• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, September 3, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Bota

Vendet që po ia shesin shpirtin Inteligjencës Artificiale –

by Java News
02/09/2026 12:12
Vendet që po ia “shesin shpirtin” Inteligjencës Artificiale -
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter


Cilat janë vendet që po ‘i shesin shpirtin” IA? Kjo është një pyetje që ndoshta duhet t’ua bëjmë qeverive të Maltës, Greqisë dhe Estonisë. Ato janë rastet e para, një lloj laboratori eksperimental për atë që mund të jetë marrëdhënia e re mes shteteve dhe kompanive të Inteligjencës Artificiale…

Inteligjenca Artificiale po ndryshon ekonominë, mënyrën se si punojmë dhe raportin tonë me teknologjinë. Por pas garës për modele më të fuqishme po zhvillohet një tjetër garë, ndoshta edhe më e rëndësishme, ajo për të dhënat. Dhe këtë herë në tryezën e negociatave nuk janë vetëm kompanitë apo individët. Janë vetë shtetet. Malta, Greqia dhe Estonia janë ndër rastet e para europiane që tregojnë se deri ku mund të shkojë marrëdhënia mes një qeverie dhe një kompanie të Inteligjencës Artificiale.

Të tria janë vende të Bashkimit Europian dhe, rrjedhimisht, funksionojnë brenda një prej sistemeve më të forta rregullatore në botë për mbrojtjen e të dhënave dhe Inteligjencën Artificiale. Megjithatë, as rregullat e Brukselit nuk e kanë penguar krijimin e një modeli të ri bashkëpunimi me OpenAI. Në thelb, shkëmbimi është i thjeshtë: teknologji dhe akses në AI nga njëra anë, të dhëna nga ana tjetër.

Malta, laboratori i parë

Rasti më i fortë është ai i Maltës. Marrëveshja e bërë publike në maj parashikon që banorët e ishullit të përfitojnë akses falas për një vit në ChatGPT Plus, versionin me pagesë të shërbimit të OpenAI. Krahas kësaj, parashikohen edhe programe trajnimi për t’i ndihmuar qytetarët të mësojnë se si ta përdorin Inteligjencën Artificiale në mënyrë më efektive. Në pamje të parë, është një ofertë që shumë qeveri do ta konsideronin tërheqëse: një popullsi e tërë merr akses në një prej teknologjive më të avancuara të momentit, ndërsa vendi mund të përshpejtojë adoptimin e AI në ekonomi, administratë dhe arsim. Por marrëveshja ka edhe anën tjetër. Sipas analizës së “Corriere della Sera”, qeveria vë në dispozicion të kompanisë të dhëna institucionale dhe të dhëna të qytetarëve që nuk kanë kundërshtuar shprehimisht përdorimin e tyre.

Greqia dhe Estonia ndjekin një rrugë të ngjashme

Marrëveshjet me Greqinë dhe Estoninë përshkruhen si më të kufizuara, por logjika mbetet e ngjashme. Athina dhe Tallinn vënë në dispozicion të dhëna që lidhen me aktivitetin institucional dhe qytetarët, të përpunuara dhe të anonimizuara në mënyrë që të respektohen kërkesat europiane për privatësinë. Në këmbim, shtetet marrin akses të privilegjuar në shërbimet e ChatGPT dhe mundësi për ta integruar Inteligjencën Artificiale në fusha të ndryshme, ndër të cilat arsimi. Edhe Emiratet e Bashkuara Arabe po ndërtojnë një marrëdhënie të re me industrinë globale të AI, në një shkallë shumë më të madhe, përmes projektit Stargate. Kjo krijon një situatë të pazakontë. Për dekada me radhë, të dhënat shtetërore janë trajtuar si një aset strategjik. Informacionet që një qeveri mbledh mbi popullsinë, ekonominë, administratën, arsimin apo shërbimet publike nuk janë thjesht arkiva. Ato janë pjesë e infrastrukturës së shtetit. Tani, kompani private teknologjike po negociojnë drejtpërdrejt me qeveritë për të pasur akses në pjesë të këtij kapitali informativ.

