Disa persona mbajtën një tubim disa orësh mbremjen e djeshme përpara zonës së quajtur ‘Torra Veneciane’, me motiv ndalimin e gërmimeve në zonën arkeologjike ”A” në Durrës.
Tubimi ishte parashikuar të mbahej gjatë gjithë natës, por qytetarët u shpërndanë pas një sherri mes tyre. Mësohet se përplasje ka pasur mes një grupi të Shoqërisë Civile dhe Lëvizjes Studentore.
Kjo e fundit pretendon se mbrëmë se nuk është përmbushur kushti që palët kishin rënë dakord, se në protestë nuk do të kishte thirrje politike (ata pretendojnë se Shoqëria Civile ka pasur veshje me stema dhe emblema të Partisë Demokratike).
Konflikti nisi midis shtetasve A.J. 29 vjeçe, banuese në Elbasan dhe L.B. 35 vjeç, banues në Tiranë, pjesë të Shoqërisë Civile dhe shtetasve E.K. 33 vjeç, dhe G.J. 25 vjeç, banues në Tiranë, pjesë e Lëvizjes Studentore. 2 nga shtetasit kanë marrë dëmtime të lehta dhe pas ndihmës mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës shkuan në banesa.
Policia e Durrrësit nisi procedim penal në gjendje të lirë ndaj tyre dhe materialet për veprime të mëtejshme janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale ”Dëmtime të tjera me dashje”,parashikuar në nenin 90 të Kodit Penal./a.ç