U përurua sot në lulishten përballë Bibliotekës Kombëtare monumenti i miqësisë Shqipëri-Kuvajt. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadori i Kuvajtit në vendin tonë, Fayez Al-Jassim, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab, Abdulëahab Al-Bader. Në fjalën e tij përshëndetëse, kryebashkiaku Veliaj theksoi se ky monument është dëshmi, së pari e miqësisë së ngushtë që ka ekzistuar mes dy vendeve tona dhe, së dyti, shenjë mirënjohje ndaj ndihmës dhe kontributit që ka dhënë Kuvajti në ndërtimin e një sërë veprash publike në Shqipëri, por në mënyrë të veçantë në Tiranë.
“Marrëdhëniet mes shteteve tona janë të shkëlqyera, por ajo që e bën këtë marrëdhënie kaq të fortë është baza e miqësisë që ekziston mes dy vendeve dhe pikërisht në këtë fushë, duke promovuar kontaktet njerëzore, mes njerëzve tanë, ku duhet të përpiqemi të bëjmë më shumë. Nuk është aspak koincidencë që ky monument është konceptuar në formën e një vend takimi, ku njerëz të zakonshëm mund të ulen, të pushojnë, bisedojnë nën hijen që ofron kjo shenjë miqësie”, tha kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.
Ai theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve mund të jenë më të ngushta në bashkëpunimin për projekte konkrete. “Bashkëpunimet kulturore midis dy vendeve, projektet e binjakëzimit apo investimet e rritura në turizëm dhe në investimet private, janë të gjitha këto fusha ku duhet të investojmë kohën dhe energjitë tona. E pikërisht, përmes këtyre veprimeve, forcohen marrëdhëniet mes njerëzve, popujve”, tha Veliaj. Nga ana tjetër, ai u ndal edhe te ndihma që Kuvajti i ka dhënë vendit tonë në zhvillimin e një sërë projektesh, kryesisht infrastrukturore dhe sociale.
“Ne jemi falenderues për bujarinë e popullit kuvajtian, që na kanë mbështetur në kohëra të vështira përmes projekteve të panumërta, që kanë patur një qëllim të vetëm: përmirësimin e kushteve të jetesës për shqiptarët. Projekti shkollor që ne do të jetësojmë në Tiranë me mbështetjen bujare e Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab, është njëri prej këtyre rasteve. Mijëra nxënës në Tiranë do të marrin një edukim më të mirë falë kësaj mbështetje”, deklaroi Veliaj.
Për këtë qëllim ai shprehu një falënderim të veçantë për Emirin e Kuvajtit, Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah për përpjekjet e tij për të promovuar dhe forcuar në vijimësi miqësinë që ekziston mes dy vendeve. “Ne në Tiranë kemi arsye për t’i qenë mirënjohës për bujarinë e Shkëlqesisë së tij. Vetëm 200 metra larg prej këtej, ne do të nisim shumë shpejt punimet për ndërtimin e sheshit kryesor të Tiranës, sheshit “Skënderbej”, që u iniciua fillimisht falë mbështetjes së shkëlqesisë së tij, gjatë mandatit të ish-kryebashkiakut Rama. Sheshi i ri “Skënderbej” do të jetë një tjetër monument dhe një dëshmi që tregon për këtë lidhje të veçantë si dhe një arsye për t’i përcjellë Shkëlqesisë së Tij, përmes jush, falënderimet tona të përzemërta. Ne kemi një traditë që i nderojmë miqtë tanë dhe Shkëlqesia e Tij, Emiri, sigurisht që ka tashmë statusin e një miku të madh të qytetit të Tiranës”, përfundoi kryetari i bashkisë fjalën e tij.
Nga ana e tij, ambasadori i Kuvajtit, Fayez Al-Jassim vlerësoi miqësinë dhe marrëdhëniet që ekzistojnë mes dy vendeve, duke konfirmuar se bashkëpunimi tashmë i konsoliduar do të vazhdojë edhe më tej. “Fondi i Shtetit të Kuvajtit, që ka funksionuar që prej vitit 1993, ka ndihmuar në zhvillimin e projekteve të ndryshme. Ne kemi filluar prej disa vitesh bashkëpunimin e miqësisë midis Shqipërisë dhe Kuvajtit me bashkëpunime të mëtejshme dhe gjej rastin për të falenderuar Shqipërinë dhe qeverinë e Shqipërisë për bashkëpunimin dhe për efortin që na japin në këtë bashkëpunim ekonomik”, u shpreh ambasadori, Fayez Al-Jassim.
Ndërkohë, në fund të ceremonisë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, iu përgjigj interesit që shprehën gazetarët në lidhje me këndin e lojërave te Parku i Liqenit. Më poshtë pyetjet dhe përgjigjet e plota:
– Z. Veliaj, edhe dy ditë për inaugurimin e këndit të lojërave. Së pari, do ruhet nga punonjës të Bashkisë, do të jetë aty dikush që do të kujdeset për fëmijët, treni do të jetë me pagesë?
