• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, May 25, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Aktualitet

“Ullishta”, një elegji adriatike për kujtesën, njeriun dhe qytetërimin

Anatomia e përjetësisë: rrënjët flasin më fort se kufijtë

by S T
25/05/2026 10:34
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Prof. Asoc. Dr. Arian Leka

 

“Ullishta” (Inwritershouse, 2025) me autorë Joan Arvanitis (teksti) dhe  Gazmend Çitaku (fotografitë) është një libër që, para studiuesve hapet si tekst socio-etnografik, por për lexuesin shndërrohet në një album poetik, shoqëruar me imazhe mbi kulturën e ullirit. Duke qenë se kjo pemë, për mijëra vjet, ka qenë dhe mbetet boshti simbolik dhe ekonomik i viseve adriatike në Mesdhe, vepra prodhon ndjesi dhe mendim mbi këtë qytetërim të kapur fort pas rrënjëve dhe degëve të ullirit.

“Ullishta” ndërthur përjetimet e sotme me kujtesën historike, antropologji kulturore me mitologjinë e brigjeve përreth Ulqnit, duke e paraqitur ullirin siç është:  një krijesë të gjallë, bashkuese e kohëve, popujve dhe mënyrave të jetesës që mbijeton, pavarësisht gjuhëve që flasim, ritualeve dhe shkronjave të albabeteve, luftërave  apo idologjive politike apo fetare.

Në aspektin letrar “Ullishta” ka ngarkesë të fortë poetike. Gjuha është metaforë, ritmike dhe simbolike. Edhe struktura e librit i ngjan një ulliri: trungu i përdredhur, me zgavra të errëta, ku zezi hyn drita, me gjethet gri-argjendi, i qëndrueshëm në çdo terren. Ka vetëm një kusht: ta shohë detin apo t’i ndjejë erërat e detit. E veshur me këtë gjuhë autori e personifikon ullirin si njeri, pasi ulliri i autorit Joan Arvanitis “kujton”, “duron”, “shikon”, “gëzohet” dhe “vuan”. Kjo i jep pemës status human.

Fotografitë e kujdesshme të Gazmend Çitakut e plotësojnë më së miri dimensionin artistik të veprës duke krijuar dialog mes tekstit dhe imazhit. Estetika vizuale e trungjeve shekullore, e dritës mbi gjethe dhe peizazhit bregdetar, bën që libri të jetë edhe një suvenir. Kompozimet e fotove krijojnë forma skulpturore, ritëm pamor, figura të gjalla e monumentale të trungut, që shpreh lidhjen mes njeriut me tokën, ritualit me punët e motit dhe i jep veprës vlerë kulturore dhe dokumentare. Fotografitë emocion viziv, duke u harmonizuar me tonin filozofik të tekstit, që përdor peizazhit e ullishtave të Ulqinit për të theksuar identitetin lokal. Ullinjtë shekullorë të kodrave dhe brigjeve përreth bëhen dëshmi biologjike e vazhdimësisë që parapriu shtetet, kombet moderne dhe kufijtë politikë.

Gazmend Çitaku

Që në faqet e para të librit lexuesi takon ullirin, këtë përfaqësim real, të veshur me metafizikë nha njeriu. Njerëzit e këtyre viseve, ku etnitë jetojnë bashkë, e konsideruan ullirin si diçka përtej të zakonshmes. E lidhën me paqen, vazhdimësinë, urtësinë, sakrificën dhe të shenjtën. “Mrekulli ndër pemë dhe engjëll mes njerëzve – trungu i ullirit”, shkruan Joan Arvanitis për ullirin në hyrjen e librit, duke i vendosur fjalët në kufirin mes prozës poetike dhe eseistikës mendimtare.

Arkivat e gjelbërta të Mesdheut

Ndoshta vetëm zjarri mund të ketë mbledhur rreth vetes po aq shumë njerëz sa ulliri. Duke mos e vështruar Mesdheun si një hapësirë të ndarë nga opozicioni det-tokë, por si një sistem mikro-rajonal të lidhur nga klima, bujqësia, lëvizja dhe kultura, libri e sjell ullishtën si element themelor të identitetit endemik mesdhetar. Kjo ndjesi të bën të pranosh se ulliri u përket atyre që e gëzojnë duke e kultivuar.

