Kandidati i koalicionit të majtë, Erion Veliaj mori sot pjesë në një takim me aktorë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të grupeve të ndryshme sociale, ku prezantoi disa nga prioritetet e punës së tij për mandatin e dytë, ndër të cilat veçoi ndërtimin e shkollave të reja. Ai shtoi se puna do të vijojë edhe me rikonstruksionin e godinave ekzistuese.
Por, një nga projektet më interesante në mandatin e dytë është ai i krijimit të çerdheve dhe kopshteve pranë bizneseve. Veliaj shprehu gatishmërinë që eksperienca e Bashkisë së Tiranës të përcillet edhe tek privati, çka do të lehtësojë uljen e fluksit në institucionet parashkollore publike. “Një nga gjërat që duam të bëjmë është ndërtimi i çerdheve dhe kopshteve në biznese të mëdha, ku janë punësuar shumë gra. Kryesisht në kompanitë e telekomunikacionit, industria fasone, industria bankare, por duke filluar që nga Bashkia e Tiranës. Që në shtator, si bashki, për stafin e bashkisë që punon me mua në administratë, do të kemi një hapësirë për çerdhe dhe për kopshte, që të japim vetë modelin të parët”, tha ai, ndërsa u shpreh se puna për çerdhet dhe kopshtet do të vijojë jo vetëm në qendër, por edhe në zonat rurale.
Pas suksesit në katër vitet e para, Bashkia e Tiranës do të vijojë punën dhe për rikonstruksionin dhe ndërtimin e bibliotekave të reja nëpër lagje. Ai shprehu angazhimin se deri në fund të mandatit tjetër do të kemi në çdo njësi një bibliotekë, e konceptuar edhe si një hapësirë komunitare. “E filluam me bibliotekat “Musine Kokalari”, “Misko Treska”, “Petro Zheji”, “Hamit Beqja”, prandaj jemi në rrugë të mbarë. Po rikonstruktohet biblioteka në Njësinë 6, ndaj deri në fund të mandatit tjetër do të kemi në çdo njësi nga një bibliotekë”, tha ai.
Një nga investimet më të rëndësishme është edhe furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë i qytetit. Për herë të pare, zonat që dikur ishin komuna dhe përdornin vetëm ujë pusi, do të kenë ujë të pijshëm. “Ne kemi filluar projektin më agresiv të investimeve, një projekt 5-vjeçar (2019-2024) për të zgjidhur disa probleme. Bovilla ka aq ujë sa mund të na fundosë 5 herë. Nuk është ky problem; problemi është se uji humbet në rrjetin e amortizuar si kulluese makaronash. Ndaj kemi futur një teknologji të re edhe në tubacione, dhe teksa flasim po bëjmë tre investime”, tha Veliaj, teksa siguroi se shumë zona do të kenë tubacione të dedikuara për furnizim me ujë të pijshëm. “Do të sjellim ujë direkt nga filtri i Bovillës në Laprakë, tek 3-shi, tek Bregu i Lumit, tek Astiri, tek Shqiponja, tek Misto Mame, Kombinat, për t’u siguruar që e gjithë ajo zonë e Tiranës Jugore, e cila jetonte me puse, të furnizohet me ujë”, deklaroi Veliaj.
Duke u ndalur tek investimet në fshat dhe në zonat rurale, kandidati socialist shprehu angazhimin për të ngushtuar hendekun. Për këtë, tha Veliaj, Bashkia e Tiranës parashikon një sërë projektesh të rëndësishme për përmirësimin e infrastrukturës dhe të ofrimit të shërbimeve. “Kemi nevojë ta ngushtojmë akoma më shumë hendekun midis fshatit dhe qytetit. Së pari, vjen infrastruktura. Fakti që sot shkohet më kollaj në Krrabë është diçka, sepse kemi bërë një investim të cilët s’mund ta bënte dot kurrë ish Komuna e Krrabës; fakti që sot shkohet më kollaj në fshatrat e Zall Herrit, përmes rrugës së Kasallës dhe Çekrezit, është diçka; fakti që sot Zall Bastari lidhet me ‘’Rrugën e Arbrit’’, me asfalt, po ashtu është diçka”, deklaroi ai.
Ky ngushtim hendeku do të vijojë jo vetëm në planin infrastrukturor, por njëkohësisht edhe në terma ekonomikë. Bashkia e Tiranës ka planifikuar që të krijojë një pikë shumice që do të shërbejë edhe si agregator biznesi, duke u ardhur në ndihmë gjithë fermerëve dhe blegtorëve.
Për herë të parë në Bashkinë e Tiranës është pilotuar edhe projekti i nxitjes së punësimit dhe financimit të start up-eve, veçanërisht për fuqizimin e grave dhe të vajzave.