Dy shtetase nga Brazili janë arrestuar në Durrës pasi dyshohet se kishin marrë me qira dy ambiente dhe i kishin përshtatur për ushtrimin e aktivitetit të prostitucionit. Ndërkohë, policia ka proceduar penalisht pronarin e ambienteve dhe një shtetas tjetër.
Si rezultat operacionit u arrestuan në flagrancë shtetaset N. P., 26 vjeçe dhe M. B., 39 vjeçe, të lindura dhe banuese në Brazil. Ato dyshohen për veprat penale “Prostitucioni”, “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”, si dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Gjatë veprimeve procedurale u procedua në gjendje të lirë edhe një shtetas 22-vjeçar, banues në Durrës, për veprën penale “Prostitucioni”. Po ashtu u procedua në gjendje të lirë edhe pronari i ambienteve të marra me qira, shtetasi F. T., 30 vjeç, banues në Fushë-Krujë, për veprën penale “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”.
Nga hetimet rezultoi se dy shtetaset e huaja kishin marrë me qira dy ambiente në rrugën “Dalip Peza”, në lagjen nr. 17 të Durrësit, të cilat i kishin përshtatur për zhvillimin e aktivitetit të prostitucionit.
Gjatë ndërhyrjes së policisë, njëra prej shtetaseve refuzoi të hapte derën e ambientit ku ndodhej, e cila u hap më pas me ndihmën e shërbimit zjarrfikës.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy pasaporta të shtetaseve të huaja, një shumë parash, tetë telefona celularë, një DVR, karta telefonike, dy blloqe shënimesh si dhe dy sasi të vogla lënde narkotike të dyshuara kanabis.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.











