• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Sunday, September 27, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Vdekja e autorit

by Ardian Vehbiu
01/07/2024 13:52
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Ardian Vehbiu

Një lajm i hidhur, që një ditë do të vinte – dhe që i rriteshin gjasat me çdo ditë që kalonte; e megjithatë, që nuk ka kuptim dhe që nuk do të ketë shumë kuptim: I shquari Ismail Kadare u nda prej kësaj bote. Librat e tij i kemi dhe i lexojmë dhe do t’i lexojmë; fjala e tij gjithnjë na përhihet para syve dhe në mendje; bota e ndjellë prej fiksionit të tij letrar, sado fantastike, fiton dora-dorës një realitet të vetin, që qëllon edhe t’i mbivendoset këtij tonit, të përbashkëtit.

Si të pajtohet njeriu me ikjen e shkrimtarit? Më të lehtë e kam të përfytyroj dhimbjen e Helenës, të Gresës dhe të Besianës, por edhe të miqve që i kam pasur të përbashkët me të; kujtoj si do ta qante nëna ime, që e kish pasur shok të afërt, në universitet – por u nda nga kjo botë para tij, dhe duke lexuar një libër-intervistë me të, që ato ditë Covid-i sapo kish dalë. Siç arrij të përfytyroj dhimbjen e të gjithë atyre që e duan fjalën shqipe dhe janë identifikuar me frymën e veprës së tij, në trojet e shqipes dhe gjetiu në botë; dhe janë mësuar me praninë e tij herë në qendër, herë në periferi të vetëdijes së tyre. Njerëz të apasionuar pas dinjitetit, vlerës letrare, estetikës së fjalës; njerëz që te Kadareja kishin investuar shpresën e tyre, përballë mediokritetit kulturor që i rrethonte dhe që i rrethon ende. Dhimbjen e tyre e përfytyroj dhe bëhem pjesë e saj.

Njëlloj e mendoj edhe fundin e fenomenit Kadare si epilogun e asaj Shqipërie kulturore që, për shkak të një kombinimi unik rrethanash, arriti të materializohej në vitet politikisht më të errëta për qytetarët e saj, të cilët – pavarësisht nga frika, ankthi, dhuna totalitare dhe kalbëzimi moral – nuk i braktisën ambiciet e tyre. Brenda asaj Shqipërie kulturore Kadareja ishte barkëtari që tentoi ta zhvendoste vendin e vet nga Lindja në Perëndim, siç e zhvendosi veten; një orvatje njëherazi e dëshpëruar dhe e dënuar jo aq të dështonte, sa të pillte, në analizë të fundit, një lloj të ri izolimi në mediokritet. Por këtij tragetimi me barkë, si aventurë, nuk i munguan momentet herë rrëqethëse herë entuziaste; sikurse nuk i mungoi vullneti për gjeste të mëdha, dhe aq më tepër të mëdha, në krahasim me peshën e Shqipërisë në balancat globale.

Mjaft të kujtoj këtu rolin që luajti Kadareja – dhe sidomos, rolin që publiku në Shqipëri kujtoi se luajti Kadareja – në kalimin nga totalitarizmi në post-totalitarizëm; identifikimin e tij, në sytë e shumicës, me Disidentin me D të madhe, që nuk ishte; por që megjithatë veproi si i tillë, të paktën në fantazitë tona; dhe ashtu e patëm edhe ne një shkrimtar të madh, disident dhe “europian”, i cili u largua pastaj nga fushëbeteja, duke kërkuar strehë në Francë, njëlloj si Skënderbeu dikur, që pat zgjedhur të luftonte kundër ushtrive osmane rrethuese të Krujës duke u larguar nga kështjella.

Natyrisht, unë i përkas brezit që ende e mendon si të mbyllur, krijimtarinë e Kadaresë, në fund të vitit 1990; ndryshe nga një brez tjetër, mjaft më i ri, që atë autor e ka njohur me vepra të tjera, të ndryshme, të botuara më pas; dhe aq më keq, me angazhimin e tij si intelektual publik. Ai vit u tregua moment kthese jo vetëm për fatet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, në Europën e pas-Luftës së Ftohtë, por edhe për fatin e shkrimtarit, në përpjekjet e tij për të ruajtur atë relevancë që, në analizë të fundit, do të rezultonte triviale – në krahasim me radhët e librave që kishim në biblioteka. Dhe, në çdo rast, brezi im e njohu Kadarenë dhe u apasionua pas tij, duke e parë si shkrimtarin shqip, që shkruante për ne dhe që na ushqente me ato iluzione, për të cilat kishim nevojë; çfarë është edhe detyra edhe morale, edhe sociale, e letërsisë. Mbase edhe brezat që erdhën më pas, e lexuan krijimtarinë e tij të mëpasme sipas të njëjtave kode; çfarë më bën të përsërit se viti 1990 jo vetëm e ndau historinë e Shqipërisë dhe të Kadaresë vetë më dysh, por njëlloj i ndau edhe lexuesit e tij, ata që e patën zgjedhur për kapiten të tragetit, dhe që pastaj qëlloi që u gdhinë, një ditë pranvere të fillimviteve 1990, në një anije refugjatësh drejt brigjeve të Perëndimit, pa kapiten.

