Gjatë intervistës për “Top Story”, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka folur edhe për aktualitetin politik, zhvillimet brenda PS-së dhe të ardhmen e tij politike. Ja si përgjigjet ai kur pyetet për Sajmir Tahirin, kryeministrin Rama dhe planet e tij në vijim.
Sokol Balla: Pyetja e parë që do të doja t’ju bëj është që, nuk do thosha a ka pasur kënaqësi, por a ka pasur një heshtje miratuese nga ju, pas asaj që i ndodhi Saimir Tahirit?
Erion Veliaj: Aspak! Unë jam shkëputur nga puna e qeverisë që para dy vjet e gjysmë dhe gjithë kontaktet që kam pasur me deputetët kanë qenë për çështje të zonës, përfshirë edhe Saimirin, për çështje të Kombinatit, për investimet aty dhe kryetarët e bashkive nuk marrin pjesë as në mbledhje të grupit. Në mbledhje të kryesisë, dy herë mbaj mend kam qenë edhe jashtë me shërbim për te takuar kolegë, pra kam qenë komplet i papërfshirë në këto debate dhe diskutime. Kësisoj, edhe disa herë me thënë të drejtën edhe i painformuar. Një pjesë të madhe të gjërave i kam marrë nga media, por unë besoj që për të gjithë këto gjëra, drejtësia është akoma duke kërkuar të vërtetën dhe besoj që çdo lloj spekulimi me gjëra të paprovuara shton këtë dozën e dyshimit e mosbesimit në Shqipëri, ku ne i kemi gjërat më shumë me “më the, të thashë”, sesa me gjëra të provuara. Në këtë sens, e kam parë thuajse si çdo qytetar, nga jashtë, pa ndonjë informacion të veçantë nga mbledhjet e partisë apo grupit ku unë s’jam pjesë.
Sokol Balla: Nejse, por ju s’mund të thoni se e keni parë këtë nga jashtë, duke qenë vetë një ndër eksponentët kryesorë të mazhorancës. Me vetë Saimirin, keni komunikuar?
Erion Veliaj: Kam komunikuar. Për një solidaritet njerëzor. Kaq!
Sokol Balla: Megjithatë, mendoni që nëse ka një rënie të kuotave të mazhorancës sot, një pjesë i atribuohet kësaj çështje?
Erion Veliaj: Nuk besoj fare. Unë i ndjek sondazhet shpesh dhe më rezulton se sot kryeministri është në kuotat maksimale dhe Partia Socialiste është e vetmja forcë e cila merr Shqipërinë të shkatërruar në 1997, e rikthen me dinjitet ekonominë; e merr Shqipërinë të falimentuar në 2013, e rikthen sërish në binarë; e merr Tiranën të shkatërruar në 2000, e bën zonjë; e merr Tiranën të shkatërruar sërish në 2015 dhe e rikthen në një qytet dinjitoz. Njerëzit mjafton të mendojnë vetëm këtë, cila është ajo forcë që kur e merr qytetin dhe shtetin, e bën lësh arapi dhe cila është ajo forcë që kur e merr shtetin të falimentuar dhe qytetin të degraduar, e rikthen me dinjitet si një stoli dinjitoze evropiane.
Sokol Balla: E kthen edhe një kopsht të kanabisit në Ballkan…
Erion Veliaj: Kjo mjafton të shohësh raportin, kjo është një zyrë ku patjetër ka alegri etj, por kjo është një zyrë ku edhe vijnë shumë ambasadorë, vijnë shumë misione të huaja dhe shumë le të themi, përfaqësues ndërkombëtarë….
Sokol Balla: Kjo s’ka lidhje me atë, ka lidhje me atë që ne shohim në lajme…
Erion Veliaj: Ta shpjegoj, se po i referohesha një rasti konkret. Raporti i fundit i Guardia di Finanza pothuajse tregon që kanabisi, ministria e Rendit, policia, Fatmir Xhafaj, përpjekja e ka çuar thuajse në nivele zero kultivimin e kanabisit këtë vit. Unë isha për një aktivitet komplet pa lidhje për fondet IPA, ku Bashkia është një histori suksesi, si tërheq fondet edhe nga BE, përveç mbledhjes së taksave këtu dhe qëlloi që bëhej në Akademinë e Guardia di Finanza, në Aquila, Abruzzo dhe gjeneratat aty po thoshin, raportet këtë vit për Shqipërinë janë spektakolare, të papara që nga vitet ’90.
Sokol Balla: Po para po pse ishin ndryshe një vit më parë?
