Në mbledhjen e sotme qeveria ka marrë disa vendime të rëndësishme. Mes tyre u miratua vendimi për indeksimin e pensioneve të posaçme shtetërore dhe të pensioneve të posaçme shtesë mbi pensionin nga sigurimet shoqërore të detyrueshme. Gjithashtu u miratua edhe vendimi për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve mësimorë në arsimin parauniversitar.
FALJA E DETYRIMEVE
MIRATOHET
3. Për faljen e detyrimeve ndaj fondit të sigurimeve shoqërore të personave në pension invaliditeti, sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të personave në pension, sipas ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të krijuara për shkak të punësimit gjatë kohës së përfitimit të pensionit.
MINISTRI I MIRËQENIES SOCIALE DHE RINISË
Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka informatizuar sistemin e pensioneve dhe njëkohësisht nga tatimet transmetohen në formë digjitale të dhënat për kontributet e sigurimeve shoqërore të personave të punësuar dhe të vetëpunësuar. Nga një verifikim që i është bërë regjistrit elektronik të përfitimeve dhe bazës së kontributeve të transmetuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është konstatuar se një numër i caktuar personash, krahas përfitimit të pensionit sipas ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, apo pensionit të invaliditetit sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, të ndryshuar, qoftë të plotë apo të pjesshëm, për periudha të ndryshme, kanë qenë të punësuar, madje disa prej tyre edhe sot vijojnë të jenë të punësuar. Gjithashtu, nga përplasja e këtyre të dhënave, kanë rezultuar të punësuar edhe ushtarakë në pension të parakohshëm, të cilët në deklaratat e tyre vjetore pretendonin të ishin të papunë, punonjës të universiteteve dhe shkollave të larta, të cilët kanë titutj shkencorë apo persona që kanë kryer funksione kushtetuese dhe punonjës të shtetit. Këtyre personave i është pezulluar përfitimi dhe iu është vlerësuar masa e debisë. Nga të gjitha shtresat e konstatuara më lart, nisur nga problematika komplekse e ardhur edhe për shkak të moskoordinimit mes institucioneve, mes tyre dhe punëdhënësve, ku personat e deklaruar invalidë të plotë nuk lejohet të punojnë dhe ato me rekomandime nga mjeku për punë në kushte të caktuara duhet të punojnë në këto kushte, si dhe për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike të këtyre kategorive, janë përzgjedhur për të përfituar nga kjo falje rreth 1 000 persona në pension invaliditeti dhe pension pleqërie të parakohshëm. Ndërkohë që nuk mund të përjashtohen nga detyrimet, pra nuk mund të jenë subjekte të kësaj fajljeje personat në pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi apo pension suplementar, të cilët kanë deklaruar se janë të papunë dhe vijojnë të jenë të punësuar, si ushtarakët apo punonjësit e universiteteve dhe shkollave të larta, të cilët kanë titutj shkencorë si dhe personat që kanë kryer funksione kushtetuese apo punonjësit e shtetit.
Privatizimi I banesave
MIRATOHET
12. Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.614, datë 7.7.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave të privatizimit të banesave dhe objekteve të kthyera në fond banese, me vendime të organeve të qeverisjes vendore, në pronësi të njësive të qeverisjes vendore dhe të shtetit, ku janë sistemuar me strehim banorë të pajisur me autorizim nga organet kompetente”.MINISTRI I ZHVILLIMIT URBANProjektakti synon të plotësojë një vakuum ligjor, të krijuar nga mungesa e dokumentacionit për identifikimin apo vërtetimin e vitit të ndërtimit të objekteve, të cilat janë kthyer në fond banese me vendime të organeve të qeverisjes vendore. Gjithashtu, ky projektvendim synon të rregullojë procedurën e njoftimit të qytetarëve nga ana e bashkisë, për të paraqitur kërkesën për privatizim dhe të parashikojë procedurat, që do të ndjekë bashkia, nëse qytetarët nuk paraqesin kërkesat për privatizimin. Shumat e arkëtuara nga privatizimi i banesave apo objekteve të kthyera në fond banese të depozitohen në buxhetin e njësisë së qeverisjes vendore që kryen privatizimin. Këto fonde janë të kushtëzuara dhe do të përdoren për qëllime të strehimit social nga njësitë e qeverisjes vendore. Projektvendimi nuk krijon faturë financiare për buxhetin e shtetit, përkundrazi do të krijojë të ardhura për bashkitë, të cilat do t’u shërbejnë këtyre të fundit për qëllime strehimi.
