• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, November 27, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në TranzicionArtikujt dhe intervistat e mësipërme janë pjesë e serisë së refleksioneve rreth rolit të medias në tri dekadat e tranzicionit postkomunist, një projekt i JavaNews në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Medias, në kuadrin e Programit të Promovimit të Tranzicionit të Republikës Çeke. Pikëpamjet e shprehura janë të autorëve dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit apo partnerit të Projektit. Çdo portal / gazetë që do t’i ripublikojë këto materiale duhet t’i referohet burimit fillestar.
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Vate Vlora… na e morën çifutët

by Marenglen Kasmi
12/10/2026 08:46
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Marenglen Kasmi

Frika se mos na shesin Shqipërinë është pothuajse po aq e vjetër sa vetë shteti shqiptar. Nga vitet e turbullta pas shpalljes së Pavarësisë ka mbetur një anekdotë që i atribuohet Esat Pashë Toptanit.

Thuhet se një ditë, një grup fshatarësh të Shqipërisë së Mesme shkuan ta takonin, të shqetësuar nga thashethemet se pashai kishte ndër mend t’i shiste. Më i moshuari prej tyre mori guximin dhe e pyeti: «Pasha, kemi dëgjuar se do të na shesësh. A është e vërtetë?»

Sipas rrëfimit, Esat Pasha u përgjigj duke qeshur: «Rrini rehat, or dreqër, se edhe po të dua unë t’ju shes, nuk ju blen njeri!»

Nuk e di nëse Edi Rama, batutaxhi i lindur, do të gjente një përgjigje më të goditur. Por një gjë është e sigurt: më shumë se një shekull më vonë, thashethemi se dikush «po e shet Shqipërinë» i ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë së Mesme dhe ka mbërritur deri në Vlorë. Madje, këtë herë është zbuluar edhe blerësi: hebrenjtë!

Hebrenjtë, këta «mjeshtra të dredhisë», paskan vendosur të na marrin Vlorën. Me dredhi, natyrisht, se me trimëri nuk na e mori dot as Zheleznovi te filmi Ballë për ballë.

Kali i Trojës qenkësh Muzeu Hebraik Shqiptar, që po ngrihet në Vlorë. Një institucion që synon të dokumentojë historinë e hebrenjve në Shqipëri dhe shpëtimin e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, i cili në fantazinë e patriotëve tanë të alarmuar është shndërruar në instrumentin e një plani për t’ua dorëzuar qytetin hebrenjve. Dhe, meqë një pushtim i tillë nuk mund të mbetej pa emër, u gjet edhe fjala e duhur: «çifutizimi i Vlorës». Demek, vate Vlora… na e morën çifutët.

Çfarë nënkupton kjo? Do të ndryshojë popullsia e qytetit, gjuha, besimi apo historia e tij? Apo vlonjatët, pasi të hapet muzeu, do të zgjohen një mëngjes dhe do të zbulojnë se nuk janë më pasardhës të Ismail Qemalit, por të mbretit David?

Kjo do të ishte për të qeshur, po të mos fshihej pas saj një paragjykim serioz. Fjala «çifutizim» nuk është një term i pafajshëm. Ajo e paraqet praninë hebraike si kërcënim dhe një muze kushtuar historisë sonë si instrument të një pushtimi të supozuar kulturor e identitar.

Por historia e hebrenjve në Vlorë nuk fillon me ndërtimin e këtij muzeu. Qyteti ka qenë një nga qendrat historike të jetës hebraike në Shqipëri. Pas dëbimit të hebrenjve nga Gadishulli Iberik në fund të shekullit XV, aty u vendos një bashkësi e konsiderueshme hebraike. Kujtesa e kësaj pranie ruhet edhe sot në toponimin «Rruga e Hebrenjve».

Pra, muzeu nuk po sjell në Vlorë një histori të huaj. Ai po nxjerr në dritë një histori që i përket qytetit prej shekujsh. Dhe kjo nuk e bën Vlorën më pak shqiptare. Përkundrazi, na ndihmon ta njohim më mirë të kaluarën e saj.

Për të kundërshtuar ngritjen e këtij muzeu është mobilizuar i ashtuquajturi nacionalizëm primitiv. Çuditërisht sot, ndërkohë që projekti që i ka fillesat që në vitin 2020, pra kohë më parë se të fillonte lufta në Gaza.

E thënë në mënyrë të përmbledhur, nacionalizmi primitiv kërkon një histori njëdimensionale, të pastruar nga gjithçka që nuk përputhet me përfytyrimin e tij për kombin. Mirëpo Shqipëria nuk ka qenë kurrë një ishull etnik, kulturor apo fetar. Në qytetet tona kanë jetuar e kanë lënë gjurmë bashkësi të ndryshme, dhe hebrenjtë janë njëra prej tyre. Kur faktet nuk i shërbejnë përfytyrimit nacionalist, aq më keq për faktet.

