Shkencëtarët britanikë bëjnë thirrje që masat anti-Covid të lehtësohen me kujdes dhe të llogariten mirë.
Ata thonë për mediat e këtij vendi se nuk përjashtohet mundësia e përhapjes së një varianti të ri që mund të shkaktojë shumë herë më shumë të vdekur se deri tani.
Mark Woolhouse: Varianti Omicron nuk e ka prejardhjen nga Delta. Ka ardhur nga një pjesë krejtësisht e ndryshme e pemës familjare të virusit. Nisur nga kjo, ne nuk e dimë se nga cila pjesë e kësaj peme do të dalë varianti i radhës. Kështu që nuk mund të jemi të sigurtë nëse do të jetë më pak apo më shumë i dëmshëm.
Ekspertët në Britaninë e Madhe, ashtu si edhe ata të OBSH-së duken të shqetësuar nga vendimi i qeverisë së Boris Johnson për të hequr të gjitha masat kundër përhapjes, duke nisur nga 24 Shkurti.
Reduktimi i infektimeve me Omikron, një variant që përhapjet shumë herë më shpejt se pararendësit, por që shkakton shumë herë më pak dëme shëndetësore ka krijuar deri më tani idenë se pandemia po shkon drejt fundit.
Nisur nga kjo, jo vetëm në Britaninë e Madhe por edhe në vende të tjera europiane e Shtetet e Bashkuara, qeveritë po reduktojnë gradualisht masat kufizuese.
/b.h