Përpara miratimit të buxhetit të vitit të ardhshëm lokal, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministren e Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj, vijuan konsultimet me qytetarët në çdo njësi me Njësinë 5. Duke folur për investimet e mëdha që prekin këtë njësi, por dhe ato që janë planifikuar për vitin e ardhshëm Veliaj tha se fokusi te puna dhe bashkëpunimi me njerëzit janë çelësi i suksesit.
“Ne nuk jemi ndarë në të një majtë dhe të djathtë. Ne jemi ndarë në një grup që do të punojë dhe beson që përmes punës, bashkëpunimit, bashkimit dhe dashurisë për njëri-tjetrin vendi ecën përpara dhe një filozofi tjetër që, përmes dhunës, sharjes, përçarjes, djegies së gomave, bllokimit vendi ecën përpara. Nuk më rezulton kështu. Le të protestojnë pa fund, le të djegin të bëjnë çfarë të duan, le të vijnë me pistoletë, ne do t’i bëjmë lodrat.
Le të protestojnë, të bëjnë çfarë të duan, le të përçahen dhe të bllokojnë, ne do e bëjmë Parkun Olimpik dhe e bëmë. Le të bllokojnë dhe të djegin goma për Astirin ne do e bëjmë Astirin sepse sot te Njësia 5 hyhet më kollaj, sepse ka një nga akset kryesore të rrugës që e lidh edhe me juglindjen, e lidh edhe me Farkën e lidh edhe me zonën nga del nga Tirana në drejtim të lindjes, e lidh me autostradën e madhe, me Durrësin që pastaj vazhdon nga veriu në jug” u shpreh Veliaj.
“Jemi në një situatë dita me natën kur vjen puna te arsimi,” vuri në dukje kreu i Bashkisë.
“Vetëm këtë vit kemi hapur 40 shkolla. Një histeri: “jo po shkolla Kosova, – ja ku është shkolla Kosova, – jo po Sami Frashëri do shkojë në Paskuqan, jo po do bëhet pallat…. Çfarë s’mund të bëjmë nëse bashkëpunojmë, nëse fokusohemi te puna dhe nuk dorëzohemi para atyre që nuk ndërtuan një shkollë. Unë i them të gjithë kundërshtarëve të mi, ju uroj sukses, jetë të gjatë, dalshi faqebardhë në të gjitha ambiciet tuaja, por kam vetëm një pyetje, më thoni një shkollë që keni bërë. Kush ndërton shkolla po themelon të ardhmen e vendit. Po themelon pajën që ia lëmë një gjenerate tjetër. Shqipërinë si do duket nesër. Shqipëria do të duket nesër si shkollat duken sot,” tha Veliaj.
Ai shtoi se Kopshti Sunny Hill në Bllok është po ashtu kopshti më i kërkuar në Shqipëri.
Ndërsa, ministrja Ibrahimaj tha se Tirana është sot një qytet i transformuar falë vizionit dhe punës së kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj.
“Në kohën që unë kam qenë e re Tirana nuk ishte aspak kështu. Tirana nuk kishte kaq shumë drita. Tirana nuk kishte kaq shumë jetë. Sigurisht, nuk na shkonte mendja që Tirana mund të bëhej ndonjëherë Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe të kishte koncerte, festivale, evente, ekspozita. Të kishte përditë diçka ku ti jo vetëm të kaloje kohën por dhe të mbusheshe me pozitivitet. Kjo është Tirana e Erionit dhe ekipit të Erionit që unë uroj që të vazhdojë të jetë e tillë. Ka ende shumë gjëra për të bërë dhe do të ketë akoma dhe në 14 maj dhe pas 14 majit, po jam e bindur që Erioni me ekipin e tij dhe me mbështetjen e të gjithë qeverisë do ta bëjë Tiranën në një nivel që ne nuk mund ta imagjinojmë dot sot,” nënvizoi Ibrahimaj .
Investimet në Njësinë 5, Veliaj: “Kampusi sportiv te Aquapark, stadiumi i ri Dinamo dhe rikthimi i Kinema Agimit, prioritetet e vitit 2023”
Gjatë bashkëbisedimit me banorët e Njësisë 5 për buxhetin e vitit të ardhshëm, së bashku me ministren e Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj numëroi disa prej projekteve më të mëdha të planifikuara si në infrastrukturë, arsim, sport dhe kulturë.
