Universi po vdes
Universi dalëngadalë po vdes. Ndryshe nga sa është thënë më parë, ky përfundim vjen nga astronomët, pas studimit të 200 000 galaktikave.
Energjia e gjeneruar nga galaktikat është vetëm gjysma e asaj që ishte 2 miliardë vjet më parë, thotë një studim i bazuar mbi vëzhgimin e kozmosit me shtatë nga teleskopët më të fuqishëm të botës.
Kjo vdekje e ngadaltë po ndodh në të gjitha gjatësitë e valës së dritës, nga ajo ultraviolet te infrared.
“Universi është i destinuar të pësojë rënie duke shkuar drejt një pleqërie që zgjat përgjithmonë”, thotë prof. Simon Driver i Qendrës Ndërkombëtare për Kërkimet Radio Astronomike në Australinë Perëndimore.
“Figurativisht, universi është shtirë në kanape, mbuluar me batanije dhe po bëhet gati për një dremitje”, thotë ai.
Studimi, i cili ka përmasa të mëdha për shkak të sasisë së madhe të të dhënave, synon të ndërtojë hartën dhe modelin e të gjithë energjisë që universi gjeneron sot.
Në këtë mënyrë, studiuesit synojnë të hartojnë historinë e energjisë së universit.
E gjithë energjia e universit është krijuar nga shpërthimi që ne e njohim si Big Bang, i cili çoi në krijimin e kozmosit. Yjet shkëlqejnë duke e konvertuar masën e tyre në energji, një proces i përshkruar nga Ajnshtajni me ekuacionin e famshëm E=mc2 . Sidoqoftë, studiuesit thonë se ky proces i prodhimit të energjisë po dobësohet gradualisht.









