Pas 3 orësh bisedime tryeza e dialogut Rama-Basha ka dështuar duke mos arritur në asnjë akord për reformën në drejtësi. Molla e sherrit, siç edhe parashikohej, ka qenë propozimi i “vendeve të rezervuara” në strukturat e larta drejtuese të gjyqësorit, nje element që PD dhe Berisha e kanë çmuar si të panegociueshëm me maxhorancën.
Në dalje të takimit, i pari që ka folur ka qenë Rama. Kryeministri ka shprehur keqardhje duke thënë se nuk mundi të bindte dot PD për të votuar reformën në drejtësi. Kryeministri tha se tashmë qeveria nuk do ta presë më opozitën për reformën në drejtësi dhe do të dërgojë draftin në parlament për votim.
“Ne ishim mikpritësit po ishte dëshira i miqve që unë të dilja përpara. Me vjen shumë keq që nuk arritëm ta bindim Partinë Demokratike të nëshkruiajmë së bashku draftin e hartuar bashkë me partnerët strategjikë. Por u them sot gjithë shqiptarëve që i bëra të gjitha përpjekjet e mundshme, i bëmë të gjitha përpjekjet e mundshme për ti dhënë kundërshtarëve të gjithë konsensusin për të gjetur akordin pa cënuar Draftin.
Drafti që kishim në tryezën e diskutimit ishte ai i diskutuar në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi, i shoqëruar me një plan disa-pikësh. Ne e kishim pranuar 100 % këtë Draft, ku përfshihej edhe shumica e cilësuar e 2/3 që është kërkuar pa pushim nga PD pas leximit të parë të raportit të Venecias. Për habinë e shumë kujt ndoshta por jo timen, PD e refuzoi këtë ofertë që e barazon shumicën me opozitën në përzjerjen me votë të kandidatëve për tu zgjedhur në sistemin gjyqësor. Unë nuk hyj te ata që mendojnë se PD e do reformën e drejtësisë. Por pikërisht sepse kam menduar kështu që ditën e parë kam qenë jashtazakonisht më i duruar se asnjëherë tjetër dhe kam kërkuar nga të gjithë durimin më të madh. Të njëjtën gjë ka bërë edhe aleati ynë në qeveri.- tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se drafti aktual mund të ketë nevojë për përmirësime, por kurrsesi jo për përkeqësime, duke ju referuar kështu propozimit të Sali Berishës për “vendet e rezervuara” në kupolën drejtuese të pushtetit gjyqësor.
“PD ska lënë justifikim pa nxjerrë për ta zvarritur këtë reformë dhe për të ndryshuar thelbin e saj, por sot, PD nuk mund ti tregojë dot as shqiptarëve, as Brukselit, as Washingtonit, asnjë arsye të vetme që justifikon mos-votimin e reformës. Tashmë ato që do të thotë mund t’i besojë vetëm vet. Unë thashë që mendoj se PD nuk e do reformën në drejtësi, por kjo nuk do të thotë akoma që PD nuk do ta votojë reformën. Ne nuk do ta presim më PD, do vazhdojmë rrugën e vetme që kemi. Nëse dmeokratët kërkojnë të ulemi sërish, ne jemi gati të dëgjojmë çdo kërkesë që nuk cënon thelbin e Draftit, dhe që nuk përbën përpjekje për të mbajtur duart brenda sistemit të drejtësisë. Drafti në fjalë nuk është i përsosur dhe nuk është i shkruar në gur, ai është i përmirësueshëm sigurisht por jo i përkeqësueshëm për kastat dhe partitë që i tremben kësaj reforme. Për çdo përmirësim jemi të hapur deri në fund. Asnjë përkeqësim nuk mund ta lejojmë dhe asnjë sekondë tjetër nuk do presim. E përsëris, pas këtij takimi reforma do niset drejt e në sallën e parlamentit. Ne duam që ngrehina aktuale e drejtësisë të shembet përtokë dhe të ndërtohet një ngrehinë e re pasi banorët e saj të kenë dalë pa asnjë njollë. Kjo reformë e garanton këtë. Ne duam që partitë të mos e shqyejnë sistemin dhe as të mos e ngjyrosin sipas ngjyrës së partisë së radhës dhe sipas harmonisë së ngjyrave të shumicës e pakicës, sepse duam një sistem që t’i japë fund pandëshkueshmërisë të të gjtihë llojeve të të fortëve.”- tha Rama.
