Në vendimin e zbardhur për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, KPK shprehet se ai nuk arriti ta bindte Komisionin se të ardhurat e bashkëshortes kishin burim të ligjshëm.
Nga Edmond Hoxhaj
Gurali Brahimllari, gjyqtari i Apelit të Krimeve të Rënda u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK për pamundësi të justifikimit me burime të ligjshme të pronave të krijuara, të disa huave si edhe për kryerjen e deklarimeve të pasakta për kriterin e pasurisë.
Edhe në rastet kur pretendimet dhe provat e paraqitura nga Brahimllari për justifikimin e pasurive të tij janë pranuar, trupa gjykuese e KPK-së e përbërë nga Roland Ilia kryesues, Brunilda Bekteshi relatore dhe Genta Tafa (Bungo) anëtare, ka konstatuar pamundësi financiare.
“Ka deklaruar në mënyrë të pasaktë burimet e pasurive në deklaratën veting, si dhe nuk ka shpjeguar bindshëm burimin e ligjshëm të krijimit të tyre dhe të të ardhurave me burim nga ushtrimi i aktivitetit të bashkëshortes për justifikimin e 13 huave…”, thuhet në vendimin nr.166, datë 21 qershor 2019 të KPK-së.
“Për rrjedhojë, trupi gjykues arrin në përfundimin se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë”, citohet në fund të vendimit.
Ndërkohë, nuk u konstatuan problematika në pastërtinë e figurës dhe profesionalizimin.
Gurali Brahimllari e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 si ndihmës/gjyqtar në Gjykatën e Kuçovës. Në vitet 1998-2001 ai ka kryer studimet në Shkollën e Magjistraturës dhe më pas është emëruar në Gjykatën e Fierit. Së fundmi ai ka ushtruar detyrën e tij pranë Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda në Tiranë.
Komisioni ka vlerësuar që pasuritë t’i grupojë duke i kategorizuar në tri grupime: ato të krijuara përpara vitit 2003; të krijuara në vitet 2004 dhe 2005 dhe nga viti 2008 e në vijim.
Pasuritë e krijuara para vitit 2003
Në lidhje me pasuritë e krijuara nga gjyqtari Brahimllari dhe nga personat e lidhur me të përpara vitit 2003, konkretisht për ndërtimin e një klinikë dentare me sipërfaqe 50 m2 në Kuçovë në vitin 1995 në vlerën 800 mijë lekë, një apartamenti 36 m2 në Tiranë të blerë, ndërtuar e përshtatur si klinikë në periudhën 1997-1998 dhe një apartamenti po në kryeqytet, me sipërfaqe 116 m2, blerë në vlerën 4 milionë lekë, janë konstatuar një sërë problematikash.
Për apartamentin me sipërfaqe 36 m2 të përdorur për klinikë dentare në Tiranë, me kontratë porosie të vitit 1997 në shumën 400 mijë lekë, gjyqtari Brahimllari ka deklaruar në vitin 2003 si burim krijimi kursimet nga të ardhurat e pagës së tij dhe të bashkëshortes nga puna si stomatologe, ndërsa në deklaratën veting si burim janë pasqyruar edhe të ardhura nga shitja e ½ pjesë e një apartamenti 1+1, nga bashkëshortja e tij, në shumën 400 mijë lekë, më datë 9 gusht 1997. “Komisioni, konstatoi mospërputhje në deklarimin e burimit të krijimit të kësaj pasurie, pasi në vitin 2003 subjekti nuk i kishte deklaruar si burim krijimi të ardhurat e bashkëshortes në shumën 400.000 lekë…”, citohet në vendim.
Brahimllari ka sqaruar për Komisionin se ky apartament është përfituar nga bashkimi i dy hapësirave, një me sipërfaqe 20 m2 dhe një 16 m2. Por Komisioni e cilëson të pasaktë pretendimin e gjyqtarit Brahimllari se vlera e shpenzuar për ndërtimin e shtesës prej 16 m2 ka qenë 298.770 lekë dhe jo 500.000 lekë, pasi ka shpenzuar edhe për vendosjen e dritareve dhe për kryerjen e disa punimeve të tjera të shtesës në vitin 2002. KPK konkludon se Brahimllari ka mungesë të burimit të krijimit të kësaj pasurie në shumën 251.440 lekë.