Në rastin e Muzeut Hebraik të Vlorës, kjo mendësi arrin deri në absurditet. Ne mburremi, me të drejtë, se shqiptarët u hapën dyert hebrenjve të përndjekur gjatë Luftës së Dytë Botërore. E paraqesim këtë si dëshmi të besës, mikpritjes dhe humanizmit tonë. Por nëse ndërtohet një muze që do ta dokumentojë këtë histori, dalin patriotët e shqetësuar se mos po na «çifutizohet» Vlora!

Pra, shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë qenkan krenari kombëtare, ndërsa muzeu që do të tregojë historinë e tyre na qenka kërcënim për kombin. Vështirë të gjesh një kundërthënie më të madhe.

Në shumë vende të Evropës janë ngritur muze të Holokaustit për të dokumentuar përndjekjen dhe shfarosjen e hebrenjve. Ne kemi mundësinë të ndërtojmë një muze që, krahas tragjedisë së Holokaustit, dokumenton edhe shpëtimin e njerëzve të kërcënuar prej tij. Natyrisht, kjo histori nuk duhet kthyer në një legjendë të zbukuruar për konsum turistik. Ajo duhet dokumentuar me seriozitet, pa idealizime dhe pa fshehur ndërlikimet e kohës. Pikërisht këtë mund të bëjë një muze i mbështetur në kërkimin historik.

Por përse gjithë kjo armiqësi ndaj një muzeu të tillë? Për mendimin tim, pas saj qëndrojnë kryesisht dy arsye, të cilat nuk kanë të bëjnë me historinë e Vlorës dhe aq më pak me vetë muzeun.

E para është kundërshtimi pothuajse i pakushtëzuar i gjithçkaje që bën Edi Rama. Vështirë të kujtosh ndonjë projekt të rëndësishëm të tij që të mos jetë shoqëruar me akuza e dyshime. Natyrisht, Rama nuk është pa përgjegjësi për këtë klimë. Me kokëfortësinë dhe arrogancën që jo rrallë e karakterizojnë, nuk ua bën aspak të vështirë punën kundërshtarëve. Me të, siç thotë populli, mund të zihesh edhe duke ngrënë petulla.

Për një pjesë të kundërshtarëve të tij, nuk ka më rëndësi se çfarë bëhet, por kush e bën. Mjafton që një projekt të mbajë firmën e Ramës dhe «zullumi» merret i mirëqenë. Se ku qëndron «zullumi», këtë nuk e dimë ende, por do ta gjejmë patjetër. E në mos e gjetshim, do ta shpikim! Këtë herë, meqë bëhet fjalë për një muze hebraik, «zullumi» është as më pak e as më shumë, se Rama qenkësh duke shitur Vlorën te hebrenjtë! Hajde e mos qesh me historinë e Esat Pashës.

Arsyeja e dytë lidhet me qëndrimet ndaj Izraelit dhe konfliktit izraelito-palestinez. Në Shqipëri ekziston një simpati e konsiderueshme për çështjen palestineze, që ndoshta lidhet edhe me politikën e jashtme dhe propagandën e regjimit të Enver Hoxhës. Natyrisht, simpatia e sotme për palestinezët ushqehet edhe nga tragjedia e Gazës dhe shqetësimi i ligjshëm për vuajtjet e popullsisë civile. Por problemi fillon kur zemërimi ndaj politikave të shtetit të sotëm izraelit transferohet te hebrenjtë si bashkësi dhe te historia e tyre në Shqipëri.

Mund të kritikosh qeverinë izraelite dhe veprimet e saj ushtarake pa pasur asnjë paragjykim ndaj hebrenjve. Por kur ndërtimin e një muzeu për historinë hebraike e paraqet si «çifutizim» të një qyteti, nuk po kritikon më një qeveri. Po e trajton vetë identitetin hebraik si kërcënim dhe po hyn në territorin e antisemitizmit. Këtu ndryshon puna.

Kësisoj, armiqësia ndaj Edi Ramës, i cili është bërë gjemb në sy për kundërshtarët e tij politikë dhe personalë dhe zemërimi ndaj Izraelit gjejnë një pikë takimi te Muzeu Hebraik i Vlorës. Për të goditur një kryeministër dhe qeverinë e një shteti të huaj, përfundojmë duke kundërshtuar dokumentimin e një historie që na përket neve, shqiptarëve.

