Emiljan Vishkulli, vëllai i 28-vjeçarit Erjon Vishkulli, i cili u plagos në protestën e djeshme, ka dhënë detaje për gjendjen shëndetësore të të riut, i cili u dërgua për trajtim mjekësor të specializuar në Itali.
Në një intervistë për Klan, Emiljan Vishkulli u shpreh se gjendja e të vëllait është më e stabilizuar, ndërsa mjekët kanë dhënë shpresa pozitive për rikuperimin e syrit.
Ai bëri të ditur se Erjoni pritet t’i nënshtrohet operacionit të dytë ditën e nesërme, me shpresën që ndërhyrja të ketë rezultate pozitive.
Emiljan Vishkulli falënderoi strukturat shtetërore për mbështetjen e ofruar në transportimin e të vëllait drejt Italisë, duke bërë të ditur se për këtë qëllim ishte vënë në dispozicion një avion i posaçëm me ekip mjekësor.
“Gjendja e Erjonit duket më e stabilizuar. Na kanë thënë fjalë të mira për pjesën e rikuperimit të syrit. Shpresojmë që vëllai, të na vijë ashtu siç e patëm. Kemi pasur një avion të posaçëm, me mjekë që ishin kastile për vëllain. Për çdo lloj iniciative na janë përgjigjur strukturat shtetërore, si avionin.. të gjitha i ka sjellë shteti deri në këto momente. Gjendja e vëllait duket mirë dhe strukturat shtetërore na janë përgjigjur në mënyrë korrekte. Nesër pritet që të bëhet operacioni i dytë, që shpresojmë që të jetë me lajme të mira“, tha ai.