Valdet Rama rigjen buzëqeshjen pas dëmtimit që po e mban jashtë fushve që prej fillimit të sezonit. Ish sulmuesi i Kombëtares Shqiptare është bashkuar në stërvitje me ekipin gjerman të Mynih 1860 duke konfirmuar rehabilitimin e plotë. Mjekët e ekipit të dytë të Mynihut konfirmojnë për mediat gjermane se sulmuesi shqiptar nuk ndien më dhimbje dhe është në dispozicion të trajnerit. 27-vjeçari u dëmtua fillimisht në muajin Gusht dhe që prej asaj periudhe ai nuk ka mundur t’i zgjidhë përfundimisht problemet fizike duke humbur edhe besimin e trajnerit të Munchen 1860, Benno Möhlmann.
Gjithsesi rikthimi i tij në dizpozicion të stafit është një lajm i mirë për skuadrën bardhkaltër që këtë sezon lufton për të qëndruar në Bundesliga 2. Aktualisht, Munchen 1860 renditet në vendin e parafundit me 9 pikë, 3 më pak se Fortuna Düsseldorf. Dëmtimi e ka detyruar Ramën të qëndrojë edhe jashtë Kombëtares Shqiptare, por ai ka shprehur bindjen se mund të rikthehet në nivelet më të larta për të marrë një ftesë nga trajneri Giani de Biassi. Rama u transferua te skuadra bavareze në merkaton e vitit 2014 dhe pas një starti pozitiv dëmtimet e penguan të zhvillonte një sezon të qetë. Kontrata e tij me Munchen 1860 skadon në muajin qershor të vitit të ardhshëm.
Supersport