Nga Arian Leka
Me librin e tij të parë me poezi Ilir Hysi përfshihet në mesin e autorëve shqiptarë që vazhdojnë të punojnë me sonetin, njërën prej formave të hershme të vjershërimit shqip dhe, prej këtej, “Sonete Drite” i bashkëngjitet atyre krijimeve që, prej më se dy shekujsh i dhuruan shqipes poetike atë formë letrare të vështirë dhe autentike, që për disa mbeti “sonet” e për të tjerë “tingëllimë”.
Kjo trajtë e strukturuar poetike sprovoi pena të shquara shqiptare, duke pasuruar ndër vite standardin klasik, por duke krijuar edhe larmi variantesh prozodike, siç paraqitet edhe libri i Ilir Hysit. Soneti, si formë kokëfortë e poezisë, ka vendosur kushtet e veta ndaj mëtonjësve të hershëm e rishtarë, duke kërkuar njohje e nderim të rregullave të vjershërimit, ruajtjen e saktësisë së vargjeve e skemave strofike me dy katërshe e dy tercina, kujdesin ndaj metrikës së ngulmët e të organizuar me rima, ritme e rrokje e, mbi të gjitha, njohjen e thellë e të gjerë të gjuhës amtare.
Ndaj dhe leximi i vëllimit “Sonete Drite” grish njohjen e arsyes se përse Ilir Hysi e nis krijimtarinë e vet letrare me një formë kaq të veçantë e të vështirë si soneti, ku jo të gjithë lëvruesit kanë mundur të shkëlqejnë. Duke tejkaluar kureshtjen e zakonshme, së cilës autori i përgjigjet se “megjithëqë është e vështirë t’i gjegjesh në mënyrë të kthjellët dhe të ndërgjegjshme kësaj pyetje, dy janë elementet që mund të ndihmojnë në kuptimin e mëtjeshëm. Kjo pasi poezia dhe letërsia në përgjithësi, më kanë shoqëruar dhe vazhdojnë të më shoqërojnë në jetën time të përditshme dhe jashtëprofesionale. Leximi letrar dhe shkrimi tanimë janë, në një farë mënyre, “a room of one’s own”, vendosur diku jashtë mjedisit tim prozaik dhe tokësor.”
Prej zanafillës me sonetin e Nikollë Ketës, titulluar “Për vetëhenë”, për më shumë se sa dy shekuj e gjysëm, poezia shqiptare e shkruar në këtë formë e ka krijuar tashmë traditën e saj shkrimore, për të vijuar me emra të shquar të autorëve arbëreshë e, më pas, edhe me poetë të tjerë, që e përpunuar sonetin si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, duke mbetur e hapur edhe për emra të rinj.
Por pavarësisht traditës së konsoliduar, për Ilir Hysin, siç rrëfen ai, njohja me formën e sonetit ka qenë disi e vonë, jo e menjëhershme dhe përmes rrugës tërthore. Njohja, sipas tij, nuk ka ardhur përmes asaj rruge që do të kishte qenë lehtësisht e marrë me mend, si ushtrimi i zellit përmes leximit të sonetistëve shqiptarë. E përkundërta dhe më e pazakonta ka ndodhur. Jo gjuha amtare, por leximet në gjuhë të huaj ishin ato që krijuan tek ai rrethanën për kthimin e vëmendjes drejt sonetit. Ky akt, ardhja përmes “gjuhës së Tjetrit”, model i njohur që në krye të herës për shkrimin shqip, kreu, me sa duket, edhe për Ilir Hysin ritualin e negocimit “të parë dhe e vërtetë me poezinë”.
Përkthimi me mend i soneteve prej frëngjishtes, gjuhë e pasur për historikun e sonetit, me kulme estetike të A. Rimbaud-së, Th. Gautier-së, P.Valery-së apo Ch.Baudelaire-it, u shndërrua në shenjë nxitëse drejt shkrimit të sonetit, që kishte filluar me “leximin në frengjisht, diku rreth moshës 17-vjeçare, të vëllimit “Lulet e së Keqes” të Baudelaire. Këto poezi, ku forma kryesore ishte soneti, më mbrujtën dhe më gatuan, duke më lënë gjurmë të pashlyeshme dhe një dashuri disi anakronike për sonetin. Por më është dukur gjithmonë fare e natyrshme dhe e qelibartë që poezitë e mia, të cilat fillova t’i shkruaj gjatë gjimnazit, të ishin po ashtu një vazhdimësi e sonetit”, shprehet Ilir Hysi pas botimit të librit të tij.