Veliaj vecoi Parkun e Liqenit të Farkës, si një prej investimeve kryesore, që i jep më shumë frymë dhe Liqenit Artificial, rikonstruksionin e Stadiumit “Selman Stermasi”, “Aquaparkun”, Kinema Agimin, si dhe plot ndërhyrje në infrastruturën rrugore dhe disa shkolla të reja që pritet të ndërtohen akoma e që i përkasin njësisë 5.
Veliaj kujtoi si ishte më parë zona përreth Arenës Kombëtare dhe si është transformur sot: “Ju kujtohet Arena Kombëtare. Nga njëri cep nga ana e KQZ-së ishte gomisteri, nga ana e Sheratonit ju kujtohet ai lavazhi aty që shkonte shkuma përpjetë tamam si shkuma party. Sot arena kombëtare ka sjellë biznes, ka sjellë ekonomi, janë punësuar njerëz, është rritur vlera e pronës. Të njëjtën gjë duam ta bëjmë me stadiumin “Dinamo” për Njësinë 5 dhe për tu siguruar që gjithë Tirana e Re merr një vlerë të jashtëzakonshme”.
Një kampus sportiv tha ai do të ngrihet në zonën e pishinave publike tashmë të Tiranës. “Ne do të vazhdojmë transformimin me Aquaparkun, me parkun e pishinave. Nisëm pishinat dhe tani do mbarojmë me pjesën e futbollit. Duam të shtojmë edhe fusha tenisi dhe basketbolli dhe volejbolli. Do ta kthejmë në një kampus të vërtetë. Kemi pjesën e lojërave në ambiente të mbyllura. Ne atje duam që të jetë për ekipet sportive por kryesisht një kampus sportiv për çunat dhe gocat e mrekullueshëm të Njësisë 5”.
Një krahasim si ishte – si është sot, Veliaj e bëri edhe për zonën e Liqenit, ku tha se të paktën 98 ndërtime pa leje nuk ekzistojnë më në parkun më të madh të Tiranës: “E mbani mend si ishte Liqeni. Tirana e vjetër në vitin 2015 mbaronte te diga. Nga diga deri te Uillsoni 98 ndërtime pa leje. Ju kujtohet që ishte landifill për plastikë, për susta, për bojlerë, për lavatriçe, për frigoriferë. Në mes të Tiranës një fabrikë e madhe riciklimi. Sot është transformuar totalisht. Janë shtuar pistat e biçikletave. Është bërë amfiteatri. Kemi kapur 965 pemë të mbjella.
Duam ta mbyllim vitin me një shifër për Guiness, 1 milion pemë në Tiranë,” tha ai duke shtuar se i njëjti investim po bëhet edhe në Farkë. “Ne duam që parku i Farkës të jetë investimi më i madh për vitin 2023,” shtoi Veliaj.
Kinema Agimi do ti rikthehet kryeqytetasve dhe Njësisë 5: “Një nga gjërat që kemi buxhetuar për vitin tjetër duke qenë se shumë asete që i ishin dhënë privatëve, po ia kthejmë Bashkisë në një lëvizje të paprecedentë këto vitet e fundit, është edhe kinema Agimi. Më në fund “Kinema Agimi” është kthyer në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Është kinemaja klasike e Tiranës dhe agjencia jonë kreative edhe e industrive digjitale. Shumë shpejt do ta hapim për publikun. Për njësinë 5, sidomos për pjesën e vjetër të Pallateve Agimi do të jetë një kthim në nostalgjinë e kohërave që kemi kaluar në Tiranë në ato vite dhe do jetë edhe një mundësi fantastike për çunat dhe gocat që merren me film, me teatër, kinematografi dhe të gjithë artet digjitale”, u shpreh Veliaj.
Për infrastrukturën, Veliaj vecoi sistemimin e gjithë zonës së njohur si Triangolo: “Sigurisht ajo ka qenë një problematikë shumë e madhe. Jemi në prag të zgjidhjes së ngërçit të fundit dhe më në fund gjithë njësia, sidomos pjesa e juridikut shfryn te garda, del tek sheshi “Nënë Tereza” dhe pastaj lidhet me rrugët më të mëdha të Tiranës,” shpjegoi ai.
“Ne duam që këtë Pranverë të hapim Piramidën e Tiranës, pra një pjesë e buxhetit do të shkojë edhe për të bërë përfundimet e punëve tek Piramida. Piramida do të jetë shkolla më e madhe në Ballkan për teknologjinë e informacionit.
Sa i përket shkollave të tjera që i shtohen paketës së shkollave të reja Veliaj përmendi “26 Nëntorin”, rikonstruksionin e shkollës “Emin Duraku”, “Dëshmorët e lirisë”, etj./m.j