Universiteti mashtrues që mori 1.2 milion euro nga studentët
120 studentë paguan nga 10 mijë euro për diploma në një universitet ilegal në Prizren, shkruan sot Koha Ditore.
Jalcen Kocak, ish-deputet në Parlamentin Turk dhe biznesmeni Mehmet Behattin Ozel kanë hapur një “universitet privat” në gjuhën turke dhe kanë sjellë 120 studentë nga Turqia për të studiuar drejtësinë.
Për një vit studimesh studentët kanë paguar nga 10 mijë euro. Por, me të përfunduar semestrin e parë studentët kanë kuptuar se janë pjesë e një skeme mashtrimi dhe se diplomat e tyre nuk do të njiheshin gjëkundi.
Për të zhvilluar pa pengesa biznesin kriminal në Kosovë, ata kishin afruar afër vetes deputetë, gjyqtarë dhe njërin prej zëvendësministrave të arsimit, përcjell koha.net.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese ishin paguar me para kesh, derisa zëvendësministri i Arsimit, që kishte heshtur, kishte marrë dhuratë një laptop.