AI-së i duhen të dhëna të tjera

Për të kuptuar rëndësinë e këtyre marrëveshjeve duhet kuptuar mënyra se si zhvillohen modelet e mëdha të Inteligjencës Artificiale. Modelet më të avancuara janë trajnuar mbi sasi kolosale informacioni të disponueshëm në internet: faqe, dokumente, libra, artikuj, diskutime, kode kompjuterike dhe materiale të tjera dixhitale. Problemi për kompanitë është se një pjesë shumë e madhe e këtij materiali tashmë është përdorur. Industria ka nevojë për burime të reja informacioni, sidomos për të dhëna cilësore, të strukturuara dhe që nuk gjenden lehtësisht në internetin publik. Pikërisht këtu të dhënat e shteteve, institucioneve, kompanive dhe individëve marrin një vlerë të jashtëzakonshme. Sa herë që një përdorues i drejtohet një sistemi AI për të analizuar një dokument, për të kuptuar një informacion kompleks apo për të marrë një përgjigje të personalizuar, ai nuk po konsumon vetëm teknologjinë. Në një kuptim më të gjerë, po ushqen një ekosistem që bëhet gjithnjë e më i vlefshëm sa më shumë informacion dhe ndërveprime grumbullon. Kjo është ekonomia e re e të dhënave. Në epokën e motorëve të kërkimit, të dhënat mbi atë që kërkonim ndihmuan në ndërtimin e një industrie gjigante reklamash. Në epokën e rrjeteve sociale, klikimet, pëlqimet, miqësitë dhe koha që kalonim para ekranit u kthyen në një aset ekonomik. Me Inteligjencën Artificiale, niveli i informacionit që përdoruesit janë të gatshëm t’i japin teknologjisë mund të jetë shumë më intim dhe shumë më kompleks. Njerëzit nuk kërkojnë më vetëm “restorante pranë meje”. Ata mund t’i japin chatbot-it një analizë mjekësore dhe t’i kërkojnë shpjegim. Mund t’i tregojnë problemet në punë. Mund të kërkojnë këshilla financiare, të diskutojnë investimet, marrëdhëniet personale apo shqetësimet e tyre. Dhe sa më personale të bëhen pyetjet, aq më e vlefshme bëhet ajo që qarkullon në këtë ekosistem.

Pas AI ekziston edhe një ushtri e padukshme njerëzish

Ka një pjesë e industrisë që zakonisht mbetet jashtë vëmendjes, që është puna njerëzore që nevojitet për të pastruar, kontrolluar dhe klasifikuar informacionin me të cilin zhvillohen sistemet AI. Pas automatizimit që shohim në ekran ekzistojnë mijëra punonjës që kontrollojnë përmbajtjet, i etiketojnë ato dhe filtrojnë materiale problematike përpara se informacioni të përdoret nga modelet. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj pune është zhvendosur në vende ku kostoja e punës është më e ulët, ndërsa njohja e anglishtes është relativisht e përhapur: vende të Afrikës Lindore, India dhe Filipinet janë disa prej qendrave të këtij tregu. Është një paradoks i ekonomisë së Inteligjencës Artificiale. Teknologjia që premton automatizimin e punës njerëzore vazhdon të mbështetet mbi një numër të madh njerëzish që kryejnë punë të padukshme pas ekranit. Dhe shpesh bëhet fjalë për përmbajtjet më problematike të internetit: dhunë, pornografi, gjuhë urrejtjeje dhe materiale të tjera që duhet të identifikohen e filtrohen.

