Një vajzë e mbuluar ka replikuar me analistin Mustafa Nano ndërsa ka sjellë edhe historinë e saj personale.
Një ditë më parë, Nano në monologun e tij në ‘Provokacija’ u shpreh se është një kulturë e tërë patriarkale që iu imponohet femrave myslimane, e që nuk u lë zgjedhje tjetër, veçse të veshin hijabin.
“Dhe ky presion i madh, mes të cilit ato gjenden, mund të sfidohet veç nga gra me bole” – tha Nano të mërkurën.
JavaNew.al sjell mëposhtë shkrimin e Nada Dostit dhe atë të Mustafa Nanos.
Nga Nada Dosti
Kjo vajza që shihni në foto jam unë. Jam në të 30-at dhe jam gazetare, po ashtu si Masih Alinejad, vetëm se me ca vite mbi supe më pak. Nuk kam shkruar ende një libër, por së shpejti po mendoj ta bëj (le ta shohim). Librin do e kisha titulluar “Mjaft u treguat femrave se çfarë të veshin: frymëzuar nga nisma “Stop Telling ëomen ëhat To wear”.
Ndryshe nga Alinejad, unë nuk kam lindur në një vend ku mbulesa është e detyrueshme, madje e kundërta është e vërtetë. Kam lindur dhe jam rritur në Shqipëri, në një shoqëri paragjykuese ku sundon mentaliteti shtypës e partiarkal, i ku njerëzit të imponojnë njëtrajtshmërinë dhe të paragjykojnë nëse guxon të jesh ndryshe; të vishesh ndryshe.
Pikërisht në këtë shoqëri të mbyllur e paragjykuese, ku ka plot seksizëm e ku femra shikohet si objekt dhe jo si individ me intelekt, unë pata b*** t’i them JO presionit shoqëror e të vë mbulesën islame. Pata b*** të sfidoj patriarkalizmin dhe seksizmin e një shoqërie, e cila edhe guximin e një femre e mat me organet e mashkullit.
Por ashtu si unë, edhe shumë mikesha të mia që kanë zgjedhur vetë të veshin hijabin, janë përballur me të njëjtën mendësi: me raste edhe duke përfunduar në spital nga dhuna e ushtruar nga të afërmit për të hequr hijabin. Ka pasur raste kur për shkak të shamisë janë përzënë nga shtëpia e janë mohuar si fëmijë.
E për çfarë?
Vetëm pse patëm guximin të jemi ndryshe. E sikur kjo të mos mjaftonte, femrat me shami janë përballuar edhe me ligje diskriminuese, me përjashtime nga shkolla, me heqje nga puna, me ofendime në rrugë. Pra me një shoqëri e cila jua ka mbyllur të gjitha shtigjet e që kërkon të na izolojë në çdo aspekt.
Më thoni ju tani, a nuk duhet b*** të zgjedhësh të sakrifikosh çdo gjë për hir të lirisë tënde dhe vullnetit për ta jetuar jetën ashtu siç do ti? A nuk duhet b*** të përballesh më dhunën e familjes dhe presionin e shoqërisë vetëm pse ti dëshiron të vishesh ndryshe?
Të akuzosh femrat muslimane se nuk kanë b*** është sikur të pohosh se një malësor është frikacak për nga natyra dhe se shqiptari është i pabesë në origjinë.
***
Nga Mustafa Nano*
Kjo vajzë që shihni në ekran quhet Masih Alinejad. Është 41 vjeçe, është gazetare, është me origjinë iraniane. Madje ka jetuar për më shumë se 30 vjet në Iran. Por e ka lënë atdheun e vet. Ka mundur të arratiset në vitin 2009. Dhe sot jeton në ShBA. Deri para disa vitesh, për ca kohë edhe në Perëndim, ajo vishej kështu….. (le ta shohim)
Por e ka hequr njëherë e mirë këtë veshje. Për herë të parë e bëri në Londër, në vitin 2014. Ishte një mëngjes i zakonshëm, fare i zakonshëm, dhe ajo ishte duke shëtitur me të dashurin e saj në një rrugë pranë kopshtit botanik “Keë Gardens”. Ndjeu nevojën që flokët t’ia ledhatonte era pranverore, dhe e hoqi hijabin në ngjyrë të errët, e zuri të vraponte nëpër rrugë. I dashuri, një mysliman me emrin Kambiz, të cilin e kishte njohur në Londër e të cilin e ka burrë sot, e përjetësoi në celuloid këtë moment….. (le ta shohim)
Këtë e tregon ajo vet në një libër, të cilin sapo e ka publikuar. E ka titulluar “The Ëind in My Hair”, që në shqip mund të bënte “Flokët m’i merr era”. Është libër autobiografik. Pas kësaj, ajo hapi një faqe facebook-u, në të cilën ftonte vajzat dhe gratë iraniane të hiqnin hixhabin e tyre, të fotografonin veten me flokët që ua merrte era, dhe t’i publikonin ato foto. Një numër grash, edhe pse e dinin se po rrezikonin (në Iran është e ndaluar ta bësh një gjë të tillë), e ndoqën lojën e saj. Disa syresh kishin pozuar me hixhabin, që e tundnin në ajër, si shenjë çliirimi. Brenda disa ditësh, kjo faqe facebook-u mori më shumë se 100 mijë like.