Kjo nuk do të thotë se projekti i muzeut është i pakritikueshëm. Mund të diskutohet për vendndodhjen, arkitekturën, respektimin e trashëgimisë kulturore dhe transparencën e vendimmarrjes. Por tjetër gjë është të kërkosh llogari për mënyrën se si ndërtohet një muze dhe krejt tjetër ta paraqesësh atë si pjesë të një plani për t’ua dorëzuar Vlorën hebrenjve.

Edhe pretendimi se ndërtimi i muzeut po cenon godinën historike të ish-Klubit Patriotik «Labëria» është një tjetër spekulim. Bëhet fjalë për dy objekte të ndryshme: godina e ish-Klubit «Labëria» nuk është ajo ku po ndërtohet muzeu. Të ngatërrosh këto dy godina për të krijuar përshtypjen se po sakrifikohet historia kombëtare në emër të një muzeu hebraik, nuk është mbrojtje e trashëgimisë historike, por shtrembërim i fakteve.

Pikërisht përballë kësaj klime thashethemesh dhe alarmesh të përhershme, përgjegjësia e intelektualëve dhe e njerëzve me ndikim në opinionin publik bëhet edhe më e rëndësishme. Nuk mund të jetojmë përjetësisht nën alarmin se Shqipëria po shitet, se shqiptarët po ikin të gjithë, se vendin po na e marrin herë hebrenjtë, herë rusët e kushdo tjetër që na sjell përpara fantazia e rrjeteve sociale. Kritika ndaj qeverisë është e nevojshme, madje e domosdoshme, por ajo duhet të mbështetet në fakte dhe jo në thashetheme e dyshime të kthyera në të vërteta. Nëse edhe njerëzit që kanë dijen dhe mundësinë për t’i verifikuar këto pretendime përfshihen në këtë vorbull, atëherë kush do t’i vërë fre marrëzisë?

Në fund të fundit, Shqipërinë nuk e shet dot askush duke ndërtuar një muze. Aq më pak mund ta humbasim Vlorën duke treguar historinë e saj. Por mund të humbasim diçka tjetër, shumë më të rëndësishme: aftësinë për ta njohur dhe respektuar historinë tonë pa e gjymtuar sipas paragjykimeve e inateve të ditës. Kjo do të ishte vërtet një humbje që nuk na e shkaktojnë as hebrenjtë e aq më pak Edi Rama, por ia shkaktojmë vetes. Për dreq, nuk do të ishte hera e parë.

Comments 1

  1. Anonymous says:
    October 23, 2026 at 04:44

    Përgjigje Marenglen Kasmi – Punonjës Shkencor pranë Insitutit të Historisë, së Akademisë së Shkencave, shkrimit të tij “Vate dhe Vlora, na e morën çifutët.”
    #AShSh
    #MarenglenKasmi
    Prof. asoc. Marenglen Kasmi është studiues i historisë moderne. http://www.akad.gov.al

