Kryetari i Bashkisë së Tiranës mbajti një fjalim në nisje të mbledhjes së këshillit bashkiak ku pritet të merren disa vendime të rëndësishme për projekte të ndryshme të kryeqytetit. Gjatë fjalës së mbajtur, Veliaj kritikoi ashpër opozitën e cila sipas tij po bën të pamundurën për të bllokuar punët e bashkisë nëpërmjet institucioneve që ata kontrollojnë. Por pavarësisht këtyre tentativave, sipas Veliajt bashkia po punon dhe ka arritur rezultate të mira në vetëm pak muaj në drejtim të përmirësismit të shërbimeve.
“Në 10 muaj 10 mbledhje të këshillit ndërkohë që në mandatin e shkuar u bënë 2 mbledhje në dy vjet. Tirana edhe pse jo perfekte, është sot më e pastër. Janë mbjellë mijëra pemë dhe në 1 qershsor fëmijët do të kenë parkun e lodrave te liqeni artificial.
Pavarësisht se kanë kthyer kundër bashkisë cdo institucion që drejtojnë, ne vijojmë punën. Shumica kanë kuptuar se kur shtrojmë një rrugët, e shtrojmë njësoj, si për të majtët edhe për të djathtët, dhe kur ndërtojmë një çerdhe i shërbejnë të gjithëve njësoj. Qytetarët votuan punën, jo llafet. Bashkia do vijojë të punojë pa ndërprerje. Nëse disa nuk duan, vetëm sa na e shtojnë dëshirën për punë. Në këto mbledhje mblidhemi për punë, dhe jo për tu marrë me llafe politike”, tha Veliaj./a.m.