Në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty” te E Diela Shqiptare, vjen Sonila, e cila ka një mesazh mjaft të veçantë për personin që i fali jetën për herë të dytë. Por le ta nisim nga fillimi…
Historia e dashurisë e Sonilës nis mjaft bukur. Kur vendosi që të blinte një makinë, atje u njoh jo vetëm me pronarin e makinës, por edhe me pronarin e zemrës së saj, me të cilin më pas u fejua dhe u martua.
Fryt i dashurisë së tyre janë katër fëmijë. Por peripecitë për Sonilën erdhën pas lindjes së vajzës së parë. Sonila tregon se vajza e parë erdhi në jetë me shumë probleme. Ajo lindi me ezofag të shkëputur dhe, në vitin e saj të parë të jetës, iu nënshtrua plot shtatë ndërhyrjeve kirurgjikale. Kjo për Sonilën ishte një goditje, e cila më pas i dha shumë pasoja…
Sonila: Katër vite së bashku, pasi bëmë edhe martesën, fejesën dhe të gjitha, erdhi në jetë vajza e parë, e cila erdhi me shumë probleme që nuk i dinim. Gjatë shtatzënisë, të gjitha analizat më dolën shumë mirë. Në momentin që lindi vajza, ata më thirrën dhe më thanë që vajzën duhet ta marrim dhe ta çojmë te një spital më i specializuar, sepse ajo ka shumë probleme. Ajo kishte lindur me ezofag të shkëputur. Kjo ishte shumë e dhimbshme për mua. Bëri shtatë operacione brenda vitit të parë të jetës. Ishte mami im ajo që erdhi në momentin që e mori vesh që unë isha shumë keq. Erdhi direkt nga Shqipëria në Itali që të më ndihmonte.
Ardit Gjebrea: Tani vajza është mirë?
Sonila: Po, faleminderit Zotit, është mirë! Vuajta shumë me të, por më sprovoi Zoti me vajzën e parë. Pastaj erdhën në jetë dy fëmijët e tjerë të shëndetshëm.