Është për t’u shënuar se, në historishkrimin e sonetit shqiptar emri i Baudelaire-it nuk ka shërbyer si udhërrëfyes vetëm për këtë autor, pasi më herët, emrin e tij (në formën e shqiptuar Bodler), e shkruan edhe Mark Ndoja, një sonetist i “qarkut kulturor shkodran” i cili, në sonetin e tij me titull “Jehe të mekuna”, krahas sonetistëve madhorë si Dantja, Petrarka dhe Shekspirit, vendos mes mjeshtrave edhe Bodlerin, të cilit i kushton vargun “…porsi Homeri / Hark e kukur me helme pezmatore / Mbi botën të vërtitte ty Bodleri”.
Sidoqoftë, duke anashkaluar emra të shumtë, mes tyre disa mjeshtër të thurjes së sonetit, nga më të hershmit, si Leonardo de Martino, Ndue Bytyçi dhe Pjetër Zarishi, mbi thelemet e të cilëve arritën kulme poetike Zef Serembe, Ndre Mjeda, Asdreni, Arshi Pipa dhe Enver Gjerqeku, autori i librit “Sonete Drite” veçon një tjetër emër ndikues për të. Ishte ky emër që e nxiti t’i botojë sonetet, duke shtuar se “përgjatë viteve kam arritur të mbledh një sërë vargjesh dhe, më në fund, vendosa të krijoj një përmbledhje të parë me poezi. Ky vendim erdhi vetvetiu tek unë pas leximit të librit “Sonete” të Eqerem Çabej. Ky libërth pati rolin e përshpejtuesit në vendimmarrjen time”, shënon ai për vëllimin “Sonete Drite”.
Një veçori e këtij libri ështe struktura apo më mirë arkitektura e brendshme. Libri ofron një lexim spiral, në formë rrathësh të brendashkruar, që të çojnë drejt njëri-tjetrit, gjë që, veç të tjerash, i vendos në marrëdhënie të dy librat e Ilir Hysit. Sigurisht që kompozimi i veprave letrare nën përfytyrimin e rrathëve nuk është risi, nëse kujtojmë kompozicionin madhështor të Dantes lidhur me nëntë rrathën e udhëtimit përmes Ferrit. Falë kësaj skeme të suksesshme e të konsoliduar “Sonete Drite” siguron, nga njëra anë, lexim të strukturuar, duke e ofruar librin jo thjesht si përmbledhje sonetesh, por si një varg konceptesh të shprehura në formë soneti, për t’i krijuar, qoftë edhe në mënyrë intuitive, përmes librit të parë, lidhje e mbështetje librit të tij të dytë, si një komunikim i padukshëm mes poezisë dhe romanit “Rrathët e shtegtarëve të heshtur”.
Nuk bëhet fjalë thjesht për strukturën metrike apo për faktin formal se edhe romani “Rrathët e shtegtarëve të heshtur” ka në brendi disa poezi, sikurse ka dhe akte të shkrimit dramaturgjik. Përmes strukturave të formave dhe të mendimit autori paraqet strukturimin e botës së tij të përjetimeve dhe shkallën e përfytyrimit, për të hyrë dhe dalë nëpër labirintet e rrathëve, që thurin e ndërpresin komunikimin brenda një forme të mirëstrukturuar si krijim tërësor që, pavarësisht kohës së shkrimit, vjen i njësuar në pesë rrathë.