Për apartamentin 2+1, me sipërfaqe 116 m2 të regjistruar në datën 6 maj 2005 dhe të blerë në vlerën 3 milionë lekë nga firma ndërtuese “S.” sh.p.k. e përfaqësuar nga shtetasi A. S., me kontratë noteriale të datës 30 nëntor 2000 dhe shpenzimet në vlerën 1 milion lekë për arredimin, Brahimllari ka deklaruar si burim krijimi: likuidimin e një depozite 4 milionë lekë në bankën e kursimeve në datën 8 gusht 2000 nga të ardhurat prej aktivitetit si stomatologe të bashkëshortes në periudhën janar 1999 − gusht 2000 dhe të ardhurat nga shitja e apartamentit të përfituar nga privatizimi 1+1, në Kuçovë, sipas kontratës noteriale të datës 9 nëntor 1998, në vlerën 850.000 lekë.
Në vendim thuhet se: “trupi gjykues, pas kryerjes së analizës financiare, duke i qëndruar dhe duke pranuar pretendimin e subjektit për marzhin e fitimit 75% të punës së bashkëshortes së tij, konstatoi se edhe në këtë variant subjekti i rivlerësimit ka mungesë të burimit të krijimit të kësaj pasurie, në shumën 186.778 lekë”.
Nga hetimi ka rezultuar se përpara vitit 2003 ishte ndërtuar edhe klinika dentare në qytetin e Kuçovës, pasuri të cilën bashkëshortja e gjyqtarit Brahimllari e kishte përdorur për ushtrimin e aktivitetit të saj deri në vitin 2002, ndërsa të ardhurat nga shitja e kësaj prone kanë shërbyer si burim krijimi për një apartament 250 m2 të blerë disa vite më vonë.
Komisioni ka hetuar lidhur me burimin e krijimit të klinikës dentare në Kuçovë ndërtuar më datë 14 shkurt 1995 dhe shitur në vitin 2012. Prej analizës financiare, komisioni ka konstatuar se dukej se subjekti nuk kishte pasur burime të ligjshme të mjaftueshme në shumën prej 630.973 lekësh për të realizuar ndërtimin e kësaj pasurie në vitin 1995, si edhe për të kryer shpenzimet e tjera të jetesës.
Për këto tre pasuri, trupi gjykues konkludon se Brahimllari ka bërë deklarim të pamjaftueshëm në lidhje me kriterin e pasurisë, ka mungesë të të ardhurave në shumën 951,756 lekë për të justifikuar dhe se ka deklaruar në mënyrë të pasaktë vlerën e shpenzuar për ndërtimin e pasurisë shtesë me sip.16 m2 në Tiranë. Po ashtu, Komisioni konstaton se gjyqtari Brahimllari ka kryer deklarim të pasaktë edhe lidhur me vlerën e shpenzuar për ndërtimin e klinikës në Kuçovë në vitin 1995.
Pasuritë gjatë vitve 2004-2008
Në lidhje me një klinikë dentare me sipërfaqe 74.3 m2 të porositur në qershor të vitit 2004 me vlerën 93 mijë euro, dorëzuar në datën 25 mars 2006, financuar me këste, gjatë viteve 2004 ‒ 2005, dhe të regjistruar në datën 18 qershor 2012, me kontratë shitjeje noteriale në vlerën 11.6 milionë lekë, Brahimllari ka deklaruar si burim krijimi: likuidimin e një depozite në qershor të vitit në emër të tij; gjendje në vlerën 1.4 milionë lekë e një depozite të nëntorit 2002 në “Bankën e Kursimeve” e rinovuar në shtator 2004 në vlerën 2 milionë lekë; një tjetër depozitë e tetorit 2003, në “Alpha Bank”, në emër të bashkëshortes në vlerën prej 1.5 milionë lekë prej këstit të parë të shitjes së ish-klinikës dentare në Kuçovë; kredi në “Alpha Bank” lëvruar në datën 26 maj 2005 në vlerën 50 mijë euro për të cilën është lënë hipotekë apartamenti 116 m2; të ardhura nga paga e vetë subjektit dhe nga veprimtaria si stomatologe e bashkëshortes, në periudhën janar 2001 ‒ maj 2005 dhe qershor 2005 ‒ maj 2008, këto të fundit për shlyerjen e kredisë.
Në analizën financiare është përjashtuar një depozitë në shumën 1.5 milionë lekë e bashkëshortes së Brahimllarit e krijuar si rezultat i shitjes së ish-klinikës së Kuçovës, pasi ishte tërhequr pas shlyerjes së kësteve dhe ishte përdorur për blerjen e aparaturës dentare.