“Monarkitë” e reja të Silicon Valley

Por çështja e të dhënave është vetëm një pjesë e analizës. Por, kush i kontrollon kompanitë që po marrin këtë fuqi? Në kompanitë tradicionale të listuara në bursë, aksionarët zotërojnë jo vetëm kapital, por edhe të drejtën për të ndikuar mbi mënyrën se si drejtohet kompania. Në një pjesë të Big Tech, kjo lidhje është dobësuar ndjeshëm. Strukturat me kategori të ndryshme aksionesh u japin themeluesve shumë më tepër fuqi votuese sesa do t’u takonte në bazë të përqindjes së kapitalit që zotërojnë. Mark Zuckerberg, për shembull, zotëron një pjesë relativisht të kufizuar të kapitalit të Meta-s, por kontrollon shumicën e të drejtave të votës. Një strukturë e ngjashme ekziston te Alphabet, kompania mëmë e Google, ku themeluesit ruajnë një fuqi shumë më të madhe votuese sesa pesha e tyre në kapital. Sipas analizës, tendenca bëhet edhe më e fortë në kompanitë e brezit të ri të teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale. Kjo krijon atë që autori e përshkruan si një lloj “monarkie absolute” korporative: investitorët mund të vendosin kapitalin e tyre në kompani, por kontrolli real mbetet i përqendruar në duart e një numri jashtëzakonisht të vogël njerëzish. Problemi merr një dimension tjetër kur këto nuk janë më thjesht kompani që prodhojnë telefona, aplikacione apo platforma sociale. Ato kontrollojnë teknologji që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në industri, financë, tregun e punës, arsim, informacion, mbrojtje dhe kulturë. Nëse një teknologji e tillë bëhet infrastruktura mbi të cilën funksionojnë shtetet dhe ekonomitë, atëherë pyetja se kush kontrollon kompaninë që e zotëron atë nuk është më vetëm çështje e “corporate governance”. Është çështje politike dhe ekonomike.

Nga ekonomia te jeta emocionale

Ndërkohë, Inteligjenca Artificiale po hyn në një territor që platformat teknologjike të së kaluarës nuk e kishin pushtuar në të njëjtën mënyrë: marrëdhënien emocionale me përdoruesin. Chatbot-ët po përdoren gjithnjë e më shumë jo vetëm për informacion apo produktivitet, por edhe për shoqëri. Ka aplikacione të ndërtuara posaçërisht për të simuluar miqësi, mbështetje emocionale apo marrëdhënie romantike. Në këtë model biznesi, vetmia mund të monetizohet. Një chatbot mund të fillojë duke komunikuar si një mik, ndërsa funksione më intime ose të personalizuara mund të vendosen pas një abonimi me pagesë. Kjo krijon një marrëdhënie ekonomike krejtësisht të re: produkti nuk shet thjesht informacion apo argëtim. Ai mund të shesë ndjesinë e afërsisë. Dhe pikërisht këtu debati mbi të dhënat bëhet edhe më delikat. Një motor kërkimi mund të dijë çfarë kërkon. Një rrjet social mund të dijë kë ndjek. Një chatbot me të cilin komunikon çdo ditë mund të mësojë çfarë të shqetëson, çfarë dëshiron, çfarë të frikëson dhe si mendon.

Shpenzimet që vazhdojnë të rriten

Vlerësimi i Anthropic ka arritur në 2 trilionë dollarë. OpenAI, që pritet ta ndjekë menjëherë më pas me daljen e saj në bursë, vlerësohet të paktën 1 trilion dollarë. Ndërkohë, shtatë kompanitë e mëdha të Wall Street që janë më të ekspozuara ndaj bumit të Inteligjencës Artificiale po shpenzojnë të paktën 500 miliardë dollarë në vit për të ushqyer investimet që kërkon kjo revolucion teknologjik. Dhe një pjesë gjithnjë e më e madhe e këtyre shpenzimeve po financohet përmes borxhit. Vetëm këto kompani vlejnë së bashku rreth 23 trilionë dollarë në bursë. Është një vlerësim kolosal, i cili për momentin nuk pasqyron vetëm atë që kompanitë fitojnë sot, por mbi të gjitha pritshmëritë e investitorëve për atë që Inteligjenca Artificiale mund të vlejë nesër. Dhe ekspozimi i tregjeve financiare ndaj AI shkon shumë më tej. Nëse llogariten të gjitha kompanitë e lidhura me këtë industri, nga prodhuesit e mikroçipave dhe infrastruktura teknologjike, deri te kompanitë që ndërtojnë produkte dhe shërbime mbi modelet e Inteligjencës Artificiale, si Palantir e Peter Thiel, ato përfaqësojnë rreth 45% të vlerës totale prej 69 trilionë dollarësh të indeksit kryesor të bursës amerikane. Me fjalë të tjera, pothuajse gjysma e vlerës së tregut amerikan është tashmë, në një mënyrë ose në një tjetër, e lidhur me pritshmëritë që janë krijuar rreth Inteligjencës Artificiale.