Lidhur me faktet e kohëshkrimit dhe organizimit strukturor, autori pohon se “në vëllimin Sonete Drite ndarjet dhe nyjet i përkasin një ecurie kohore të shpjegueshme fare lehtë. Libri është ndërtuar në formë rrathësh kronologjikë. Rrethi i parë përfshin poezitë e shkruara gjatë periudhës së maturës 1999-2000, në Tiranë. Rrethi i dytë dhe i tretë shtrihen përgjatë viteve 2000-2007, të cilat përkojnë me studimet e mia të larta në Paris. Rrethi i katërt shënon rikthimin tim tek soneti përgjatë dy viteve të fundit. Më tej, rrethi i pestë i largohet strukturës së sonetit për të mbyllur dhe rimbyllur këtë cikël kohor.”
Struktura e cikleve kronologjike të organizuar si një njësi unime, që nxin leximin e librit si një tërësi sonetesh të lidhur mes tyre, çon në kujtesë paraardhës të mundshëm e të hamendësuar letrarë, që kanë qenë “të pranishem në mungesë” e që shkëlqejnë edhe pa përmendje e prani. Të tillë janë Ndaj Mjeda, mjeshtri që e përsosi sonetin shqiptar e që shkroi jo thjesht sonete, por poema sonetore, të tilla “Lirija”, “Lissus”, “Scodra” etj, Asdreni, që i emërtoi “tingëllima” sonetet e tij komplekse, sidomos ato të vëllimit “Ëndrra e lot” dhe ciklet sonetore te “Psallme murgu” apo “Kambana e Krujës”, Arshi Pipa, me ciklin e tij prej njëzet e katër sonetesh, me titullin e përbashkët “Kanali” apo krijimtaria e kurorave sonetore të Enver Gjerqekut, sonetistit të rrallë nga Kosova etj., të cilët, bashkë me Lasgush Poradecin, Ernest Koliqi etj bënë të mundur që gjuha shqipe, në krijimtari origjinale a në përkthim, të sprovohej me sonetin, duke lënë një pasuri të madhe strukturash, rimash dhe metrash poetikë.
Sipas këndështrimit të autorit, krijimtaria e “Sonete Drite” mbart “poezi pa moshë dhe jashtëkohore”, për shkak se pjesa më e qenësishme e këtyre soneteve paraqesin prirje dhe ngulmim të përkushtuar ndaj “parime ideale”, paraqitur me fjalë shqipe të qëmtuara me kujdes në fjalorin e përditshmërisë dhe në fjalësin-fond, duke trajtuar tema e koncepte të tillë dualë si Jeta dhe Vdekja, Fillimi dhe Fundi, Perëndia dhe Njeriu, Natyra per se dhe Natyra njerëzore, Drita dhe Errësira, Shpresa, e Mira dhe e Keqja etj.
Por, sado që autori dëshiron t’i vështrojë poezitë e tij si “pa moshë dhe jashtëkohore”, ato edhe si të tilla përkatësohen diku, duke u bërë pjesë e tipologjive dhe klasifikimeve. Duke u ndalur vetëm mbi një aspekt, për t’ia lënë këqyrjeve të tjera vëzhgimet më të hollësishme, vihet re se, për nga tematika libri “Sonete Drite” vendos lidhje telepatike dhe empatike me paraardhës letrarë, të tillë si një pjesë e krijimtarisë së Mjedës, me poemën sonetore “Scodra” veçanërisht, me krijimtarinë e Asdrenit, sidomos me librin “Psallme murgu”, ku temat e kulturës, mitit dhe të mitologjisë antike janë të pranishme apo me poemën sonetore “Mbreti Pleurat” të Arshi Pipës, ku temat dhe termat kulturës antike zënë vend qendror.
Përtej tematikës së koncepteve ideale, herë prej estetikës dhe herë prej etikës, në librin “Sonete Drite” gjenden edhe krijime të natyrës përkushtimore, sikurse disa të tjerë i referohen natyrës si personifikim apo ndjenjave humane dhe gjendjeve të ndryshme psikoemocionale. Përsa i përket llojit të vargjeve, veç formave standarde, herë pas here autori ka parapëlqyer të ekperimentojë, duke e sprovuar veten në lloje të ndryshëm vargëzimesh, që nga vargu metrik i rimuar në përputhje me njërin prej modeleve sonetore e deri rimodelimi i formës, prej së cilës ruhen vetëm trajtat kanoike, por jo edhe metrin strikt e rimat e deri futja e përvojave shkrimore me vargjet e lirë.