Në vendim thuhet se në përfundim të hetimit administrativ, ka rezultuar se për vitin 2004 dukej sikur Brahimllari nuk kishte pasur burime të mjaftueshme financiare në shumën 263.706 lekë për të paguar këstet e kësaj pasurie, si edhe shpenzimet e tjera familjare. Gjithashtu, KPK konstaton mospërputhje të deklarimit lidhur me burimin e krijimit të kësaj klinike. Në përfundim, trupi gjykues arrin në konkluzionin se nuk është arritur të provohet me dokumentacion burimi i ligjshëm i shumës 1.5 milionë lekë.
Pasuritë pas vitit 2008
Për një shtëpi me sipërfaqe 250 m2, me garazh e papafingo të porositur në vitin 2010, me sipërfaqe banimi 180 m2 dhe vlerë 160 mijë euro, Brahimllari ka deklaruar si burim: pagën e tij si gjyqtar, të ardhura nga aktiviteti i klinikës dentare të bashkëshortes për periudhën gusht 2008 ‒ dhjetor 2016 e në vijim; dy kredi në ish-“Bankën Popullore” në total 75.000 euro, në dy këste, një në datën 1 qershor 2009 në vlerën 50 mijë euro dhe në datën 16 dhjetor 2010 në vlerën 25.000 euro; të ardhura nga shitja e ish-klinikës dentare në Kuçovë, me sipërfaqe 38.25 m2 në çmimin 4 milionë lekë prej të cilave 1.5 milionë lekë ishin paguar nga blerësi në tetor 2003, ndërsa për pjesën e mbetur është deklaruar vlera 19.000 euro, marrë hua nga kunati në dhjetor 2008, për apartamentin tjetër në Sauk dhe një tjetër hua nga vëllai i tij.
Komisioni konstaton se të ardhurat e siguruara nga, huadhënësi, kunati prej punësimit në shtetin grek për periudhën 2003 – 2007 kanë qenë rreth 23 mijë euro dhe se ka qenë e pamundur dhënia e vlerës 19 mijë euro Brahimllarit. Gjithashtu, Komisioni identifikon mungesë të dokumentacionit justifikues për të provuar krijimin e kësaj shume. Komisioni konkludon gjithashtu se nuk provohet burimi i ligjshëm i shumës 2 milionë lekë që Brahimllarit i ka dhënë hua vëllai i tij, B.B.
Në vendim thuhet se gjatë hetimit administrativ Komisionit i ka rezultuar se pagesat e kryera nga bashkëshortja e Brahimllarit në tetor 2008 janë kryer përpara marrjes së dy huave, ndryshe nga sa ka deklaruar gjyqtari. Por, Brahimllari ka pretenduar se kjo ka ardhur si pasojë e një lapsusi në dokument.
“Konfuzioni është krijuar për shkak se këtë detyrim prej 20.000 (njëzet mijë) eurosh bashkëshortja e ka paguar në një nga ditët e fundit të muajit dhjetor 2008. Kjo shumë është marrë nga administratorja e firmës sipërmarrëse në mjediset e klinikës, ku ajo është gjendur për të marrë shërbimin dentar. Për këtë shkak, dokumenti shkresor për këtë pagesë nuk është nënshkruar në momentin e dorëzimit, por disa kohë më pas, prandaj data e vendosur në dokumentin që Ju citoni, përbën lapsus, të cilin nuk e kemi vlerësuar të rëndësishëm për ta korrigjuar, ndërkohë që marrëdhëniet e problematikën me firmën sipërmarrëse i kemi zgjidhur, madje prej saj është nënshkruar edhe një deklaratë noteriale, që në datën 23 shtator 2016”, ka shpjeguar Brahimllari para Komisionit.
Por trupi gjykues, konstaton se Brahimllari është kontradiktor në shpjegimet e tij, për faktin se ndërsa pranon pagesën e një kësti prej 10 mijë eurosh të paguar më 18 tetor 2008, kundërshton pagesën e datës 16 tetor në shumën 20 mijë euro të kryer dy ditë para. “Pretendimi se janë paguar 10.000 euro dhe nuk janë paguar 20.000 euro, nuk mund të jetë bindës për sa kohë që subjekti pranon të ketë paguar vlerën e datës 18 tetor 2008 dhe kundërshton pagesën e kryer në datën 16 tetor të po këtij viti”, shkruhet në vendim. Sipas KPK-së këto veprime kanë ndodhur në harkun kohor prej dy ditësh. “Subjekti pretendon se shumën 20.000 euro e ka paguar nga fundi i dhjetorit 2008 dhe se për këtë shumë ka nënshkruar një dokument më vonë, por nuk ka depozituar dokumentin provues”, konstaton Komisioni.