Sot nuk është dita për të folur për këndin e lojërave, por pasnesër. Dua t’ju ftoj të gjithëve në 1 qershor. I mbaj gjithmonë premtimet, ndaj kam ndërmend ta mbaj edhe premtimin për hapjen e këndit të lojërave në datën 1 qershor. Sot, në fakt, po inaugurojmë një tjetër hapësirë publike. E mbani mend që kjo ka qenë një ndër hapësirat më problematike në Tiranë, e dini se nga kush frekuentohej dhe si përdorej. Sot është një hapësirë e re, e ndriçuar, e pastër. Ne besojmë se kur hapësira publike gjelbërohet, pastrohet, mbushet me ndriçim dhe me vepra arti, besoj që kemi një qytet që edhe mirëmbahet më shumë se sa zakonisht.
Vepra që kemi në sfond është prodhuar në Itali, sërish nga arkitektët britanikë të kompanisë Grimshaw, ka 700 pllaka të cilat simbolizojnë marrëdhënien e miqësisë që kemi me popullin e Kuvajtit dhe besoj se kjo mënyrë është një mënyrë shumë më elegante për të zgjedhur këto simbolika, sepse është një aset për qytetin siç është “Reja”, siç do të jetë pasnesër këndi i lojërave për fëmijë. Sigurisht që do të mirëmbahet, ne jemi shumë të kujdesshëm që çdo investim të mirëmbahet. APR do të ketë në dorëzim këndin e lojërave për mirëmbajtjen, animacionin dhe për aktivitetet, por sigurisht që shteti nuk mund të ketë monopolin e gjithçkaje.
Të gjithë duhet ta mirëmbajmë pronën publike, ndaj besoj se në datën 1 qershor do të nxjerrim edhe një mësim shumë të rëndësishëm se nuk duhet bërë shumë zhurmë për asgjë. Duhet të fokusohemi në gjëra më të rëndësishme. Këtë javë kemi disa projekte të tjera të rëndësishme, shembjen e ndërtesës së fundit që pengon Unazën e Vogël, do të vijojmë prapë me hapjen e rrugës së Kosovarëve, dhe besoj se e gjithë beteja e këtyre muajve disa herë me protesta, bllokime në gjykatë, e disa herë me angazhimin e personazheve politikë në punë fëmijësh, besoj se na ka dhënë një mësim: Tirana do të ecë përpara, Tirana respekton punën, njerëzit kanë shumë halle, duan që qyteti të bëjë progres, ndaj ju lus të gjithëve të na mirëkuptojnë teksa punojmë, por është e vetmja përgjigje që kemi për ata që na pengojnë: Punë, punë, punë! Njerëzit e duan punën, gjënë e bukur, qytetin e pastër. Kush provoi të na pengonte këtë muaj, besoj e ka marrë një leksion spektakolar nga kjo histori.
– Z. Veliaj, Presidenti ka kërkuar hetim ndërkombëtar për këndin e lojërave, si ju duket?
Më duket shumë për të qeshur dhe për një president i cili nuk prononcohet për gjëra shumë të rënda në Shqipëri, i kërkon Hagës të investigojë kalamajtë dhe lojërat. Më duket një mënyrë shumë butaforike për të lënë detyrën. Më dhimbset, me thënë të drejtën, por jeta kjo është, njerëzit bëjnë gafa dhe duhet të jetojnë me gafat që bëjnë.
– Po punohet intensivisht ndërkohë për të qenë gati?
Po punohet intensivisht. Siç e keni parë edhe nga publikimet dje, të gjitha skuadrat tona janë në terren. Sigurisht, duhet ta pranojmë se puna ka pasur shumë problematika, për faktin se shumë herë investimi është shkatërruar, kemi pasur një kompleks të Rozafës, ndërto shkatërro, ndërto, shkatërro, por me sa duket u lodhën duke shkatërruar dhe fitoi ndërtimi. Kjo është arsyeja pse na është dashur të vendosim projektorë, të punojmë me tre turne, sepse kam insistuar të mbaj fjalën e dhënë që pavarësisht disa dhjetëra herë që u shkatërrua e u dëmtua projekti, do mbaronte në datën 1 qershor dhe do mbarojë në datën 1 qershor dhe fëmijët e Tiranës do kenë atë të parin në datë 1 qershor dhe brenda verës punimet që kemi filluar te Materniteti i Ri, te Mine Peza, ku kemi avancuar goxha, e do të fillojmë disa parqe të reja, kemi disa surpriza gjatë verës.
Unë besoj që po duket shumë qartë; vërtet kemi vetëm 11 muaj, por po duket shumë qartë ekipi që punon dhe ai që bllokon. E vetmja kërkesë që kam është: Na lini të punojmë, jo se nuk do punojmë edhe me pengesa, edhe me hetime ndërkombëtare, por sigurisht që punohet më kollaj pa pengesa dhe nuk duam që vrulli që i kemi dhënë Tiranës në këto muaj të ngadalësohet për kapriçot e një politikani apo tjetri që e kishte në dorë ta rregullonte Tiranën për katër vite, por fjeti gjumë. (javanews.al /r.a)