Kur qeveria e udhëhequr nga talibanët thotë se po e zbaton ligjin islamik në Afganistan, ajo i referohet interpretimit të saj strikt të Ligjit sunit të Sheriatit.
Nuk ka një ligj universal islamik, pasi Sheriati është i hapur ndaj interpretimeve të ndryshme në mesin e pesë shkollave kryesore juridike islamike – katër shkolla të mendimit sunit dhe një shkollë shiite.
Prandaj, versioni i qeverisë së udhëhequr nga talibanët për ligjin islamik dallon nga Sheriati në shtetet me shumicë myslimane, përfshirë këtu shtetet kryesisht sunite.
Në fakt, shumë studiues insistojnë se mediat perëndimore janë mendjengushta kur e definojnë Sheriatin si “ligj islamik”.
“Sheriati përfshin fusha të gjera të sjelljes personale, që përgjithësisht nuk mbulohen nga rregullat ligjore në shumë shoqëri”, tha profesori i shkencave politike në Universitetin George Washington, Nathan Brown.
“Një përkthim i paqartë, por më i saktë mund të jetë ‘mënyra islame e të bërit të gjërave”, shtoi ai.
Justifikimi i talibanëve për sistemin e tyre islamik të linjës së ashpër i ka rrënjët në Lëvizjen Deobandi të shekullit të 19-të në Indinë e kolonizuar nga britanikët – një linjë e njohur midis islamistëve në Pakistanin dhe Afganistanin e sotëm, që bazohet në shkollën sunite Hanefi.
Haroun Rahimi, në profesor i juridikut – që gjendet në mërgim – nga Universiteti amerikan i Afganistanit me seli në Kabul, thekson se Sheriati i talibanëve është i ndikuar nga traditat lokale në Afganistan dhe nga rajonet fisnore të Pakistanit.
“Talibanët shpesh kanë qenë të mirë në kuptimin dhe përpjekjen për t’u lidhur me dinamikat lokale fisnore sesa që të punojnë kundër tyre. Pra, zbatimi i ligjeve të tyre penale dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve private është një përzierje e shkollës Hanefi dhe kodeve fisnore, ose kuptimi i kulturës lokale”, tha Rahimi për Radion Evropa e Lirë.
“Ata ndjekim shkollën juridike Hanefi siç është përpunuar brenda kurrikulës së medreseve të Deobandit në Pakistan – ku shumë gjyqtarë talibanë trajnohen, për aq sa mund të trajnohen”, shpjegoi Rahimi. “Nganjëherë ata trajnohen shumë pak”, shtoi ai.
Në krahasim me sistemet e tjera të drejtësisë në shtetet me shumicë myslimane, Rahimi tha se gjykatat e talibanëve kanë treguar pak përmbajtje kur bëhet fjalë për dhënien e dënimeve me ekzekutime publike, amputimin e gjymtyrëve dhe rrahjeve me kamxhik.
Një shembull i tillë i traditës islamike është “kisas” apo “hakmarrja” — për “krimet e perceptuara kundër njerëzve”, tha ai.
Sipas “kisas”, një person i dënuar për vrasje ekzekutohet publikisht me kërkesën e familjarëve të viktimës. Familjarët e viktimës mund ta zgjidhin çështjen edhe përmes “parave të gjakut” – një shpërblim që duhet të paguhet nga vrasësi.
Sistemet ligjore të Arabisë Saudite, Iranit, Pakistanit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Kartarit, dhe disa pjesë të Nigerisë, që të gjitha ofrojnë mundësinë e “hakmarrjes” me shkallë të ndryshme të shfaqjes publike.
Por, ekzekutimet publike në këto raste kanë qenë më të zakonshme dhe më të shpeshta nën sundimin taliban, që daton nga mesi i viteve 1990.
Rahimi tha se “duke pasur parasysh leximin jo të sofistikuar dhe jokritik të literaturës islamike nga talibanët”, ai nuk pret që gjykatësit talibanë të “përfshijnë një kontekstualizim të sofistikuar” të vargjeve të Kuranit rreth “hakmarrjes”, siç bëjnë gjykatat në shumicën e vendeve të tjera myslimane.
Një tjetër shembull është ndëshkimi “hudud” që aplikohet ndaj personave që kanë kryer ato që cilësohen si “krime ndaj Zotit” – dhe ndëshkime të tilla përfshijnë rrahje me kamxhik për tradhti bashkëshortore dhe konsumim të alkoolit, apo amputim për vjedhje.
Këto ndëshkime përmenden edhe në vargjet e Kuranit.
Por, Rahimi tha se standardi i lartë i dëshmive që kërkohen në rastet “hudud”, do të thotë se gjykatat në shumicën e vendeve myslimane shumë rrallë vendosin që të japin ndëshkime të tilla.
“Gjykatat në ato shtete kanë përcaktuar se ndëshkimet ‘hudud’ duhet të shmangen nëse ekziston dyshimi apo paqartësia më e vogël në ndonjë rast”, tha ai.
