Nga Mero Baze
Kemi dy lajme nga Ilir Meta. Lajmi i keq është se ky njeri ka një plan të detajuar në mendjen e tij për të destabilizuar Shqipërinë dhe për ta çuar përplasjen institucionale, në betejë ushtarake.
Lajmi i mirë është se ai nuk ka asgjë në dorë, dhe askënd nga pas. Përfshi dhe ushtrinë, që ka keqkuptimin se mund ta përdorë për hallet e veta.
Le t’i hedhim një sy lajmit të keq. Në takimin e sotëm më diplomatët perëndimorë në Tiranë, ai ka dëshmuar se ka një plan. Plani i tij është që të përdorë kauzën e opozitës për të destabilizuar vendin, nëse Edi Rama nuk i gjunjëzohet opozitës.
Në këtë kontekst, ai ka treguar pa dashje se dhe protestën e 21 qershorit e komandon ai, pasi nëse sipas tij, Rama tërhiqet, ai mund ta anullojë protestën. Dhe më tej akoma, ka premtuar se do të nxjerrë ushtrinë në rrugë, nëse Edi Rama shkon në zgjedhje më 30 qershor.
Nëse i hedhim një sy gjithë zhvillimeve të opozitës, që nga protestat e dhunshme e deri te fillimi i përplasjes së dhunshme për të sulmuar KZAZ-të, ato janë të gjitha akte dhune të nxitura institucionalisht nga presidenti Ilir Meta.
Ç’dekretimi prej tij i datës së zgjedhjeve, është fillimi i akteve zyrtare të tij, për të futur vendin në darën e një përplasje të egër politike, me shpresë që do shkohet drejt kaosit.
Pas ç’dekretimit të zgjedhjeve, Ilir Meta dhe Sali Berisha, tentojnë të përdorin 27 Bashki që kanë aktualisht drejtues nga PD, LSI dhe partia e Idrizit e Dules, kundër 34 Bashkive që janë me drejtues socialistë. Ky është një akt politik, që tenton të përdoret si mekanizëm konfrontimi në prag të zgjedhjeve, dhe që ka filluar të zbatohet sot në Shkodër dhe nesër në mesditë, ndoshta në gjithë KZAZ-të ku drejtojnë këto parti.
Duke tentuar ta ndajë Shqipërinë në pro dhe kundër dekretit të tij anti-kushtetues dhe të bërë nul nga KQZ-ja, që është institucioni që organizon zgjedhjet, Ilir Meta ka vënë veten në krye të betejës për bllokimin zyrtar me dhunë të zgjedhjeve, duke përdorur opozitën, Bashkitë që ajo ka, dhe protestat e dhunshme të saj.
Kërcënimi i tij ndaj shumicës në pushtet, se nëse dorëzohet Rama, mund ta anulojë dhe protestën e opozitës, tregon se edhe protesta është një mekanizëm dhune që e komandon në funksion të qëllimit të tij.
Njësoj është dhe përpjekja për ta viktimizuar Lulzim Bashën, herë duke e frikësuar që do e vrasin, e herë që do ta fusin në burg amerikanët, nëse nuk i rri besnik Metës e Berishës.
Ndërkohë që më 20 qershor Lulzim Basha ka afatin e fundit për t’u paraqitur në Prokurori, ndryshe do të shoqërohet me forcë, Ilir Meta ka vrapuar t’i japë kurajo kundër SHBA. Ai e ka ftuar Lulzim Bashën në Presidencë më 20 qershor, në të njëjtën orë që e ka ftuar Prokuroria, për ta mbrojtur nga shoqërimi i dhunshëm.
Tani që dhe Ilir Meta të jetë i qetë, ka një lajm të mirë për të.
Ai ka bërë të gjitha çfarë mund të bëjë dhe po përpiqet të komandojë një ushtri talebanësh kundër zgjedhjeve, ndaj nuk duhet ta vrasë ndërgjegjia, përse s’po ja del dot.
Ka bërë një akt juridik të pavlefshëm, që po e përdorin siç përdorin talebanët një fatva të ardhur nga i pari i Al Qaidës.
Ka menduar të fusë në luftë 27 Bashki, kundër 34 të tjerave. Ka menduar të përdorë policitë bashkiake të 27 Bashkive kundër Policisë së Shtetit.
Ka menduar të shpallë dhe të rrezikuar Lulzim Bashën. Ka shpresuar se do të përdorë shitje përgjimesh nga Prokuroria në gazeta, për të krijuar klimë për revolucion.
Në fund ka menduar të përdor dhe ushtrinë duke e nxjerrë në rrugë, ngaqë i ka mbetur në mendje Allende.
Gjithë këta të tjerët para ushtrisë mund t’i përdorë, pasi lehtëson punën, nëse identifikohen para 30 qershorit si një ushtri talebane kundër zgjedhjeve dhe mbaron punë drejtësia me ta.
Kjo, më shumë se një ushtri që shpëton Ilir Metën nga Perëndimi, është një ushtri që mund t’i hajë kokën.
Por ushtrinë e Shqipërisë, që është ushtri e NATO-s, nuk e përdor dot kundër Perëndimit, edhe pse i ke mbushur mendjen vetes të sillet si komandant i një vendi të “Traktatit të Varshavës”.
Ushtria nuk mund të dalë në rrugë, të ndalë njerëzit të votojnë, qoftë dhe kundër presidentit të tyre. Detyra e ushtrisë nuk është të mbrojë presidentin nga populli, por të mbrojë popullin dhe vendin nga armiqtë, qofshin këta dhe presidentë të saj.