Arrestimi i kryebashkiakut Erion Veliaj, procedurat e ndjekura nga SPAK, masa shtrënguese e GJKKO-së dhe a qëndrojnë akuzat e ngritura nga SPAK, ishin disa nga temat e analizës dhe debatit në “Studio Live” ditën e sotme (19 shkurt).
Të ftuar të moderatorit Arbër Hitaj, në Report Tv, ishin avokati Edmond Petraj dhe gazetarja Aida Topalli.
Avokati Edmond Petraj mendon se kryebashkiaku Veliaj nuk duhet të qëndrojë vetëm tek prononcimet publike, por të veprojë me kallëzim penal ndaj prokurorit Olsi Dados për çdo pretendim që ai ka, me grupin e avokatëve. Kritik për faktin pse edhe pas një jave nuk dihet se kush është ky ekip mbrojtësish dhe se nuk ka pasur ende një komunikim apo konferencë me publikun.
“Erion Veliaj duhet të bënte kallëzim nëse ka pretendime. Nëse do kishte konflikt interesi, Dado do ishte tërhequr, do e kishte vlerësuar. Nëse ato që Veliaj thotë për Dadon, duhet të bëjë kallëzim nëpërmjet avokatëve. Nëse ka konflikt interesi, këta ia bëjnë kërkesën Altin Dumanit, por duhet të jenë bindëse. Ndryshe të mbajë përgjegjësi vetë”, thotë ai.
Teksa vë në dukje edhe favorizimin që duket se i ka bërë ligji në karrierën e tij dhe deri tani nuk ka asnjë fakt që provon të kundërtën.
“Dado ka mbaruar në 1991 Fakultetin Juridik. Ka trashëguar licencën e noterit nga babai i vetë. Në 2008 ka kaluar prokuror në Pogradec, këtu është ngërçi, ligji i asaj kohe nuk mendoj se e donte Magjistraturën dhe procesin 3-vjeçar, që duhet të ishte jurist apo të punonte në institucione të tjera. Për mendimin tim kjo nuk e pengon. Ligjet e kohës favorizuese që Dado të bëhej prokuror. Problemi ka mbetur nëse ke prova e pretendime shko dhe bëj kallëzim”, vijon ai.
Petraj është kundër mënyrës se si u arrestua Veliaj në zyrë dhe gjithashtu kundër masës shtrënguese, pasi Bashkia ka mbetur pa kryetar.
“Edhe mund të mos bëhej kjo masë drastike sigurie. Nëse SPAK do e kishte menduar këtë thellë do e kishte ndarë çështjen, sepse bëhet fjalë për Bashkinë e Tiranës që ka mbetur pa drejtues. Por mbetet në dorë të prokurorit se si e ka arsyetuar dhe rrugës pritet të sqarohet nga 365 faqe në mbi 800 faqe, ku është bazuar, si është argumentuar, si janë dhënë e gjetur, do shtohen pretendimet e avokatëve. Pra do ribëhet ai vendim gjykate, sipas procedurës. Hetimi pasuror duhej bërë më pas, pas një analize financiare dhe juridike. Sepse Prokuroria thotë 800 mijë euro, kurse Xoxa thotë 75 mijë euro, do bëhet analiza financiare e veprimeve. Kjo nuk është bërë. Hetimi pasuror nuk qëndron në këtë pikë të hetimit. Në vendimin e gjykatës nuk është intimidimi nga ana e Veliajt, që bëri këtë, shkoi atje, etj. Por thuhet se mund të dëmtojë provat. Por edhe mund të mos ishte marrë, të lihej si i dyshuar”, shpjegon ai, duke kritikuar procedurën që u ndoq.
Për Petrajn masat shtrënguese të paraburgimit janë të tepruara në raste të tilla, por theksoi se përgjegjësia bie e gjitha mbi Olsi Dadon dhe është ai që duhet ta argumentojë çdo veprim në vijim.
“E kanë futur në sistem masën e arrestit me burg dhe mua nuk më pëlqen. Por mbetet te pjesa e prokurorëve, ai ka autoritet të posaçëm, përgjegjësia bie mbi Olsi Dadon, çdo përgjegjësi bie mbi të. Prononcimi sikur po zbehet, ai duhet të merret me provat, elementet. Përgjegjësia mbi dosjen Veliaj bie mbi Olsi Dadon. Kryetarit të Bashkisë i duhej parë me kujdes masa e sigurisë, nuk duhej arrestuar në zyrë. Unë nuk di kush janë avokatët e Veliajt, nuk kanë dalë asnjëherë në konferencë apo në media, vetëm reagimet e tij nga qelia kemi”, thekson avokati.
Gazetarja Aida Topalli mendon se ka akuza të personalizuara pas arrestimit të kryebashkiakut dhe pretendime, por fakt i SPAK janë dosjet hetimore dhe mosndikimi i politikës te drejtësia.
“Akuzat janë të personalizuara. Olsi Dado del i varfër dhe apartamentin e ka të dhuruar. Reagimet janë të pritshme në këtë situatë, kemi raste me prona të dhuruara për ndërtim. Por mendoj se nuk ka ndikim politika te Drejtësia. Bëhet fjalë për kryebashkiakun e Tiranës, numrin 2 të PS-së, pra mendoj se nuk ndikon politika te drejtësia, përderisa edhe u arrestua. Fakt janë dosjet hetimore. Zyrtarët s’mund të rrinë në detyrë nëse hetohen për korrupsion apo janë dënuar. Ka një numër të madh zyrtarët të akuzuar prej kaq vitesh në pushtet, shpërdorime me paratë e buxhetit. Politikanët i kanë pasuritë në emër të të afërmve”, tha Topalli.