Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar sërish sot lirimin e ish-komandantit të UÇK-së, dhe kreut të AAK Kosovë, Ramush Haradinaj i arrestuar 3 ditë më parë në Francë, në aeroportin e Baselit. Pas kryetarit Ilir Meta, kreu i grupit parlamentar i LSI-së, Petrit Vasili deklaroi sot se arrestimi i Haradinajt është një zhvillim negativ e veprim i gabuar në kohën e gabuar. Ai kërkoi lirimin e tij të menjëhershëm, si zgjidhja e vetme, ndërsa njoftoi se Meta ka komunikuar me familjen Haradinaj si dhe ambasadorin në Francë.
“Ky ka qenë një veprim i gabuar në kohën e gabuar. Fitimi i momentit të humbur do të ishte vetëm një, lirimi i menjëhershëm i Haradinaj dhe sqarimi i këtyre procedurave të fosilizuara duke ndaluar praktikën e ndalimeve të tilla të paligjshme dhe provokative që shkojnë kundër frymës që të gjithë faktorët po përpiqen të ndërtojnë mes Kosovës dhe Serbisë. Në një vlerësim tërësor, e tërë kjo ngjarje ishte një zhvillim negativ, që në qendër pati për fat të keq një person që ka demonstruar raportin më luajal si zoti Haradinaj që është përballur me gjykatën e Hagës në dy raste. Është përballur me drejtësinë 2 herë dhe nuk e ka bishtnuar. Zgjidhja e vetme, lirimi i tij i menjëhershëm dhe ndalimi njëherë e përgjithmonë i praktikave të tilla”, theksoi Vasili.