Në këtë pikë, kujtesa vjen në ndihmë duke ofruar modele e sprova letrare fqinjësuese e të mëhershme, të tilla si “Sonet pranveruar” i Migjenit, ku një trajtë e hapur soneti gjendet brenda “vargjeve të lira”. Ndërkohë, në librin “Sonete drite”, janë vargjet e lira apo që ndërkallen brenda pjesës fundore të një libri sonetesh të përvojave të ndryshme, sa të kodifikuara aq dhe vetjake në forma e mjete shprehjeje poetike, hulumtimi imtësor i të cilave do të kërkonte një kohë të dytë shqyrtimi. Kjo do të bënte të mundur qëmtimin e stukturat metrike të librit “Sonete Drite”, gjuhën dhe kodin estetik, çështjet e risive, origjinalitetit apo stereotipeve, evokimet dhe ndikimet sipas motiveve, praninë e historisë, gjeorgrafisë reale, kulturore dhe imagjinare, motivet kryesore dhe çështjen e unit meditativ a polemik apo trajtesa të tjera si gjatësia metrike e vargut, struktura strofike, pozicioni dhe skema e rimave (e kryqëzuar, e alternuar), çështje të pranisë së rimës tautologjike, rregullsia dhe llojet e rimave (emërore, foljore, mbiemërore etj., strofike apo monokolonë etj., gjinia e rimave etj.), edhe çështje të risisë, si pasurim të fondit të rimave apo përdorim të repertorit ekzistues.
II
Ishte ndërtimi strukturor në formë rrathësh ai që nxit mendimin se mes formës së librit “Sonete Drite” dhe romanit “Rrathët e shtegtarëve të heshtur” me autor Ilir Hysin mund të vërehen zona përbashkuese. Pikasja e këtij tipari nuk i vendos këta libra në gjendje vartësie, si të ishin gjymtyrë plotësuese, por i fut ata në marrëdhënie, për të lehtësuar kalimin nga libri në libër, si pjesë e koncepteve të afërta, shprehur me gjuhë e mjete të ndryshme stilistikore. Po cila mund të ishte diçkaja lidhëse më shumë se sa udhëtimi për diku dhe se rrathët?
Rrathët si prani e kudondodhur, në brendi të soneteve e në titull e shtjellim të romanit, duket se respektojnë vetvetishëm skemën danteske me një Udhëtar, një Udhërrëfyes dhe një Grua, që shfaqet që në fillim të rrëfimit, si për ta mbrojtur Udhëtarin nga të papriturat e shumta të Udhëtimit të çuditshëm nëpër kohë dhe hapësira. Por po aq e dallueshme se skema dantekse është edhe lidhja gjenetike e romanit “Rrathët e shtegtarëve të heshtur” me krijimtarinë e Nikollaj V. Gogolit.
Por autori ofron edhe një tjetër dëshmi plotësuese, kur shënon se ky roman, “shkruar mes viteve 2004 dhe 2021, përgjatë një hulumtimi të brendshëm të vazhdueshëm, mori shkas pas leximit të romanit “Mjeshtri dhe Margarita” të autorit rus Mihail Bulgakov. Mendimi fillestar ishte që të vazhdoja udhëtimin e disa prej personazheve të romanit, të cilët nuk kanë moshë dhe janë të mbarëbotshëm, pra të vazhdoja këtë udhëtim në kohën tonë dhe të vendosur “Në një cep të Ilirisë së poshtme”, siç titullohet vepra e Kutelit, përkthyesit në shqip të Gogolit.
