Nga Orest Shurdha
Në ekranet televizive, flitët se policia duhet të jetë e vetëpërmbajtur, të ushtrojë forcë proporcionale, të mos e teprojë me dhunën. Të gjitha këto janë të drejta. Por ka një pyetje që rrallë dëgjohet: kush duhet të jetë proporcional me gurin që i vjen policit në kokë? Me molotovin që i shpërthen përpara? Me fishekzjarrët dhe lëndët piroteknike që hidhen mbi të? Apo me pllakat e bulevardit që shkëputen për t’u kthyer në armë?
Për shumë studio televizive, polici duhet të japë llogari për çdo veprim, ndërsa protestuesi që shkul pllakat, djeg koshat dhe sulmon uniformat, shpesh trajtohet si një qytetar i zemëruar që po shpreh pakënaqësinë. Zemërimi mund të jetë legjitim. Vandalizmi nuk është.
Një gur i hedhur me forcë në kokën e një polici mund të jetë vdekjeprurës. Një molotov mund të djegë njeriun, jo vetëm ndërtesën. Dhe kur dikush i vë zjarrin një dere prej druri, nuk po sulmon qeverinë, por po rrezikon jetën dhe pasurinë e dikujt tjetër.
Shumë biznese janë detyruar të mbulojnë vitrinat me hekura e llamarina, për të mbrojtur çfarë kanë fituar me vite pune. Këta njerëz nuk kanë asnjë përgjegjësi për skandalet e qeverisë, por përfundojnë pengje të zemërimit politik. Përse duhet të paguajnë ata faturën e një revolte që nuk e kanë shkaktuar?
Dhe çfarë duhet të bëjë policia? Të qëndrojë si tabelë qitjeje, ndërsa mbi të fluturojnë gurë, fishekzjarrë e molotovë? Të presë derisa të plagoset rëndë ndonjë efektiv, pastaj të dëgjojë ngushëllimet e studiove televizive?
Policia ka detyrimin të mbrojë jetën, pronën publike e private dhe sigurinë e qytetarëve. Ka edhe detyrimin të respektojë të drejtën e protestës, të mos përdorë forcë të panevojshme dhe të japë llogari për çdo tejkalim. Nëse një efektiv ushtron dhunë të pajustifikuar, duhet të hetohet. Por edhe protestuesi që sulmon policinë duhet të mbajë përgjegjësi.
Po, në kaosin e përplasjes policia mund të gabojë. Mund të përdorë forcë të tepruar, mund të godasë dikë që nuk përbën rrezik, mund të ngatërrojë protestuesin paqësor me atë të dhunshmin. Këto nuk justifikohen me uniformën. Por as gurët nuk justifikohen me flamurin e protestës. Forca proporcionale nuk do të thotë që polici duhet t’i përgjigjet gurit me një gur tjetër. Do të thotë të ndalojë sulmin me mjetet e nevojshme, pa e kthyer ndëshkimin në hakmarrje.
Atëherë, kush i pengoi protestuesit paqësorë të protestonin? Kush ua mohoi të drejtën për të ngritur zërin? Jo domosdoshmërisht policia. Ata që shkulën pllakat, sulmuan efektivët dhe dogjën pronën publike e private, dëmtuan edhe vetë protestën. E kthyen një pakënaqësi politike në një betejë ku qytetari i zakonshëm humbet dy herë: nga qeveria që e ka zemëruar dhe nga vandalizmi që i shkatërron atë që ka.
Por përgjegjësia nuk mbaron te protestuesit. Edhe opozita ka një detyrim politik: të dallojë protestën nga dhuna dhe kundërshtarin politik nga polici që kryen detyrën. Nëse Berisha kërkon të vijë në pushtet duke e paraqitur çdo përplasje si provë të një regjimi policor, ndërsa justifikon ose përkrah shkatërrimet, atëherë nuk po mbron qytetarin. Po përdor zemërimin e tij për interesin e vet politik.
Opozita mund të kërkojë dorëheqjen e qeverisë, të organizojë protesta masive dhe të denoncojë çdo dhunë policore. Kjo është demokraci. Por nuk mund të kërkojë njëkohësisht që policia të garantojë rendin dhe të duartrokasë ata që e sulmojnë. Nuk mund të kërkojë shtet ligjor vetëm për kundërshtarët e vet.
Në Francë, Itali, Gjermani, Greqi apo Angli, debati për dhunën policore ekziston dhe policia duhet të kontrollohet kudo. Por edhe sulmet ndaj efektivëve dhe shkatërrimi i pronës dënohen. Nuk ka demokraci serioze që ta shpallë vandalizmin formë të privilegjuar të protestës. Asnjë krahasim me partitë apo politikanët e huaj nuk e zëvendëson nevojën për të gjykuar faktet konkrete këtu, në Shqipëri.
Dhe një pyetje tjetër mbetet pa përgjigje: nga vijnë molotovët, fishekzjarrët dhe mjetet e tjera piroteknike që përdoren në protesta? Kush i siguron dhe kush duhet të hetojë për këtë? Nëse ka shkelje të ligjit, përgjegjësia nuk mund të ndalet te ai që i hedh, por duhet të shkojë deri te ata që i organizojnë dhe i furnizojnë.
Në fund, nuk ka asnjë arsye që të zgjedhim mes dy ekstremeve: të justifikojmë çdo veprim të policisë ose të justifikojmë çdo veprim të protestuesit. Një shtet demokratik duhet të mbrojë të drejtën për të protestuar, por edhe të drejtën për të mos u djegur dyqani, për të mos u shkatërruar prona dhe për të mos u goditur polici.
Policia nuk është mbi ligjin. Por as protestuesi nuk është mbi ligjin. Nëse duam drejtësi, duhet të kërkojmë llogari nga të dyja palët. Përndryshe, nuk po mbrojmë protestën. Po i japim vandalizmit një alibi politike dhe po i kërkojmë policisë të bëjë detyrën me duart e lidhura.











