Nga Zall-Bastari, në një takim me banorët atje, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se zgjedhja më e mirë që qyteti të vazhdojë të ecë përpara është vetëm Partia Socialiste e Shqipërisë. Ai theksoi se vendit nuk i duhet më një parti që të braktis, të lë në baltë e të çon mbrapa, por i duhet një parti që e çon vendin vetëm përpara me punë.
“Kur politika ikën 4 vjet nga Parlamenti, ikën 4 vjet nga Këshilli Bashkiak, ikën 4 vjet nga sistemi sepse thotë ‘meqë s’fitova unë, në djall vaftë, unë nuk shkoj fare’, pyetja është: Pse duhet t’i marrim në punë ca politikanë që kanë 4 vjet që janë zhdukur dhe tani që u bë deti kos, secili me lugën në brez dhe thotë ‘falas kjo, falas ajo’. Por, ata që u zhdukën katër vjet – jo në katër vite të lehta, por në katër vitet më të vështira të Shqipërisë – nuk e meritojnë mbështetjen tonë. Ata që ishin aty për të shërbyer, ishin aty për të ndihmuar, ishin aty për të bashkuar njerëzit, ata e meritojnë mbështetjen tonë. Dua t’ju ftoj publikisht që të vazhdojmë përpara. Me ‘indietro’, edhe shoferi më i mirë sa metra do bëjë? Këta thonë meqë unë kam hall, paçi halle të gjithë. Kurse ne themi meqë ne kemi punë, pafshim hajër të gjithë. Kjo është diferenca”, tha Veliaj.
Kandidati i PS për Bashkinë e Tiranës tha se halli i opozitës është se nuk kalojnë dot në Rinas, sepse janë shpallur ‘non-grata’. Ai krahasoi premtimet e kundërshtarit politik me Suden e fajdeve, e cila premtonte gjëra falas.
“Ai [Berisha] thotë, ‘unë kam hall se nuk shkoj dot në Rinas, nuk më japin vizë amerikane, jam non-grata, s’më takon njëri, kam ngelur tek-pull’. E keni parë si del, si i çmendur në televizor? Kjo bashki ka bërë qendra sociale për të moshuarit, ka psikologë, punonjës socialë, që edhe njerëz si Saliu, të kenë shpresë një ditë, që pavarësisht se janë ‘non-grata’, të mos iu mungojë dashuria dhe respekti në të gjitha qendrat sociale ku merremi me rastet e vështira. Kush e mban mend Suden, edhe Sudja falas thoshte. Ju kujtohet Sudja, kur dilte te rruga e Elbasanit, te kati -1? ‘Mbaroi’ tha Sudja, ‘s’ka më falas’. Mbaroi pra, mbaroi. Se i futën njerëzit lekët në fajde se u tha Saliu i keni të sigurta te Sudja. Tani vjen një Sude tjetër: njëherë vjen Sudja duke fjetur gjumë, njëherë vjen si kandidat për bashkinë, por është e njëjta Sude. Ju kujtohet çfarë kishte falas qeveria e tyre në Bashkinë e Tiranës? Tortën e Pavarësisë. Vetëm ajo ishte falas. Kap govatë, kap legen e kap kovë e secili kapte nga një copë torte. Ky është mentaliteti i tyre. E shohin shtetin si ato hordhitë, ta kapim, ta marrim. Ç’a do marrësh? Shteti, bashkia, qeveria, këshilli, janë për të bërë punë, jo për të ndarë tortë. Janë që Shqipëria të ecë përpara, Tirana të ecë përpara, Zall-Bastari të ecë përpara”, u shpreh Veliaj.
Veliaj: Kurrë më mbrapa te torta e Pavarësisë dhe zaptimi i Lanës; Fushata jonë, pozitive, pa të shara e debate
Kryetari i PS në Tiranë, Erion Veliaj tha se fushata do të jetë pozitive dhe bashkëpunuese, e madje ftoi edhe demokratët të votojnë Partinë Socialiste në 14 maj, si e vetmja forcë që e çon qytetin dhe vendin përpara.
Në takimin me banorët e Zall-Bastarit, Veliaj nënvizoi se fushata e mbjelljes së pemëve simbolizon bashkim. “Ne nuk e bëjmë këtë punë se kemi inat njeri, por e bëjmë këtë punë sepse e kemi pasion, se e duam njëri-tjetrin, duam të bashkojmë komunitetin dhe që gjërat të ecin përpara. Në këtë kuptim dua një fushatë pozitive, pa të shara, pa debat. Nëse ata [opozita] nuk binden nga puna, nuk ka problem, në demokraci biem dakord që të mos biem dakord. Por, nëse duan të kthehemi të torta e Pavarësisë, te zaptimi i Lanës, te zaptimi i Parkut Rinia, është punë e tyre. Megjithatë, unë besoj se shumica dërrmuese, siç është provuar në çdo palë zgjedhje, në Zall-Bastar do që gjërat të shkojnë vetëm përpara. Me këtë simbol të bukur të mbjelljes së pemëve, ne duam që në çdo komunitet të mbillet pastërti, jo pisllëk, të mbillet dashuri, jo inat, jo urrejtje, të mbillet bashkim, jo përçarje dhe në një vend ku një pjesë e politikës mbjell vetëm sherr dhe helm, ne duhet të jemi ilaç, pastërti, dashuri, mirësi dhe mbarësi”, u shpreh Veliaj.
Ai tha se të votosh për Partinë Socialiste është të votosh për punën dhe ecjen përpara. “Ata e kanë hallin të fusin sa më shumë njerëz te gropa e tyre, ndërkohë ne duam të nxjerrim sa më shumë njerëz edhe nga gropa e varfërisë, edhe e mungesës së infrastrukturës, edhe mungesës së mundësisë që të kemi gojën e të themi: sa ishim, i bashkuam njerëzit, nuk i përçamë; sa ishim u fokusuam te puna, jo tek dhuna; sa ishim, i ngritëm njerëzit lart, nuk i shamë, as fyem dhe as i ofenduam dhe sa kishim takat e mundësi, bëmë më të mirën për t’i shërbyer komuniteteve tona të jashtëzakonshme, duke filluar këtu në Zall-Bastar dhe në të gjithë territorin e Tiranës së madhe”, tha Veliaj./m.j