Nga ana tjetër, pjesë e dallueshme e kësaj ngjizjeje, duket se bëhet edhe emri i Akakij Akakijeviçit, si personazh i Mantelit të Gogolit, që arrin të shndërrojë të tjerët dhe të vetëshndërrohet në personazh qendror të prozës së Ilir Hysit. Nëse marrëdhënia do të mbetej me kaq do gjendeshim thjesht në kushtet e huazimit të emrit dhe ndonjë veprimi të personzhit, gjë që nuk është e pazakontë për letërisnë. Emri i marrë hua do të luante rolin e thjeshtëzuar të një çelësi për dyer e shumta që hapen e mbyllen gjatë lexmit. Por gjendet edhe një tjetër nyje lidhëse, jo fort e theksuar nga autori, që të çon po te Gogoli, veçse jo i Mantelit, por i Shpirtrave të Vdekur. Shkak për këtë nuk janë më emrat e personazheve, por zhanri jo lehtësisht i përcaktueshëm i veprës, që është cilësuar nga autori si “roman”, për t’u lexuar si “poemë epike në prozë”, siç sugjeron të lexohen “Rrathët e shtegtarëve të heshtur”. Brenda këtij libri gjenden vatra të arrira stilistikore, gjuhë e përfytyrime poetike, kërkesë për përfytyrim metaforik të skenave, tekste poezish, fragmente dramash, citime nga Dante e Migjeni e deri copëza përrallash, mitesh e legjendash sikurse edhe kronikash. Të gjitha janë futur brenda mantelit të një gjuhe të punuar me kujdes, pjesë e së cilës është shqipja letrare, zhargoni, lokalizmat, arkaizmat, gojëfoljet dhe përpjekje për gjuhë të personalizuar të karaktereve.
E mbinatyrshmja, si shenjë dalluese te Gogoli, që ndodh haptazi në mjedise publike (zyra, trena, hotele, dyqane, burgje, rrugë, sheshe), vlen edhe për “Rrathët e shtegtarëve të heshtur”, ku udhëtimi i brendshëm, si itinerar, zë po aq vend sa edhe udhëtimi publik, i mbushur me të papritura, zbulime dhe kriza identiteti. Dalja prej këtyre vjen prej shtresëzimit të elementit autobiografik, përmes të cilave autori ofron përvojat e veta, që “ndërthuren në biseda të koklavitura me përballjen, pasqyrimin ose idenë e vetvetes në një atmosferë të mbyllur dhe shpeshherë mbytëse”. Janë zona ëë veçanta e të nënvizuara në roman, saje të cilave autori bën me dije se të ashtuquajturat “zona të përbuzura shoqërore” nuk e meritojnë përbuzjen e letërsisë dhe nuk kanë qenë të tilla që prej modeleve të Dante-s, Bocaccio-s, Baudelaire-s apo Gogolit.
Shqyrtimi i banalitetit të së keqes së përditshërisë, të krimit, shpërdorimit dhe kotësisë, ka kërkuar që monologu me dialogun të ndërthuren stilistikisht, sikurse dhe dallimi mes groeskut dhe dramatikes të bëhet i padukshëm. Kjo teknikë autoriale spikat sidomos kur nën vëzhgim është pjesa e njerëzve të vegjël me pushtet të madh, vargani i nëpunësisë shtetërore, mbërthyer në vargonj të pafundmë vartësish të shumëfishta e absurde, strukur në mjedise të tejmbushura me “fajtorë të pafajshëm”, që janë lëndë e romanit “Rrathët e shtegtarëve të heshtur”.
Një panoramë e tiellë jep premisa që romani të lexohet dhe si një narrativë e drejtpërdrejtë natyraliste, por edhe si gjuhë me funksion alegorik, duke marrë në konsideratë mendimin e autorit se “trajtat filozofike dhe shoqërore qëndrojnë si bosht kryesor i këtij romani dhe se temat e ndryshme dhe cakitjet e bëra shërbejnë si ura lidhëse midis atij dhe vlerave të shoqërisë. Por a do ta mbajnë peshën e leximit harqet e këtyre urave?”
Po aq sa çështje e mbajtjes së peshave prej harqeve dhe këmbëve të urave lidhëse, tema shndërrohet në çështje të gjetjes së fillit të këputur të njerëzores, humbur nëpër lakadredhat e rrathëve të labirintit, ku realiteti është aq fantastik sa e përligj shtangjen përballë formave të pafundme, të rregullta e të deformuara, që merr shpirti i njerëzor në lojën për njohjen e misterit të tij, siç dëshmohet nga librat “Sonete Drite” dhe “Rrathët e shtegtarëve të heshtur”.