Analisti Lorenc Vangjeli, i ftuar në emisionin “Trialog”, u shpreh se “politika shqiptare ndodhet në një krizë të thellë”.
Sipas tij, kriza përfshin jo vetëm marrëdhëniet mes maxhorancës dhe opozitës, por edhe funksionimin e vetë institucioneve.
“Mendoj që shoqëria shqiptare është në krizë, politika shqiptare është në krizë. Në krizë janë marrëdhëniet mes maxhorancës dhe opozitës, siç ka qenë gjithmonë. Në krizë janë marrëdhëniet mes pushteteve të ndryshme. Ekzekutivi dhe legjislativi janë në krizë, pikërisht sepse drejtohen nga e njëjta dorë. Vetë sistemi i drejtësisë është në krizë, ngado që ta kthesh kokën është krizë. Hapat janë graduale, duhet ndjekur gjëja në dinamikë dhe duke e transpozuar në politikë. E vetmja zgjidhje mund të vijë sërish nga politika”, tha Vangjeli.
Analisti shprehu skepticizëm për aftësinë e politikës shqiptare për të prodhuar zgjidhje.
“A kanë kapacitet ta bëjnë? Me dhimbje them që jo. Sepse i mungojnë jo vetëm kapacitetet, por kam frikë edhe dëshira. Pikërisht kriza e politikës është ajo që u jep jetëgjatësi individëve brenda saj”, tha Vangjeli.











