bukur, e pazbërthyeshme, por e dobishme për botën që ai ose njeriu percepton. Truri i njeriut studjon analizon dhe paraqet me nuanca tërheqëse të gjitha llojet e materies që sipas këtij truri ekzistojnë lëvizin dhe transformohen në Univers. Pra është truri i njeriut që jep perceptimin mbi ekzistencën e materies në Univers?!











