Klan News raporton se Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për vdekjen e sulmuesit të Egnatias, Rafael Dwamena. Për këtë arsye ditën e sotme janë marrë në pyetje mjekët që e pritën në spital. Ndërkohë prokurorët janë edhe në pritje të ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Dwamena u nda nga jeta rrugës për në spital pasi humbi ndjenjat gjatë ndeshjes Egnatia-Partizani që luhej në Rrogozhinë. 28-vjeçari u ndje keq në minutën e 24 të lojës dhe u rrëzua në tokë. Menjëherë iu dha ndihma e parë dhe më pas u dërgua me urgjencë nga Rrogozhina në Spitalin e Kavajës. Megjithatë mjekët thanë se lojtari shkoi aty pa shenja jete.
Dwamena kishte pasur edhe më parë probleme kardiake dhe prej tre vitesh kishte implantuar defibrilator.
/a.d