Teksti krijon ndjesinë se ullishtat, më shumë se çdo gjë tjetër, janë arkiva të gjalla të historisë, ku çdo trung ruan “thellësinë e së kaluarës në brazdat e trungut”. Dimensioni mitologjik përshkon të gjithë veprën. Ulliri – si pemë e shenjtë, ulliri – simbol i paqes, i durimit dhe pavdekësisë. Ulliri mbi kryet e poetëve dhe të fituesve të garave, por dega e ullirit edhe mbi dorën e xhelatit, që “i ofrohet atij që të ulë dorën e tij mëkatare”. Veç triumfit e lavdisë, pema e ullirit lidhet me faljen dhe pajtimin. Legjenda e “Kronit të Nanës”, ku nuk mund të dallojmë më “fëmijën-ulliri, midis të gjitha pemëve përreth saj”, krijon mitin lokal mbi lindjen e ullishtës: ulliri lind nga sakrifica dhe etja.

Një nga shtresat më të domethënëse të veprës është dimensioni etnografik. “Ritualet kryhen kur mblidhet fryti… fillimi i mbledhjes dhe mbarimi i saj – janë ceremoni pagane”, theksohet në libër, për t’i dhënë rëndësi faktit se ulliri është kulturë përbashkuese. Autori dokumenton përditshmërinë, zakonet, ritualet dhe mënyrën tradicionale të jetës rreth ullishtës, që edhe kur është rutinë, mitizohet, kthehet dashur pa dashur kult.

Kujdesi, mbjellja, kultivimi dhe vjelja e ullinjve i jep vlerën kolektivitetit, kultit të bashkësisë. Njerëzit e kultivojnë ullirin, natyra punon për ullirin, por edhe ulliri punon për njeriun: kokrra, gjethja lëvorja e vaji përdoret për rite, shërim dhe bekim. Ndaj njerëzit i këndojnë, i besojnë ullirit historitë e fshehta si të ishin në rrëfyesore, duke e konsideruar ullirin një pjesëtar të shtëpisë, një emër të familjes që, ndryshe nga ata, pëlqen të flejë jashtë, të ketë për strehë e çati jo shtëpinë, por qiellin e hapur. Nën ullinj “janë krijuar ciklet e poezive lirike dhe epike për heronjtë e së kaluarës”, nënvizohet në tekst, duke i dhënë edhe fjalëve, njëlloj si ullirit, vlerën e arkivit që mbledh kulturën orale, “proverbat, enigmat, magjitë dhe ritualet magjike.”

Si arkeologji kulturore ullishta provon lidhjen mijëvjeçare mes brigjeve, ku ulliri, pema që ruan kohën, shfaqet si dëshmi e vazhdimësisë së jetës njerëzore.

 

Ungjilli sipas ullirit: miti dhe ekonomia

Ulliri nuk mund të jetojë “askund ku nuk ka det”, shkruhet në libër. Marrëdhënia organike mes njeriut dhe natyrës në drejtimet tokë-det-qiell. Lidhja e tyre e pandashme krijon dualitetin themelor, që përcakton identitet pë brigjet. Shushurima e ullirit “tingëllon si valët e largëta të detit”. Kështu lexohet mes fletëve të librit dhe kjo sintetizon filozofinë e veprës: ulliri – zëri i tokës; deti – fryma.

Njeriu në veprën “Ullishta” është përdoruesi i natyrës, zotëria-shërbyes, jo Zoti vetë. Njeriu duhet të përkulet para trungut, të lutet pranë tij, të presë me durim përballë pemës dhe ta kuptojë urtësinë e ullirit pse nuk jep fruta çdo vit. Kjo filozofi dhe ekologji njëherazi, bëhet aktuale në kohën kur njeriu ka krijuar natyrën paralele, me bimësi artificiale, me stinë intensive, me prodhime hibride, pemë xhuxhmaxhuxhe dekorative dhe bimë, fruta e lule gjithëvjetore, pa pjalm, polen e pa farë. Në këtë këndvështrim, edhe pse libri “Ullishta” është kryesisht eseistik dhe i shkruar me gjuhë poetike, nënkupton mbrojtje të dijes tradicionale mbi kultivimin e ullirit dhe respekt ndaj ritmeve të jetës së gjelbër.