Tani është momenti i koreve të përshpirtshme dhe i klisheve të zhvarrosura dhe i fytyrave të vrerosura të të gjithë atyre që prej Kadaresë nuk kanë lexuar asgjë ose, më keq akoma, kanë lexuar por vetëm për t’u armatosur në betejat e tyre banale; momenti që prisnin të gjithë ata që eksitohen vetëm nga vdekja – sepse vdekja i lejon t’i nxjerrin në publik mendimet dhe qëndrimet e tyre të hekurosura. Do të thuhet, siç pritet, se njerëz si Kadareja “nuk vdesin kurrë”, paçka se kjo është çuditërisht e vërtetë, për çdo shkrimtar aq të dashur dhe aq të lexuar sa ai. Si për shumë të tjerë, edhe për mua shkrimtari i madh mbetet i gjallë dhe pishtar i ndezur, për sa kohë mbetet gjallë tek unë jehona e veprës së tij letrare dhe dëshira për t’iu kthyer e rikthyer.

Dhe ende nuk po flas këtu për atë Kadare – kategori tekstologjike dhe narratologjike, përemër të parë të gramatikës letrare e kulturore kombëtare – që e kemi bërë tonin dhe që na ka folur dhe na flet, madje edhe kur flasim për të, e përmendim, e diskutojmë dhe e kujtojmë. Tashmë i gramatikalizuar, ai e ka arritur pavdekësinë ndryshe nga ç’pretendojnë dhe ç’do të pretendojnë t’ia japin pushtetarët, burokratët dhe përfituesit që edhe këtë herë do të jenë të shumtë; dhe fati i tij nuk do të ndahet dot më, nga fati i kulturës shqipe në shekullin XXI e më tej; dhe të gjuhës shqipe, si gjuhë e denjë për ambiciet më guximtare.

I qoftë dheu i lehtë!

Next Post
“Yuri Kim e kuptoi…!”/ Kreshnik Spahiu: Për sa kohë Berisha të jetë kreu i opozitës, Edi Rama do jetë kryeministër

Një koment për ATA që po vjellin vrer edhe në vdekjen e Kadaresë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Shqipëria nuk ndalet pas Bjellorusisë, kuqezinjtë përgatiten për duelin me San Marinon

Shqipëria nuk ndalet pas Bjellorusisë, kuqezinjtë përgatiten për duelin me San Marinon

September 27, 2026
Tre debate të panevojshme për protestën

12 orë fitimtarë

September 27, 2026
Tabaku i përgjigjet Ramës: Shqipëria vuan nga një republikë e të korruptuarve

Tabaku i përgjigjet Ramës: Shqipëria vuan nga një republikë e të korruptuarve

September 27, 2026
Zyrtarët amerikanë paralajmërojnë për çmime më të larta të naftës dhe gazit, shkak mbyllja e Ngushticës së Hormuzit -

Tensionet SHBA-Iran përshkallëzohen! Garda iraniane kap dronin amerikan në Ngushticën e Hormuzit

September 27, 2026
Marta Kos: 2026, “viti i zgjerimit” të BE-së, Shqipëria mes katër vendeve kryesuese

Marta Kos: 2026, “viti i zgjerimit” të BE-së, Shqipëria mes katër vendeve kryesuese

September 27, 2026
Deklarata e fortë e Salianjit: Rama dhe Berisha të tregojnë çfarë diskutuan në takimin në Rinas

Deklarata e fortë e Salianjit: Rama dhe Berisha të tregojnë çfarë diskutuan në takimin në Rinas

September 27, 2026
Incidenti pranë bazës RAF Fairford, arrestohen 5 persona pas zbulimit të tre automjeteve të dyshimta, evakuohen 85 familje

Incidenti pranë bazës RAF Fairford, arrestohen 5 persona pas zbulimit të tre automjeteve të dyshimta, evakuohen 85 familje

September 27, 2026
Ministri Salla nga Devolli: Ndërhyrje konkrete për më shumë mbrojtje nga përmbytjet

Ministri Salla nga Devolli: Ndërhyrje konkrete për më shumë mbrojtje nga përmbytjet

September 27, 2026
Papa Leo XIV përpara 700 mijë besimtarëve në Paris: Ndajeni besimin me njerëzit që takoni

Papa Leo XIV përpara 700 mijë besimtarëve në Paris: Ndajeni besimin me njerëzit që takoni

September 27, 2026
Pagat e magjistratëve përplasin institucionet, Gjykata e Lartë nuk merr pjesë në tryezën e thirrur nga Rama

Pagat e magjistratëve përplasin institucionet, Gjykata e Lartë nuk merr pjesë në tryezën e thirrur nga Rama

September 27, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com