Pensionet
MIRATOHET
18. Për indeksimin e pensioneve të posaçme shtetërore dhe të pensioneve të posaçme shtesë mbi pensionin nga sigurimet shoqërore të detyrueshme.
MINISTRI I MIRËQENIES SOCIALE DHE RINISË
Ky projektvendim ka për qëllim që të mbajë në nivele optimale vlerën reale të pensioneve shtetërore dhe të pensioneve të posaçme shtetërore shtesë mbi pensionin e sipas legjislacionit për sigurimin shoqëror të detyrueshëm, të caktuara nominalisht me vendim të Këshillit të Ministrave, duke rikuperuar dhe rimbursuar efektet e rritjes së indeksit të çmimeve, krahasuar me një vit më parë.
Bazuar në përllogaritjet nga INSTAT-i, indeksi mesatar vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit rezulton të jetë 3 %. Mbi këtë bazë, ashtu si edhe për pensionet e caktuara nga sigurimi shoqëror i detyrueshëm, edhe pensionet e posaçme shtetërore parashikohet të indeksohen me 3 %.
Nëpërmjet këtij projektvendimi realizohet rritja e të ardhurave për rreth 241 persona, nga të cilët marrin aktualisht pensione të posaçme apo shtesa pensioni të posaçëm pleqërie, invaliditeti apo familjare. Rritja do të zbatohet me efekt financiar nga data 1 mars 2017, ashtu siç është parashikuar edhe në politikat buxhetore të pensioneve për vitin 2017.
MIRATOHET
20. Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin.
MINISTRI I SHTETIT PËR INOVACIONIN DHE ADMINISTRATËN PUBLIKE
MINISTRI I FINANCAVE
Ky projektvendim ka si qëllim miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave për gradë për punonjësit e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, sipas hierarkisë së gradave dhe niveleve në të cilat janë të përfshira gradat e tyre.
Konkretisht, në këtë projektvendim parashikohet:
a) përcaktimi i pagës për gradë;
b) aplikimi i shtesës mbi pagë për vjetërsi në shërbim. Në projektvendim përcaktohet se punonjësit e Shërbimit për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin, për kohën e qëndrimit në shërbim, përfitojnë shtesë për vjetërsi, në masën 1 % pas çdo viti pune.
c) aplikimi i shtesave mbi pagë për natyrë të veçantë pune. Masa e shtesës parashikohet në vlerë absolute dhe është e diferencuar midis këtyre niveleve, nga 8 000 lekë në gradat e nivelit bazë në 6 000 lekë në gradat e nivelit të mesëm.
Pagat Arsim
MIRATOHET
21. Për një shtesë në vendimin nr.175, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve mësimorë në arsimin parauniversitar”.
MINISTRI I SHTETIT PËR INOVACIONIN DHE ADMINISTRATËN PUBLIKE
MINISTRI I FINANCAVE
Projektvendim ka synim të miratojë një rregullim që lidhet me saktësimin e vlerës së pagës së grupit për një grup punonjësish të arsimit parauniversitar.
Punonjësit mësimorë, që zotëronin diploma të ciklit të dytë të studimeve (Master Shkencor” apo “Master Profesional”) dhe ata që zotëronin diplomë të ciklit të parë të studimeve, (“Bachelor”) trajtoheshin në pagë sipas grupit 1, në vlerën 14 000 lekë në muaj.
Gjatë përgatitjeve të projektvendimit të ri të pagave të punonjësve të sistemit arsimor parauniveristar, Ministria e Arsimit dhe Sportit kërkoi që vlera e pagës së diplomës për ciklin e dytë të studimeve të ishte e ndryshme nga ajo për ciklin e parë të studimeve, duku iu referuar edhe pagave të nëpunësve civilë.
Kjo solli si pasojë që një pjesë e punonjësve mësimorë, të cilët deri në miratimin e këtij vendimi përfitonin 14 000 lekë në muaj për diplomat “Bachelor”, aktualisht të përfitojnë 11 000 lekë në muaj, duke pësuar kështu një rënie në masën 3 000 lekë në muaj.
Nisur nga sa më sipër, për të mos lejuar rënien në pagë, bazuar edhe në diskutimet me MAS, në këtë projektvendim propozohet që të gjithë punonjësit, të cilët deri në datën 1 mars 2017 kanë përfituar pagën e grupit në masën 14 000 lekë në muaj, të vazhdojnë ta përfitojnë atë deri në momentin e ndryshimit të nivelit të diplomës, (pra për të gjithë ata që do të kryejnë ciklin e dytë të studimeve) ose deri në shkëputjen e marrëdhënieve të punës me institucionin.
ma.me