Në fjalimin e tij Basha tha se propozimi i vendeve të rezervuara është një element i ofruar nga OPDAT dhe EURALIUS, por sipas tij, kryeministri dhe maxhoranca nuk duan standartet europiane por kapjen e drejtësisë. Basha theksoi se në tryezën e bisedimeve erdhi për të gjetur zgjidhje, por vuri re se maxhoranca kishte ardhur me qëndrime të përgatitura dhe madje me një fjalim të parapërgatitur. Basha shtoi se nëse reforma tentohet për tu votuar në parlament pa opozitën atëherë ajo do të dështojë.
“Si kryetar i opozitës, erdha sot në këtë takim me përfaqësuesit më të lartë të maxhorancës me vullnetin për të kërkuar dhe ofruar zgjidhje që do ti jepnin shqiptarëve një drejtësi që lufton dhe nuk mbron korrupsionin. Për këtë opozita ka patur vetëm një kusht, moskapjen e drejtësisë nga politika…
Nëse politika nuk do ti mbronte shullazët, kokëdhimët e habilajt etj me shokë, e do të merrte detyrën e saj kundër korrupsionit, pa dyshim që drejtësia do të vepronte… por ajo shantazhohet nga politika, nga oligarkët që bëjnë rrush e kumbulla paratë e qytetarëve.
Të gjithë e mbani mend sesi në shtator të vitit të kaluar PS dërgoi në Venecia një draft që parashikonte kapjen e sistemit të drejtësisë, siç ishte Byroja Kombëtare e Hetimit. Opozita dha kontributin e saj dhe falë qëndrimeve tona Venecia i hapi dritën një dialogu duke i dhënë të drejtën opozitës. Për fat të keq, javët e para të janarit, u cuan në një përjashtim të dytë të opozitës, dhe si rezultat i dytë i një drafti të njëanshëm, Venecia reagoi sërish. Për herë të dytë opozita veproi si garant për reformën në drejtësi.
Opozita e hoqi mundësinë e kapjes së korrupsionit, por në dy muajt e fundit, maxhoranca ka bllokuar cdo mundësi për të arritur një marëveshje për arkitekturën e reformës. Siç e dini që në muajin shkurt, PD ka pranuar versionin e vendeve të rezervuara të propozuara nga OPDAT. Ky opsion pamundëson kapjen e sistemit të drejtësisë. Me siguri që parafolësi, Kryeministri, ka thënë para jush se PD është ajo që nuk do reformën në drejtësi. Sot unë dhe bashkëpunëtorët e mi, detajuam propozimin tonë për vendet e rezervuara. Kryeministri nuk kishte asnjë propozim thelbësor për një propozim ndërkombëtar, thjesht nuk ju pëlqen, ky nuk është argument, por një kaprico.
Kjo është cështja që ndan sot palët. Ky është modeli që ka sjellë OPDAT dhe EURALIUS…Pa të, kjo reformë do të kapet politikisht dhe nuk do të duken duart e kapësit.
Konstatoj me keqardhje se maxhoranca erdhi me propozime të përgatitura, me sa më thonë, madje dhe me një fjalim të përgatitur… për ti hedhur më pas fajin kundërshtarit. Hedhja e fajit është një lojë e vjetër politike. Dua ti them shqiptarëve se unë erdha këtu sot si një përfaqësues i ri i politikës shqiptare… duke demostruar asgjë më shumë sesa vullnet të mirë në atë tavolinë, jo për lojë, por për rregullat e lojës.
Rrugëdalja që kemi ofruar është sanksionuar nga komisioni Venecias, ndaj maxhoranca mban e vetme përgjegjësinë.. cdo akt unilateral i dërgimit në parlament të një pakete të parakorduar me opozitën do atakohet me dështimin e sigurtë. Cdo dështim do të thotë shtyrje e reformës në drejtësi…S’do pranojmë kurrë më pak se moskapja politike e drejtësisë”- tha Basha
a.k/a.m