Kryetari i Bashkisë Tiranë dhe drejtuesi i qarkut të PS në Tiranë, Erion Veliaj është i ftuar në emisionin “Repoltix” në Report Tv me gazetarin Denis Minga. Sfidat për 25 prillin dhe fushata elektorale do të jenë në fokus të diskutimeve.
I pyetur nëse do preferonte një fletë votimi me emra ap me numra siç dhe u vendos, Veliaj tha se ndoshta ideale do të ishte me emra, por lista shfaqet probleme sidomos për Tiranën dhe për këtë iu gjend zgjidhja me nr. Ai tha se në fletën e votimit me numra të gjithë do të kontribuojnë së bashku për PS si një skuadër e madhe dhe e bashkuar.
“Votimi me nr apo me emra? Zgjidhja ideale ndodhsha do të ishte me emra, ku këto personazhe kanë një logo edhe në emrin e tyre përtej asaj të PS. Por në pamundësi që lidhej edhe me printimin e fletës së votimit që erdhi nga kompania sllovene, ku sidomos në Tiranë lista do të kthehej në çarçaf me nr ishte zgjidhja e duhur. Me parimin se të gjithë bashkë bëjmë më shumë se secili veç e veç, pra të gjithë të jemi të bashkuar nën logon e PS”, tha Veliaj.
Erion Veliaj ka folur për Mimi Kodhelin, Pandeli Majkon dhe Fatmir Xhafajn , të cilët janë renditur në pozicione jo fituese dhe rrezikuese në listën e Tiranës, duke thënë se ata janë 3 ikona dhe figura mjaft të vlerësuar si nga qytetarët ashtu edhe brenda PS. Ai tha se të tre do e thyejnë herësin dhe të renditen lartë dhe të marrin mandatin. Ai konfirmoi gjithashtu se lista e PS për Tiranën ishte propozim i tij dhe se nuk ka pranuar as 2 apo 3 propozimet që i ka bërë Edi Rama për emra të caktuar.
“Po e konfirmoj që pjesa më e madhe e listës është propozimi im, edhe kur kryeministri ka pasur propozime përgjigja ime ka qenë jo pasi i kam argumentuar se pse nuk kanë qenë të duhurit për skuadrën e Tiranës. Edi Rama na dha një dorë të lirë të 12 drejtuesve të qarqeve për listat. Në rastin e Mimi Kodhelit, Pandeli Majkos dhe Fatmir Xhafajt, jam i bindur që të tre do e thyejnë herësin. Majko është figura më e njohur kombëtare e PS pas Edi Ramës. Ai ka shënuar një nga momentet më të rëndësishme të historisë. Mimi Kodheli është një zonjë grua që ka shërbye në bashkinë Tiranë dhe më pas si deputete e ministre dhe në të gjitha rastet puna e saj dhe reputacioni ka qenë i pacenueshëm. Edhe Fatmir Xhafaj është autori i reformës në drejtësi dhe ndërkombëtarisht gëzon një respekt të jashtëzakonshëm. Këto tre kolegë do ta thyejnë herësi pasi jo vetëm kanë vlerësimin në popull por edhe pëlqimin brenda familjes së PS”, tha Veliaj.