Por, gjykatat talibane nuk lejojnë procese të rregullta, dhe në të kaluarën kanë urdhëruar “shumë ekzekutime publike, amputime dhe rrahje me kamxhik nëpër stadiume sportive”, tha Rahimi.
Pikëpamjet për pjesëmarrjen e grave në jetën publike gjithashtu dallojnë në mënyrë të konsiderueshme kur bëhet fjalë për interpretimin që i bëjnë talibanët Sheriatit dhe qëndrimeve kryesore që kanë shtetet e tjera myslimane për këtë çështje.
Gjatë sundimit të Afganistanit nga talibanët në periudhën 1996-2001, gratë u ndaluan që të shkolloheshin dhe atyre u kërkohej që të shoqëroheshin nga një i afërm mashkull nëse dilnin jashtë shtëpive të tyre.
Për dallim nga kjo, gratë së fundmi janë emëruar në krye të shtetit në Pakistan, Indonezi, Turqi, Bangladesh, Kirgizi, Kosovë, Tunizi, Tanzani dhe Mali.
Bager Moin, ish-udhëheqës i shërbimit persian të BBC-së dhe themelues i portalit Jadid Online, me seli në Londër, tha se trajtimi që talibanët ua bëjnë grave nuk është në të njëjtën linjë me trajtimin “që pranohet nga shumica e studiuesve myslimanë, lidhur me atë se çfarë është Ligji i Sheriatit”.
“Pretendimet e talibanëve se ata veprojnë sipas Ligjit të Sheriatit nuk do të thotë se ai është Ligji i Sheriatit”, tha Moin. “Ai është versioni fisnor i Ligjit të Sheriatit, dhe duhet të raportohet si i tillë”, shtoi ai.
Moin përfundoi se talibanët po dështojnë që të “praktikojnë traditat e Profetit Muhamed lidhur me edukimin e grave”, kur ky grup militant parandalon gratë që të shkojnë në shkollë.
“Përjashtimi i grave nga shkollimi nuk ka të bëjë asgjë me atë që ne e njohim si traditë islamike”, argumentoi Moin. “Pranohet nga të gjithë studiuesit myslimanë se Profeti ka thënë se ‘kërkimi i dijes është detyrë e të gjithë myslimanëve’, pavarësisht nëse ata janë burra apo gra”, tha ai.
Në Darul Uloom Deoband, shkollën islamike në veri të Indisë, që krijoi Lëvizjen Deobandi, drejtori 82-vjeçar, Maulana Syed Arshad Madani, tha se ai mbështet përpjekjet e talibanëve për të ndarë burrat dhe gratë, “në mënyrë që të shmanget tundimi”.
Por, Madani, i cili është i bindur që shkolla e tij aktualisht nuk ka lidhje me talibanët, së fundmi i tha Radios Evropa e Lirë se talibanët nuk duhet t’ua ndalojnë grave dhe vajzave që të arsimohen.
“Nëse (qeveria e udhëhequr nga talibanët) Qeveria afgane mund ta zbatojë (arsimin e ndarë), do të thoshte se dera për arsim për vajza është hapur”, tha Madani.
Përveç Afganistanit të sunduar nga talibanët, shtetet tjera kyçe që e bazojnë qeverisjen e tyre mbi ligjin islamik janë Arabia Saudite me shumicë suite dhe Irani me shumicë shiite.
Regjime të tilla, që bazohen në Sheriat, kanë rritur shqetësimet nga Gjykata evropiane për të Drejtat e Njeriut – veçanërisht për çështjet e të drejtës penale dhe procedurës penale, për rregullat e statusit juridik të grave dhe mënyrave sesi ndërhyjnë regjimet “në të gjitha sferat private dhe publike të jetës në përputhje me parimet fetare”.
Ekziston një marrëdhënie më komplekse ndërmjet ligjit islamik, ligjit zakonor fisnor dhe kodeve statutore ligjore në shtetet e tjera ku Islami është feja zyrtare e shtetit, siç është Pakistani dhe Egjipti, apo në shtetet sekulare me shumicë myslimane, siç është Turqia.
Burimet e ligjit islamik
Janë katër burime kryesore të Ligjit të Sheriatit.
Burimi kryesor i të gjitha shkollave juridike islamike është Kurani – libri i shenjtë, që të gjithë myslimanët besojnë se përmban fjalët e drejtpërdrejta të Zotit ndaj Profetit Muhamed.
Një burim tjetër kryesor “i zbuluar” i ligjit islamik njihet si Sunet – mësimet dhe praktikat e Profetit Muhamed, siç përshkruhen në Hadith.
Po ashtu ekzistojnë edhe “burime të pazbuluara” të ligjit islamik, që rrjedhin nga arsyetimi njerëzor.
Çdo shkollë e drejtësisë islamike ia atribuon nivele të ndryshme të rëndësisë së tyre.
Burimet e pazbuluara, njihen edhe si kijasi – një interpretim i pavarur i parimeve gjyqësore që bëhet nga juristët myslimanë.
