Valët e të nxehtit në të gjithë Greqinë kanë shkaktuar vdekje, mes temperaturave përvëluese, që kanë thyer rekorde në disa qytete.
Paralajmërimet janë lëshuar në shumë qytete pasi i nxehti ekstrem ka detyruar njerëzit të punojnë nga shtëpia, ndërsa shkollat, kopshtet si dhe disa atraksione turistike janë mbyllur. Temperaturat arritën në 44.5 gradë Celsius dhe gadishullin e Peloponezit. Athina shënoi 42 gradë Celsius ndërsa autoritetet lëshuan alarm të nivelit të tretë për nxehtësinë.
Një turist holandez u gjet i vdekur më 5 Qershor në Kretë. Dy turistë francezë në Sikinos dhe një turist amerikan në Amorgos janë ende të zhdukur. Këto janë vetëm të fundit në një seri rastesh ku vizitorët u zhdukën për shkak të vapës ekstreme. Ndërkaq një valë e nxehtë ka përfshirë gjithashtu Qipron ndërsa një tjetër i moshuar ka vdekur nga goditja e nxehtësisë. Të paktën tre pacientë të moshuar janë në gjendje të rëndë.
Italia aktualisht është përfshirë nga një anticiklon afrikan që ka rregjistruar temperatura 40 gradë Celsius. Deri në fund të javës, termometri do të regjistrojë 39-40C në Romë, Napoli dhe Firence, ndërsa do të arrijnë 42-44C në Sardenjë dhe Siçili.
Në Stamboll, autoritetet kanë lëshuar paralajmërime për grupet vulnerabël si të moshuarit, të sëmurët, gratë shtatzëna dhe fëmijët për të mos dalë në orët e pikut. Nga ana tjetër edhe njerëzit në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, qytetarët u hodhën në lum për t’u freskuar për shkak të të nxehtit.
Agjencia meteorologjike e Maqedonisë së Veriut parashikoi temperatura deri në 39 gradë Celsius në Shkup gjatë ditëve në vijim, ndërsa në Serbinë fqinje autoritetet tashmë kanë lëshuar paralajmërime për temperaturat e larta këtë javë. Evropa është kontinenti me ngrohjen më të shpejtë në botë, sipas analizave të Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike të BE-së Copernicus.
Një raport i përbashkët nga Organizata Botërore Meteorologjike e OKB-së i publikuar në fillim të këtij viti zbuloi se gjatë 20 viteve të fundit, vdekjet e lidhura me valët e të nxehtit janë rritur me 30 për qind në Evropë.
/a.r