Në kundërshtim me këtë nismë të saj në një faqe facebook-u, në libër ajo hedh idenë se do të luftojë që gratë myslimane të kenë lirinë për të zgjedhur, nëse duhet ta mbajnë apo jo hijabin. Sipas saj, gratë që duan ta mbajnë, le ta mbajnë. Sepse kështu janë ato vetë që zgjedhin ta mbajnë. Mirëpo, sipas meje në këtë pikë e ka gabim. Ajo dhe të gjithë ata që mendojnë si ajo, sidomos një numër intelektualësh të majtë në Perëndim, që nuk shqetësohen kur shohin një grua myslimane të mbuluar “me vullnetin e dëshirën e saj”. Madje, e inkurajojnë ta bëjë këtë. Dhe nuk e çojnë në mendje se nuk ka gra që vendosin me kokë të tyre të mbulohen. Nuk janë gratë pra që vendosin. Është një kulturë e tërë patriarkale që iu imponohet, e që nuk u lë zgjedhje tjetër, veçse të veshin hijabin. Në këtë kuptim, hijabin nuk e zgjedhin gratë, por burrat e tyre, të cilët e kanë krijuar këtë kulturë patriarkale.
E kanë krijuar si një mënyrë sundimi në këtë botë. Si një mënyrë sundimi para së gjithash mbi gratë. Të thuash se një grua zgjedh vetë të mbulohet, është si të thuash se ajo zgjedh vetë të ndëshkohet prej burrit kur e ka gabim, është si të thuash – për të bërë një ilustrim shqiptar – se një malësor zgjedh vetë të marrë gjakun e vëllait të vrarë. Në fakt, nuk është malësori që zgjedh. Është bota mesjetare, mes së cilës ai është zhytur.
Prandaj, e dashur Alinejad, mos lufto që gratë të kenë lirinë për të zgjedhur, por lufto që atyre t’u hapen sytë, e kështu të kuptojnë se nuk kanë zgjedhje tjetër, veçse të mos mbulohen. Ndryshe, nëse lufton që gratë myslimane të kenë lirinë për të zgjedhur, dije mirë se ato do të zgjedhin të mbulohen. Sepse ky është urdhëri që u vjen nga bota, së cilës ato u përkasin. Ky urdhër u vjen nga familja, nga tradita, nga shkolla, nga një kulturë e tërë që dominon mjedisin publik, nga elita sunduese, nga propaganda, etj, etj. Dhe ky presion i madh, mes të cilit ato gjenden, mund të sfidohet veç nga gra me bole. Mirëpo gra të tilla, siç je ti Alinejad, numërohen me gishtat e dorës në gjithë botën myslimane që ka 800 milionë gra.
Dhe kjo ka arsyet e veta. Edhe në Shqipëri, ku ka një klimë lirie, ku ka një elitë sunduese ateiste, e ku shoqëria e mjedisi publik dominohen nga një frymë laike, nuk të qëllon të shohësh gra myslimane me bole. Nuk ka dalë asnjëra që të thotë faqe botës: Hej, njerëz, unë po e heq hijabin, se nuk është për mua. Përkundrazi, po rritet numri i vajzave që mbulohen. Rrugët e Tiranës po mbushen me vajza të tilla. Të vjen për të qarë. E prandaj, po e marr unë rolin e një Alinejadi të Shqipërisë, e po them: “Hej gra, lërini flokët tuaj që t’i ledhatojë era.”
Ky ishte monologu im për sonte.
*Monolog në emisionin “Provokacija”