    Ju lexova me kërshëri. Kuptova fillefund që ju nuk keni aspak dijeni se për çfar po protestohet në Vlorë. Vetëm popujt nomadë nuk kanë Identitet Kombëtar dhe Trashëgimi Kulturore Shpirtërore dhe Materiale.
    Të gjitha kombet në botë kanë simbolet e tyre ashtu si edhe Ne kemi tonat. Kemi Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeun, kemi Flamurin tonë Kombëtar Kuqezi, kemi Ismail Qemal Vlora themeluesin e Pavarësisë, kemi Lidhjen e Prizrenit 1878, kemi Sheshin e Flamurit ku ungrit Flamuri Kuqzi dhe u mëvetësuam nga Turqia, kemi Varrezat e Heronjve dhe Dëshmorëve, kemi Shëpinë e Abetares të Gjuhës Shqipe, ashtu edhe kemi godinën e Klubit Patriotik Labëria, Monument Kulture i Kategorisë së I-rë shpallur nga qeveria Shqiptare në vitin 1982 e të tjera.
    Mbrojtja këtyre simboleve nuk është “nacionalizëm primitiv” !
    Këtu nuk është e rëndë ngritja e një muzeu hebraik, këtu është e rëndë shkatërrimi i Simboleve tona Kombëtare dhe ngritje mbi to e muzeumeve të tjera.
    Unë të mirëkuptoj sepse ti nuk e njeh qytetin e Vlorës dhe nuk ke se si ta dish që pranë godinës së Klubit Patriotik Labëria, është edhe vilë shumë e bukur tre katëshe e hebreut Pepe Levi, në pronësi sot të shtetit shqiptar, shumë e përshtatshme për një muze çfarëdo. Për kaq të mirëkuptoj. Për mashtrimin që thua që janë dy godina të ndryshme nuk ka mirkuptim. Mashtrimi dhe dezinformimi është i dënueshëm. Ju e dini më mirë se unë që po imitoni Gëbelsin që ju aq mirë e njihni sepse keni studjuar në Gjermani !
    Përse do të tjetërsohet Klubi Patriotik Labëria themeluar në vitin 1908 me President Nderi Ismail Qemal Vlora dhe pararendës i Pavarësisë së Shqipërisë ?!
    Përse do të tjetërsohet ky kompleks Arkitekturor Monument Kulture i Kategorisë së I-rë, Mbrohet nga Shteti ?!
    Mungesa e informacionit nga ju është se përse tjetërsohet një nga Simbolet tona Kombëtare dhe jo pse ngrihet një muze hebre ?!?!
    Zotëri drejtues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, çka kamë thënë më lartë nuk janë për tu anash kaluar. Dumbabiste është qëndrimi juaj dhe i gjithë të tjerëve që mendojnë si ju.
    Ti nuk e di po në Zonën Muzeale të qytetit tonë është Monument Kulture, mbrohet nga shteti “Rruga e Hebrejve” dhe nuk është vetëm rrugë por edhe banesa dy e tre katëshe në të dy anët e saj.
    Në raste ju quani dumbabistë qytetarët vlonjate dhe shqiptarët që me forcë po mundohen të mbrojnë Simbolet Kombëtare jeni shumë gabim. Vëndi i punës të detyron të shkelësh vetveten dhe integritetin tënd intelektual, por të marrësh guximin dhe të shkruash publikisht për të përdhosur Simbolet tona Kombëtare nuk është padituri, është diçka më shumë se kjo. U zgjata i bindur që ju nuk keni dijeninë e plotë për çfar po protesohet në Vlorë dhe keni shkruar si një servil i mirëfilltë i kryetarit tuaj. Krahasimet që ke bërë janë shumë të pavënda dhe nuk ju nderojnë aspak .
    Është e turpshme që Akademia e Shkencave të Shqipërisë shpalos mendimin nëpërmjet jush në mbrojtje të shkatërimit të Trashëgimisë sonë Kulturore, Shpirtërore dhe Materiale si dhe del në mbrojtje të cënimit të Identitetit tonë Kombëtar. Heshtni !

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

U përjashtua apo jo Spiropali? Deputetja e PS: S’ka vendim, kur të ketë një të tillë do bëhet publik

Rama flet për përplasjen me Spiropalin: Elisa është njeri i lirë! Nuk është më e detyruar të më ndjekë mua dhe PS

November 26, 2026
Spiropali thirrje opozitës: Të shohë përtej penxhereve e hekurave, të na bashkohet në Komisionin e Posaçëm

Kallëzimi në SPAK/ Spiropali: E di kush e ka bërë, por nuk më stepin dot!

November 26, 2026
Sponsorizimin po e “varrosin” me gjobën e aprovimit paraprak!

Sponsorizimin po e “varrosin” me gjobën e aprovimit paraprak!

November 26, 2026
Nuk e paragjykoj partinë e re, por…

Nuk e paragjykoj partinë e re, por…

November 26, 2026
Sa ‘zogj’ vrau Edi Rama, dhe pse Kuvendi me 101 deputetë e mban në pushtet deri 2050?

Pas protestave, Spahiu zbulon emrat e 10 partive të reja: Përçarja e opozitës do të forcojë dyshen Rama-Berisha

November 26, 2026
“Më monitoronin në kafet që dilja”, Spiropali: Ka deputetë të trembur nga vetja…

“Më monitoronin në kafet që dilja”, Spiropali: Ka deputetë të trembur nga vetja…

November 26, 2026
“Me Saliun do kishim qëndruar në baltë”- Frrok Çupi: Berisha është vetë dhuna, është specie më vete dhe nuk e pranon tjetrin!

Protesta e 28 Nëntorit, Çupi: As shqiptari më i keq nuk e dëmton vendin në Ditën e Flamurit!

November 26, 2026
Dhunoi barbarisht gruan: Gjykata e la në arrest shtëpie, i dënuari sfidon duke punuar në lokal

Dhunoi barbarisht gruan: Gjykata e la në arrest shtëpie, i dënuari sfidon duke punuar në lokal

November 26, 2026
Donald Trump “ul gjakrat” me senatorin e Michigan: El-Sayed është djalë i zgjuar

Donald Trump “ul gjakrat” me senatorin e Michigan: El-Sayed është djalë i zgjuar

November 26, 2026
Marrëdhëniet Rama-Vuçiç tashmë të zbehura? Spiropali: Shqipëria partneri më i besuar në rajon

“Unë ‘kryepuçistja’”, Spiropali shpërthen në kritika: Shqipëria është kthyer në parti-shtet

November 26, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In