Të gjithë ata të cilët kanë zënë hapësirat publike në Tiranë kanë një javë kohë për t’i liruar, në të kundër do t’u sekuestrohet malli. Ky është paralajmërimi i bërë sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka lëshuar alarmin për gjendjen dramatike në të cilët ndodhet Njësia 5 për standardin e shërbimeve. Gjatë prezantimit të administratores së Njësisë 5, Veliaj, e konsideroi si një turp që zona është pushtuar nga lokalet.
“Të gjithë ata që kanë okupuar hapësirat publike kanë një javë afat për tí liruar këto hapësira. Në fund të javës tjetër do të nxjerrim urdhër ekzekutiv që ata që shesin në rrugë, lokalet që kanë nxjerrë karrige dhe tavolina në mes të rrugës, ata që kanë zënë parkingjet, çdo gje do të sekuestrohet”, deklaroi Veliaj. Ai njoftoi se Policia Bashkiake dhe INUV do të jenë në terren duke filluar nga njësia 5 për të nisur aksionin për lirimin e hapësirave publike.
Duke folur për problematikat e kësaj njësie, kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se hapësira ku shiten makina të përdorura përreth stadiumit Dinamo do të lirohen dhe do t’u kthehen qytetarëve. Veliaj kërkoi nga drejtuesja e Njësisë Bashkiake nr. 5 që të bëhet një inventar i hapësirave publike të zaptuara. Edhe në këtë takim, kryebashkiaku u drejtoi apelin qytetarëve që të japin ndiohmën e tyre në aksionin e pastrimit të Tiranës në një ditë më 4 shtator.








