Infrastrukturë rrugore brenda fshatit dhe ndërlidhje me transportin publik e zonave rurale ishin dy nga propozimet konkrete që kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, dha sot paradite për përmirësimin e jetës së banorëve në këto zona. Duke prezantuar programin e detajuar për fshatin nga qendra e Pezës, i shoqëruar edhe nga deputeti i PS, Artan Gaçe, Veliaj tha se infrastruktura dhe kanalizimet janë problematikat më të mëdha në fshatrat e Pezës, ndërkohë që premtoi incentiva për fermat dhe bizneset agro-bujqësore.
“Kemi marrë një kërkesë të vazhdueshme nga komuniteti në Pezë për të ndërtuar rrugën mes Pezës dhe Gjysulkonjës. Bëhet fjalë vetëm për 4 km rrugë, e cila është në prioritetet tona”, deklaroi Veliaj. Sipas tij, kjo zonë ka disa probleme me infrastrukturën, ku si më problematiket janë identifikuar lagjet e Pezës së Vogël. Veliaj bëri edhe dy premtime konkrete: ndërtimin e dy rrugëve në Pezë, rrugën e Varoshit 2 km e gjatë dhe rrugën Pezë-Gjysulkonjë 4 km e gjatë.
“Zotimet tona për infrastrukturën rrugore janë integrimi rrugor i fshatrave të Pezës me Tiranën”, tha Veliaj. Ai shtoi se një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet ndërlidhjes së zonës me transport publik në të gjithë territorin e Bashkisë së Tiranës. “Do të kemi një sistem ku ofrohet e njëjta cilësi, jo transport të dorës së dytë për fshatin. Linjat të transportit publik do t’u kërkohet i njëjti standard për çdo cep të Tiranës së re”, theksoi Veliaj. Duke folur për tregjet dhe pikat e grumbullimit, Veliaj tha se do të ketë një rikonceptim të shpërndarjes gjeografike dhe të organizimit të tregjeve.
“Vendimi ynë është që ta thyejmë këtë monopol. Kur ka konkurrencë, çmimet bien. Ndaj dhe kemi vendosur që ta thyjmë monopolin e pikave të grumbullimi për produktet e fermës”, deklaroi Veliaj. Ai sqaroi se në Tiranë do të ketë 4 tregje të mëdhenj shumice dhe pika grumbullimi. Sipas tij, plani është që këto tregje të vendosen në hyrjet kryesore të Tiranës. “Ne duam të fillojmë edhe traditën e tregjeve të përkohshme. Ndodh në të gjitha qytetet, ku rrugë të caktuar të zonave urbane, në një ditë të caktuar të javës, i kushtohen një fshati a komune”, u shpreh Veliaj. Ai propozoi idenë që gjatë një fundjave, Peza të ketë pazarin e vet lokal.
Sipas tij, në zonat rurale rreth e rrotull Tiranës, që tashmë janë pjesë e Bashkisë së re, ka nevojë për një rikonceptim të shpërndarjes gjeografike dhe organizimit të tregjeve, vendosjen në punë të sistemit të vaditjes dhe kullimit në të gjithë territorin, si dhe premtoi ngritjen e Qendrës së Agronomisë dhe Veterinarisë për të orientuar fermerët dhe Qendrën e Këshillimit dhe Mbështetjes së Zonave Rurale, për të ofruar asistencë teknike dhe grante për fermerët.
“Kjo fushatë nuk është për premtime fantastiko-shkencore, por për temat e thjeshta, për të cilat diskutohet në tavolinën e bukës të çdo qytetari. Ata flasin për gjëra konkrete, për shkollat, rrugët, tregjet etj, jo se çdo bëjë Saliu e Shkëlzeni. Po shkojmë në çdo njësi, fshat e qytet, që çdo njësi të ketë programin e vet konkret dhe çdo njeri të marrë vesh se ç’do ndodhë në lagjet e tyre. Po sjellim një projekt konkret për nevojat e çdo lagjeje, si një kostum që është qepur sipas masës së çdo njësie”, deklaroi Veliaj nga Peza.
Ai premtoi edhe hartimin e një guidë të plotë turistike për atraksionet turistike, vendosjen e një linje transporti të dedikuar drejt pikave turistike strategjike dhe ofrimin e incentivave për fermat dhe bizneset agrobujqësore.
10 zotimet për zonat rurale në Tiranë:
- Integrimin rrugor të zonave rurale në territorin e Bashkisë së Tiranës;
- Ndërlidhje me transport publik të gjithë territorit;
- Rikonceptim i shpërndarjes gjeografike dhe organizimit të tregjeve;
- Vendosjen në punë të sistemit të vaditjes dhe kullimit në territorin e Bashkisë Tiranë;
- Ngrejmë Qendrën e Agronomisë dhe Veterinarisë për të orientuar fermerët;
- Ngrejmë Qendrën e Këshillimit dhe Mbështetjes së Zonave Rurale për të ofruar asistencë teknike dhe grante për fermerët;
- Ndërtim i pikave të grumbullimit të prodhimeve bujqësore e blegtorale përmes skemave të PPP
- Hartojmë një guidë të plotë turistike për atraksionet turistike;
- Vendosim linja transporti të dedikuara drejt pikave turistike strategjike;