Trupi gjykues arrin në konkluzionin se; edhe nëse merr të mirëqenë pretendimin e subjektit se ka paguar vetëm shumën 10.000 euro, vlerë e krijuar nga kursimet e vitit 2007, përsëri rezulton një balancë negative në shumën 899.670 lekë.
Komisioni ka hetuar në lidhje me pagesën 91.000 euro, për të cilën gjyqtari Brahimllari deklaron se është kryer përgjatë vitit 2009. Në deklaratën për vitin 2009 ai ka shënuar se ka vijuar procesi i ndërtimit të këtij apartamenti, në vlerën 160 mijë euro dhe se ka shlyer 91 mijë euro e i kishin mbetur për të paguar edhe 20 mijë euro.
Komisioni ka gjetur se shuma 91.000 euro ishte shlyer brenda datës 3 qershor 2009. Ndërkohë, Brahimllari ka deklaruar se për shlyerjen e kësaj shume i ka marrë hua të vëllait, P. B., 1 milion lekë në muajin janar 2009 dhe një milion në datën 14 gusht të po atij viti. Gjithashtu ka deklaruar edhe një hua tjetër në shumën 10 mijë euro, marrë të vëllait tjetër, B. B.. “Nisur nga këto prova konstatohet se pagesa 91.000 euro e këstit të kësaj pasurie për vitin 2009 ka përfunduar në qershor të këtij viti, ndërsa huat janë marrë pas kësaj periudhe”, thuhet në vendim.
Nga analiza financiare ka rezultuar se deri në muajin qershor 2009, Brahimllari nuk kishte burime të ligjshme të mjaftueshme në vlerën 2.172.082 lekë, për të paguar shumën 41.000 euro, pasi pjesa tjetër prej 50.000 euro përbëhej nga kredia
Trupi gjykues arrin në përfundimin se pretendimet e Brahimllarit për nivelin e provueshmërisë së burimit të mjaftueshëm të të ardhurave për blerjen e kësaj pasurie janë në nivel deklarativ dhe vlerëson se ai ka kryer deklarim të pamjaftueshëm në lidhje me kriterin e pasurisë. Gjithashtu, është konkluduar se nuk ka arritur të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të shumës 1 milion lekë marrë hua nga vëllai i tij, P. B..
Pamundësi për shlyerjen e huave
Komisioni ka hetuar mbi mundësinë financiare të Brahimllarit për të shlyer huat e marra për blerjen e banesës 250 m2. Prej analizës financiare është konkluduar se për vitin 2010, Brahimllari nuk ka pasur burime të ligjshme në shumën 1.272.349 lekë për shlyerjen e huasë që i kishte marrë vëllait të tij, P.B., në vitin 2009. Po ashtu, sipas Komisionit, “dukej se subjekti nuk kishte pasur burime të ligjshme për shlyerjen e shumës 1.000.000 lekë ia marrë hua në vitin 2011 vëllait tjetër”.
“Dukej se në tërësi, subjekti nuk kishte pasur burime të mjaftueshme në shumën 5.489.447 lekë, për blerjen e kësaj pasurie, për shlyerjen e huave, kësteve të kredive, si dhe për kryerjen e shpenzimeve të tjera të familjes suaj, përgjatë viteve 2008 ‒ 2016; dukej se kishte mungesë të dokumentacionit justifikues …”, thuhet në vendim.
Komisioni i konsideron jo bindëse provat e paraqitura nga Brahimllari dhe konstaton se ka mungesë të të ardhurave.
Sipas analizës financiare, për blerjen e shtëpisë 250 m2 dhe garazhit ka mungesë të të ardhurave në shumën 9.912.391 lekë, ku përfshihet edhe vlera e pamundësisë për shlyerjen e huave të marra, kësteve të kredive në shumën 25.000 euro dhe 50.000 euro, si dhe për kryerjen e shpenzimeve të tjera të familjes së tij, përgjatë viteve 2008 – 2016.(BIRN)