Nga Afrim Krasniqi/
Në projekt ligjin e arsimit të lartë, i cili po diskutohet në parlament, dhe që pritet të miratohet disa ditë pas datës së zgjedhjeve (natyrisht, që të mos ketë ndikim negativ në votimet e 21 qershorit) krahas elementëve të rinj, është përfshirë edhe koncepti i përgjegjësisë së qeverisjes lokale në administrimin e universiteteve publike brenda territorit të tyre. Konkretisht, neni 47 i projektligjit, përfaqësuesit e Bashkisë janë pjesë e Bordit të Administrimit, organi më i lartë administrativ në Universitet. Në varësi nga shkalla e financimit autoriteti vendor merr edhe numrin e votave në Bord. Kur pushteti vendor ofron 10% të buxhetit të IAL, atëherë një prej përfaqësuesve të MAS caktohet nga njësia vendore. Më tej, një nen specifik thekson se “përfitimet e studentëve nga përdorimi i kartës së studentit përballohen nga fondet e parashikuara në Buxhetin e Shtetit për ministrinë përgjegjëse dhe njësitë e qeverisjes vendore që mbulojnë shërbimet e ofruara ndaj studentëve”.
Në ligj ka edhe elementë të tjerë që lidhen indirekt me qeverisjen lokale, si për shembull, niveli i infrastrukturës, i shërbimeve bazë, i kujdesit social, i tregut të punës, i projekteve të zhvillimit etj. Referuar gjendjes aktuale, në Tiranë veprojnë mbi 7-8 IAL publike, në Durrës, Korçë, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Kamëz etj, nga një IAL. Për pasojë, ekzistenca e tyre do të duhej të ishte pjesë e rëndësishme e fushatës elektorale. Për shembull, në Tiranë studiojnë mbi 40 mijë studentë në universitetet publike, në Durrës, Elbasan, Shkodër etj, midis 10-18 mijë studentë. Ky potencial, do të duhej të ishte pjesë e rëndësishme e fushatës elektorale dhe programit të kandidatëve për kryetarë bashkie. Po çfarë ndodhi konkretisht?
Nëse analizojmë aktivitetin elektoral të kandidatëve fjala “universitet” është përdorur vetëm 28 herë, 10 herë në Tiranë, 4 herë në Durrës, 3 herë në Shkodër, 3 herë në Korçë, etj. Ka zona si Kamza ku është përdorur vetëm 1 herë. Dhe kur as fjala nuk përdoret, imagjinohet oferta që kandidatët dhe partitë respektive kanë për studentët, trupën pedagogjike dhe jetën akademike. Tërësisht inekzistente. Tërësisht formale. Ja për shembull, në analizën e rastit Durrës njëri prej kandidatëve pasi premton kartën e studentit, diçka e detyrueshme nga ligji, bën oferta jo serioze, si p.sh, “duhet të ketë 30 % ulje në disa bare dhe restorante që duhet të shkoni, që bashkia e ka shumë të thjeshtë ta bëjë”. Kandidati tjetër nuk merret fare me kartën e studentit, edhe pse është detyrim ligjor, por premton se do investojë shumë për terrenet sportive në universitet. Imagjinoni, – terrene sportive në universitet! Universiteti nuk ka mjedise dhe as kushte normale, nuk ka shërbim transporti dhe as mjedis social aktiv, nuk ka bibliotekë dhe nuk është përfshirë në projektet e zhvillimit të qytetit, dhe atij, i ofrohen vetëm terrene sportive argëtuese, elementi i fundit në listën e 10 prioriteteve dhe kërkesave që ka një universitet shkencor.
Në Tiranë gjendja është edhe më ndryshe. Njëri kandidat ofron bibliotekë universitare, tjetri punësim në masën më të madhe (Shqipëria në fakt ka 84 mijë vende pune në shtet dhe dy herë më shumë studentë..!!), një tjetër teatër shëtitës, një tjetër bursa studimi jashtë vendit (jo brenda…!) për më të mirët, etj. Në rrethet e tjera të periferisë tema universitare është thuajse inekzistente dhe e (keq)përdorur vetëm për fushatë. Për shembull, kandidati i Vlorës hyri dje në universitet publik për fushatë (i vetmi në gjithë vendin) dhe premtoi të drejtë vote për studentët/të rinjtë si dhe punësim të tyre me konkurs (!!) dy premtime që janë detyrim kushtetues dhe ligjor për atë dhe për çdo qytetar në vend!
Asnjë projekt konkret, asnjë plan konkret, asnjë tezë e re, asnjë risi dhe kështu, me 21 qershorin politika pret fundin e qershorit të miratojë edhe ligjin e ri për arsimin e lartë, ku shefat e emëruar të qyteteve do të kenë veto vendimmarrëse në emër të procesit gjithëpërfshirës dhe modelit kilian të administrimit universitar! Një shans dhe rast i humbur për studentët dhe botën akademike. Një tregues tjetër i mungesës tërësore të respektit dhe vlerësimit për mjedisin e vetëm elitar në vend. Dhe kur elitat injorohen, dija injorohet, është normale që temë dite të jetë dekriminalizimi i politikës, shitblerja e votës dhe gjuha fyese komunikuese midis politikanëve, siç ka ndodhur, siç edhe po ndodh.
Për ta mbyllur, le të sjell në vëmendje katër shembuj sesi pushteti vendor mund ta dëmtojë universitetin ose se mungesa e bashkëpunimit sjell kosto për të gjithë. I pari në Tiranë. E betonizuan mjedisin rreth e tij, i privatizuan me destinacion tjetër mjediset e shërbimit ndaj studentëve, pamundësuan ekzistencën e bibliotekës universitare dhe disa muzeve natyrorë, si dhe investuan pafund për projekte fitimprurëse të universiteteve private, kundër universiteteve publike. I dyti rreth 10 mijë studentë të zonës Tiranë e Durrës janë të detyruar prej një viti të bëjnë dy udhëtime, me dy mjete, me dy çmime sepse dy bashkitë nuk pranojnë shërbimet e mjeteve të transportit të palës tjetër. E treta, asnjë projekt shkencor që lidh partneritetin pushtet lokal dhe universitete publike nuk ka arritur të fitohet gjatë viteve të fundit në programet e financuara nga BE dhe as në programet e tjera kërkimore. Thjesht, nuk ka pasur dhe as ka bashkëpunim. E fundit, pushteti vendor do ketë vendimmarrje në drejtimin e universiteteve publike, por referuar qyteteve me universitet publik janë të paktën tre raste kur kryebashkiaku ka rezultuar me tituj akademikë të vjedhur, me plagjiaturë, me diplomë fiktive në një universitet tashmë të mbyllur, apo me bilanc 0 vizitash 3-4 vjeçare qoftë edhe protokollare në mjediset universitare.
Janë modele të qeverisjes pa program, pa vizion, pa strategji dhe pa ndjenjën e përgjegjësisë ndaj interesit publik e ligjor. Njëherësh janë edhe katër elementë që dëshmojnë shumë, edhe se reformat e mëdha nuk kanë vlerë nëse bëhen vetëm në letër, siç mund të ndodhë me ligjin e ri për arsimin, për organizimin e ri territorial dhe për pushtetin vendor!