Kjo është edhe arsyeja pse debati nuk mund të kufizohet më te pyetja nëse ChatGPT shkruan mirë një tekst, nëse AI do të zëvendësojë disa profesione apo nëse modelet e reja janë vërtet aq inteligjente sa pretendohet. Në lojë janë vendosur triliona dollarë. Dhe sa më shumë kapital investohet, aq më e madhe bëhet nevoja që premtimet e revolucionit të AI të realizohen.

Nëse këto premtime përmbushen vetëm pjesërisht, pasojat nuk do të kufizohen te Silicon Valley. Ato mund të përhapen në Wall Street, te fondet e investimeve, bankat, kompanitë që financojnë ndërtimin e qendrave të të dhënave dhe, përmes tyre, në të gjithë ekonominë./Corriere de la Sera

Next Post
EMRI/ Aksidenti i rëndë afër Rinasit, humb jetën gazetari! Shoferi tjetër në gjendje të rëndë te Trauma

EMRI/ Aksidenti i rëndë afër Rinasit, humb jetën gazetari! Shoferi tjetër në gjendje të rëndë te Trauma

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Kongresmeni amerikan Joe Wilson: Regjimi i Vuçiçit ka përgjuar qytetarët serbë -

Kongresmeni amerikan Joe Wilson: Regjimi i Vuçiçit ka përgjuar qytetarët serbë –

September 3, 2026
Prodhuesi gjerman i armëve fshihet nga agjentët rusë: Planifikonin të më helmonin me “Novichok” -

Prodhuesi gjerman i armëve fshihet nga agjentët rusë: Planifikonin të më helmonin me Novichok –

September 2, 2026
Incidenti me dronët në Gjermani, Finlanda thërret ambasadorin rus për sqarime

Incidenti me dronët në Gjermani, Finlanda thërret ambasadorin rus për sqarime

September 2, 2026
Ersekë/ I vuri zjarrin tokave përreth, arrestohet 75-vjeçari

Ersekë/ I vuri zjarrin tokave përreth, arrestohet 75-vjeçari

September 2, 2026
Kriza për presidentin në Kosovë/ Gazetari nxjerr prapaskenat: Vetëvendosje synon zgjedhjet më 27 dhjetor

Kriza për presidentin në Kosovë/ Gazetari nxjerr prapaskenat: Vetëvendosje synon zgjedhjet më 27 dhjetor

September 2, 2026
Tajfuni “Saudel” godet Kinën, stuhi të fuqishme dhe përmbytje, alarmohen autoritetet

Tajfuni “Saudel” godet Kinën, stuhi të fuqishme dhe përmbytje, alarmohen autoritetet

September 2, 2026
Krisafi: Presioni ekonomik ndaj Iranit është i jashtëzakonshëm, pyetja është sa do të mund të rezistojë Teherani

Krisafi: Presioni ekonomik ndaj Iranit është i jashtëzakonshëm, pyetja është sa do të mund të rezistojë Teherani

September 2, 2026
“Duhet ta ndalin atë luftë idiote”, Trump kërkon fundin e përplasjes Rusi-Ukrainë (VIDEO) -

Duhet ta ndalin atë luftë idiote, Trump kërkon fundin e përplasjes Rusi-Ukrainë (VIDEO) –

September 2, 2026
Flakët e zjarrit rrezikojnë edhe fshatin Lundrë të Matit, i afrohen banesave!

Alarmi i zjarreve në Shqipëri, 4 vatra ende aktive! Flakët përfshijnë Dajtin, Bulqizën dhe Matin

September 2, 2026
Macron dhe Charles III vizitojnë Tapicerinë e Bayeux në Muzeun Britanik -

Macron dhe Charles III vizitojnë Tapicerinë e Bayeux në Muzeun Britanik –

September 2, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com