Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka deklaruar se Teatri i ri do të bëhet, kjo sepse e kërkojnë qytetarët dhe qyteti i së ardhmes. Teksa ishte në rikualifikimin e e një këndi të ri lojërash, Veliaj deklaroi se fëmijët e kryeqytetit meritojnë jo vetëm rrugë e sheshe më të mira, por edhe një teatër të ri. Ndaj, Veliaj theksoi nevojën për ndërtimin e një godine të re.
“Kjo është po ashtu e njëjta arsye pse edhe tek debati që kemi për investime në Tiranë, qoftë investimet në zgjerimin e bulevardit, qoftë zgjerimi i Lanës, bëhet për të krijuar Tiranën e të ardhmes. Tirana e së ardhmes nuk do vetëm rrugë, sheshe, asfalt, Tirana e së ardhmes do edhe kulturë. Kjo do të thotë që Tirana e së ardhmes do edhe një teatër të ri. Nuk mund t’ju themi fëmijëve që për nostalgjinë që kanë ca për tallashin, për shkrepëset, për algat dhe populitin e një teatri që është kthyer sot në një karakatinë, ju do vazhdoni të shkoni në kushte të tilla”, u shpreh Veliaj, teksa theksoi se brezi i ri nuk mund të mbetet peng i nostalgjive të së shkuarës. Ata meritojnë të kenë të njëjtin teatër, të njëjtën shkollë, të njëjtin kopësht, të njëjtën çerdhe, që ka dikush në Itali, që ka dikush në Greqi, në Austri, në Spanjë. Nëse nuk rritemi me këtë ambicie, do të vazhdojmë të ngelemi peng të nostalgjive. Njerëzit mund të kenë edhe nostalgji për komunizmin, mund të kenë nostalgji për çudira që na kanë ndodhur në këtë vend, njerëzit mund të kenë edhe nostalgji për pushtuesit, por ne nuk jemi peng i nostalgjisë. Ne jemi sot për një besëlidhje me të ardhmen, me rininë dhe me gjithë ata që do të jenë paja edhe garancia e Tiranës për nesër”, nënvizoi Veliaj.
Kryebashkiaku shprehu vullnetin për ndërtimin e teatrit të ri, duke e cilësuar këtë angazhim si të panegociueshëm.
“Teatri do të bëhet, ky është një angazhim edhe një përkushtim i pazëvendësueshëm e i panegociueshëm. Të gjithë ata që mundohen të bllokojnë këtë proces më kujtojnë se janë i njëjti grup që kanë qenë edhe tek lodrat te liqeni, edhe te Pazari i ri, edhe kur kemi ndërtuar shkollat, edhe kur ndërtuam bulevardin, edhe kur punuam për zgjatimin e Lanës, edhe kur bëmë Bulevardin e Kasharit. Pra, është i njëjti grup i cili shëtit dhe thotë mos prek këtë, mos prek atë”, deklaroi ai.
Teksa nënvizoi se Shqipëria nuk ka kohë për të humbur, Veliaj garantoi qytetarët e Tiranës se puna do të vijojë pavarësisht pakicave të zhurmshme që përpiqen të krijojnë pengesa. “Për parti të cilat vetëshpallin fitoren, nuk marrin pjesë në zgjedhje, vetë përjashtohen nga sistemi, dhe premtojnë gjëra që nuk do t’i realizojnë kurrë se nuk do zgjidhen kurrë, Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur. I garantoj të gjithë qytetarët e Tiranës që, siç nuk jemi tutur nga asnjë pakicë e zhurmshme këto katër vite që kaluan, as në katër vitet që do vijnë nuk do ketë asnjë hap prapa. Do të vazhdojmë me të pestin, për t’u siguruar që Tirana e së ardhmes ka edhe teatër, edhe shkolla, edhe kopshte, edhe çerdhe, edhe parqe, edhe terrene sportive”, tha Veliaj.
Sheshi i ri, në një nga lagjet më të vjetra në kryeqytet, pranë zonës së njohur si ish-Restorant Durrësi, plotëson nevojat e të gjithë grupmoshave të komunitetit në zonë me module e lodra për fëmijë e hapësira çlodhëse për të rritur (stola, hije, sheshe). Ai është i shtrirë në dy hapësira me një sipërfaqe prej 380 m2. /l.m