Erion Veliaj: Ne morëm një vend ku jo kanabisi e Lazarati, unë kam qenë deputet i Lazaratit, le të mos e harrojmë. Pra, këtë historinë e kanabisit nuk e njoh vetëm, të paktën kur isha deputet e njihja nga terreni i zonës. Është një zonë ku ti as nuk kaloje, as nuk qarkulloje dhe kam përshtypjen që zona merrte më shumë vëmendje për koncentrimin dhe të themi karshillëkun që i bënte shtetit por më rezulton që në atë kohë e gjithë Shqipëria i kishte këto probleme. Ndaj, ne ndoshta me naivitet u fokusuam vetëm tek Lazarati, meqë ishte të themi hot-spot, për të zbuluar më pas që në fakt zonat e tjera thjesht nuk ndiheshin dhe Lazarati prej karshillikut që i bënte shtetit dhe policisë mori atë vëmendje por unë gjithmonë kam qenë në impresionin që Lazarati nuk ka qenë një ishull siç thuhej dhe Shqipëria e ka pasur këtë problem kudo por faktet flasin vetë. Sot jemi në një situatë komplet tjetër. U fillua me Lazaratin dhe me sa u pa kishte nevojë që i njëjti trajtim të bëhej në të gjithë Shqipërinë dhe më rezulton që kjo mazhorancë e ka bërë këtë trajtim rigoroz, duke iu përgjigjur me forcat e ligjit kultivuesve të kanabisit në të gjithë Shqipërinë. Në Tiranë thuajse kemi pasur zero probleme, thuajse zero problem, mund të ketë pasur nja dy tre bimë kur i thonë në “arushë”, në zona tejet periferike, në kufi mes Tiranës e Burrelit, mbaj mend kemi pasur një rast që u penalizua menjëherë dhe them që është mision thuajse i përfunduar me sukses.
Sokol Balla: Megjithatë përse “The Economist” që është një revistë super prestigjioze, që lëviz ekuilibrat botërorë të politikës, kur ajo mban një qëndrim të caktuar, pra përse “The Economist” i cili besoj që kur thotë diçka e thotë bazuar, pse “The Economist” ndan të njëjtin perceptim me një pjesë të mirë të opinionit publik këtu, që ka pasur një rivalitet mes ju të dyve, pra mes jush dhe z. Tahiri dhe tashmë ju duket sikur, siç thotë “The Economist”, ju është “pastruar” rruga për të pasuar Edi Ramën në krye të së majtës.
Erion Veliaj: Unë nuk jam gazetar i “The Economist” dhe nuk përgjigjem dot për çka ka shkruar një gazetar, por di të them që në dy misionet e tyre këtu, jam pyetur vetëm për Bashkinë e Tiranës. Me sa kuptoj kanë bërë takimet e tyre, në këtë bashki por nuk e di sepse…
Sokol Balla: Por kanë përqafuar një perceptim që ekziston…
Erion Veliaj: Por duhen pyetur gazetarët e tyre nga e kanë marrë këtë perceptim por në këtë qytet dhe në këtë bashki kemi diskutuar vetëm për punët e Tiranës dhe besoj që puna e Tiranës është vlerësuar jo vetëm nga The Economist, nga shumë revista prestigjioze, ka pasur impakt jo të vogël në turizëm. Është rritur turizmi në Tiranë vitin e fundit 2.5 herë, do të thotë më shumë shtretër në hotele, më shumë vakte, suvenire, blerje, më shumë transport. Krejt papritur zëri i turizmit që ishin disa qindarka në buxhetin e Bashkisë së Tiranës është bërë një zë i qenësishëm dhe për sa kohë që jam pyetur për Tiranën, jam përgjigjur për Tiranën, ndaj do të duhet të pyesni ata, nëse e kanë të saktë mënyrën se si mbledhin thashethemet e qytetit .
Sokol Balla: Duhet të pyes “The Economist”, për të konfirmuar nga i kanë marrë informacionet për projektin e Erion Veliajt pas Bashkisë së Tiranës apo mund të më jepni edhe ju një përgjigje?
Erion Veliaj: Unë nuk kam asnjë projekt pas Bashkisë së Tiranës sepse mendoj pas këtij mandati, nëse qytetarët ma japin besimin, të vazhdoja t’i shërbeja këtij qyteti dhe është një punë që e bëj me shumë pasion dhe kam një skuadër që është formuar me shumë sforco, me shumë mundim dhe do ishte mëkat që Tirana ta linte këtë punë përgjysmë, por nëse qytetarët do ma japin këtë bekim, që t’u shërbej në një mandat të dytë, do e bëja me shumë, shumë kënaqësi