Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar mbi pretendimet se është kërcënuar nga kryeministri Edi Rama nëpërmjet ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.
Shkresën, Veliaj ia ka drejtuar kreut të grupit parlamentar të PS Taulant Balla, të cilit i kërkon të hetohet nëse transferimi i tij nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit, ka qenë formë presioni për ta detyruar kryebashkiakun të pranojë organizimin e protestave kundër Ramës dhe të japë dorëheqjen nga drejtimi i Tiranës.
“Sot i jam drejtuar zyrtarisht Kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, me kërkesën për inicimin e ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar mbi ndërhyrjet dhe kërcënimet që kam deklaruar se janë ushtruar ndaj meje nga Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë.
Kam kërkuar të hetohet nëse transferimi im nga Durrësi në Fier dhe kushtet e paraburgimit janë përdorur si instrumente presioni për të më detyruar të pranoj organizimin e protestave në Tiranë dhe të jap dorëheqjen nga mandati që më kanë besuar qytetarët e kryeqytetit”, thotë Veliaj.
I pari i Tiranës shprehet i gatshëm për të dhënë llogari përpara Kuvendit, të paraqesë të gjitha provat që disponon dhe të ballafaqohet drejtpërdrejt me ministrin Gogu. Pretendimet e Veliajt janë: Ministri Gogu, në vizitën që i ka bërë në paraburgimin e Fierit mbrëmjen e 30 tetorit, i ka kërkuar në emër të Ramës, të pranojë se ka nxitur protestat kundër qeverisë, të japë dorëheqjen si kryebashkiak i Tiranës dhe t’ia delegojë kompetencat Arbër Hajdarit e të mos këshillohet me Plarent Ndrecën.
Të njëjtën llogaridhënie, Veliaj e kërkon dhe nga kryeministri Edi Rama.
“Jam i gatshëm të dëshmoj nën betim përpara Kuvendit, sipas ligjit, të ballafaqohem me Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe të paraqes çdo provë që disponoj. Kam kërkuar gjithashtu që Kryeministri Edi Rama t’i nënshtrohet të njëjtit standard llogaridhënieje.
Kërkesën ia kam drejtuar shumicës parlamentare të partisë sime, sepse kontrolli kushtetues mbi qeverinë nuk mund të kushtëzohet nga përkatësia politike e atyre që duhet të japin llogari. Kam vënë në dijeni edhe Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës dhe trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, si dhe kam kërkuar ruajtjen e menjëhershme të provave dokumentare dhe audiovizive.
Nuk kërkoj që Kuvendi t’i marrë si të mirëqena deklarimet e mia. Kërkoj që t’i hetojë. Mandati i një kryetari bashkie buron nga vota e qytetarëve dhe vota e qytetarëve nuk mund të bëhet objekt shantazhi politik”, thotë Veliaj.
/tvklan.al