Këto rrjedhin nga procesi i arsyetimit analogjik, i njohur si “ixhtihad”, që bazohet në një kuptim të kualifikuar të Kuranit dhe Hadithit.
Tjetër burim “i pazbuluar” i ligjit islamik është ithma – konsensusi në mesin e studiuesve islamikë ose i komunitetit myslimanë.
Shkollat e mendimit
Shkollat kryesore juridike islamike bazohen në “kuptime të ndryshme njerëzore” apo siç njihen edhe me termin “fëkëh” – që dolën nga Kurani dhe Hadithi shekuj pas vdekjes së Profetit Muhamed.
Asnjë shkollë juridike nuk është ekskluzive për asnjë rajon. Sidoqoftë, secila prej tyre është bërë më dominuese në pjesë të ndryshme të botës.
John Mohammad Butt, një studiues i Islamit dhe ish-gazetar i BBC-së, i cili është personi i vetëm i huaj që ka studiuar në Darul Uloom Deoband, tha se dallimet ndërmjet katër shkollave sunite “lidhen me aspekte ndihmëse të fesë dhe jo me aspektet themelore të praktikimit të besimit nga dikush”.
“Janë gjëra shumë të vogla, dhe ata gjithmonë thonë se katër shkollat e mendimit sunit janë njësojë të vlefshme dhe janë njësojë të mira”, tha Butt për Radion Evropa e Lirë. “Është thjesht dallim i interpretimit nga ana e imamëve dhe absolutisht nuk ka asnjë armiqësi në asnjërën prej shkollave të mendimit”, shtoi ai.
Shkolla Hanefi është dominuese në Azinë Jugore dhe Qendrore. Këtë shkollë e ndjekin pothuajse një e treta e botës myslimane, duke u bërë shkolla me më së shumti ithtarë.
Shkolla Hanefi pranon diskrecionin e juristëve, gjithashtu edhe traditat zakonore të komuniteteve, si një bazë të vlefshme të ligjit islamik.
Prandaj, interpretimi i Ligjit të Sheriatit nga talibanët – që janë të ndikuar nga zakonet lokale fisnore në Afganistan dhe Pakistan – është vetëm një variant i shkollës Hanefi.
Shkolla Maliki është dominuese në Afrikën e Veriore dhe Perëndimore.
Në kohët mesjetare, kjo shkollë ishte e pranishme edhe në pjesë të Evropës që ishin nën sundimin islamik – të tilla si ish-shtetet islamike në Spanjë dhe Portugali si dhe në Emiratin e Sicilisë.
Traditat e shkollës Maliki përfshijnë jo vetëm atë që thuhet në tekstin e Hadithit si një burim të vlefshëm, por edhe vendimet kryesore ligjore në historinë e hershme të Islamit.
Sikurse shkolla Hanefi, edhe Maliki pranon diskrecionin e juristëve dhe zakonet e komuniteteve si burim të ligjit islamik.
Për dallim nga shkollat e tjera, ndjekësit e shkollës Maliki gjithashtu e njohin si burim të vlefshëm të ligjit islamik edhe konsensusin e njerëzve të Medinës.
Shkolla Shafi’i është e përhapur në Afrikën Lindore dhe në Azinë Juglindore, si dhe në Çeçeni, Ingusheti dhe Kaukaz.
Shkolla Shafi’i nuk i konsideron vendimet gjyqësore të studiuesve juridikë si burim të pranueshëm të ligjit islamik, sepse sipas kësaj shkolle, ato përbëjnë “legjislacion njerëzor”.
Hanbali është shkolla më e vogël e katër shkollave sunite. Kjo shkollë tradicionale strike sunite gjendet kryesisht në Arabinë Saudite dhe Katar, ku konsiderohet shkollë zyrtare.
Ka edhe grupe të tjera të mëdha të ndjekësve Hanbali në Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejn, Siri, Oman dhe Jemen – si dhe në fisin nomad beduin në Irak dhe Jordani.
Sektet Salafi dhe Vehabi, një lëvizje strikte e rilindësve të islamit sunit, ndjekësit e të cilëve përfshinin edhe themeluesin e Al-Kaidës, Osama bin Laden, fillimisht u shfaqën në shekullin e 18-të, si reformim i shkollës Hanbali.
Ja’fari është shkolla kryesore e mendimit në islamin shiitë. Kjo shkollë është pjesë e Kushtetutës së Iranit.
Shkolla Ja’fari dallon nga të gjitha katër shkollat kryesore sunite në mbështetjen e asaj që njihet si ixhtihad – arsyetimi i pavarur i juristëve për t’iu përgjigjur pyetjeve juridike.
Në terma praktikë, Ja’fari gjithashtu dallon nga shkollat sunite sa i përket çështjeve të trashëgimisë, teksteve fetare, tregtisë, statusit personal dhe mut’a – një praktikë e martesës së përkohshme që daton para Islamit, që lejohet për aq kohë sa të dyja palët bien dakord paraprakisht, pa ndonjë presion, dhe që vendosin për kohëzgjatjen e partneritetit të tyre./m.j