Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Arben Ristani ka hedhur akuza drejtuar qeverisë dhe kryeministrit Rama, në lidhje me tragjedinë e ndodhur në rrugën Lungomare në Vlorë, ku humbi jetën një i mitur.
Ristani shkruan se për shkak të një grope në Lungomaren e Vdekjes humbi jetën një i mitur, dhe si gjithmonë, në vend që qeveria ta gjejë fajin tek vetja dhe mungesa e sinjalistikës, atë e “hedh” tëk vetë viktimat.
Deklarata e Ristanit
Lungomarja e ferrit për vlonjatët gjatë sezonit turistik, është kthyer në lungomaren e vdekjes.
Një i ri humbi jetën dje aty, për shkak të një grope në lungomare dhe në vend që qeveria e Edi Ramës të mbante përgjegjësi për mungesën e sinjalistikës për punimet që vazhdojnë pa fund e janë kthyer në makth për qytetarët, për gropat që lë pas kudo, rend t’ua kalojë, siç bën gjithmonë, përgjegjësinë të tjerëve, fajin tek viktimat.
Ndërsa vrasjet, vdekjet nga aksidentet, varfëria, mjerimi, papunësia shtohen, Edi Rama vazhdon të shijojë qejfet e tij nga Neë Yorku në Paris nga Milano në Mynih.
Sot çdo shqiptar e di që Edi Rama e donte pushtetin për veten e tij, për të rendur pas suksesit të munguar si piktor, për të blerë bileta mijëra dollarëshe, për të ndjekur ndeshjet e NBA në Majami, vizitat në stadiumin e Bajernit të Munihut apo pazaret në dyqanet më të shtrenja të botës./java/a.k