Përmenden edhe ciklet e mbjelljes, krasitjes, ushqimit dhe vjeljes së frytit. Kjo njohuri lidhet me traditën e hershme të përzgjedhjes së varieteteve, shartimit dhe përshtatjen klimatike. Ulliri është pemë e rezistencës, që jeton si asket edhe në toka të varfra, në klimë të thatë, në erëra, mbi gurë, por gjithmonë nën qiell të hapur, jo në sera.  Veç këtyre, libri prek edhe dimensionin shëndetësor të ullirit, aspektet kuruese, kur thotë se “nga vaji i frytit të ullirit, qenia njerëzore merr forcë”. Këto dije, përhapur si urtësi familjare në kohët kur nuk dihej asgjë për studimet moderne mbi dietën mesdhetare, vetitë antioksidante që ndihmojnë shëndetin kardiovaskular, u dhanë njerëzve të brigjeve jetëgjatësi, sikurse shkruhet në libër: “Nga vaji i frytit të ullirit, qenia njerzore merr forcë; të gjithë njerëzit e ushqyer me vajin e ullirit janë të butë nga natyra. Nga lëngu i hardhisë, ndodh e kundërta: disa flasin gënjeshtra, disa humbasin fillin e mendjes, ndërsa të tjerët dalin nga arsyeja. Populli thotë edhe këtë: gjithmonë i kthehesh ullir-it, dashuria e tij mbetet e njëjtë për atë që largohet dhe kthehet, ndërsa me gruan njeriu mund të kthehet vetëm një herë; pas kësaj, gjithçka është nën dyshim – si besnikëria e gruas, ashtu edhe fisnikëria jote – bëhu i kujdesshëm o udhëtar kalimtar.”

Sigurisht që në sfond të tekstit qëndron edhe ekonomia tradicionale e ullishtarisë. Vjelja, përpunimi dhe ruajtja e vajit ishin baza ekonomike e shumë familjeve bregdetare. Ulliri krijoi shëmbim mallrash, punishte dhe lidhje ndërmjet brigjeve, duke hedhur dritë mbi faktin se kjo trashëgimi kulturore nuk është abstrakte, por përfaqëson edhe një potencial të madh, pasi ullishtat shekullore të Adriatikut, nëse kemi vullnet të fortë dhe dëshirë të zjarrtë, mund të shndërrohen në pjesë të ekonomisëm tërheqje për turizmit gatronomik dhe kulturor të ullirit, ullishtave dhe pyjeve të ullishtave “që mbajnë erë të ëmbël nga bima e verdhë brnistra, trumza, pelini, meli dhe manaferrat, së bashku me aromën e manushqes.”

Idila rurale te historia e trazuar: leximi simbolik i ullishtes

Pjesa e dytë, “Mbledhtarët e ullijve”, përbën një udhëtim prekës të veprës. Aty paraqet dinjiteti njerëzor në sporvën e jetës, varfërisë, brendësia e familjes përballë punës jo të lehtë, anatomia e përditshmërisë, ku zemra ndjen dhe trupi kupton se çfarë ndodh me mbledhëtarët e ullinjve.

Familja që mbledh ullinj nën rrebeshin e shiut mishëron etikën e thjeshtë të jetesës, ku puna, solidariteti dhe natyra bashkëjetojnë. Duket idilike, romantike, nostaligjike, e bukur, por jo shumë gjatë, vetëm pak paragrafë, deri sa rrëfim mbaron. Të gjithë largohen, zhduken një ditë, varrsen nën ulli. Ulliri mbetet aty, elementi konstant i historive.

Edhe kur teksti përmendend grekët e lashtë dhe filozofia e tyre e masës dhe maturisë (Asgjë e tepërt, o qytetar i Athinës! Edhe pse gjithçka në këtë botë është interes, mësohu se në maturi gjendet strehimi më i fuqishëm i çdo gjëje të gjallë”), përtej referencës historike, fjalët rikthejnë idenë se kultura e brigjeve është ndërtuar mbi ekuilibrin ndërmjet natyrës dhe qytetërimit, asaj që bëjnë duart dhe asaj që bëjnë stinët. Në këtë këndvështrim, ullishta bëhet simblolikë e bashkëjetesës dhe mbijetesës, ku rrënjët janë të përbashkëta edhe kur degët shtrihen në drejtime të ndryshme, sipas rrymave, rrjedhave, erërave.

Joan Arvanitis dhe humanizmi i ullirit

Poema përmbyllëse me titullin kushtues “Ullirit”, ka 16-të vargje strofike dhe përfaqëson kulmin artistik dhe filozofik të veprës Ullishta. Në to përmblidhet simbolika, drama dhe madhështia shpirtërore e ullirit dhe e njeriut që i ngjan atij. Jo më si kulturë bujqësore, por si figurë humane. Vargjet sjellin alegorinë e ullirit të plagosur, të vetmuar, por bartës i paqes dhe kujtesës së brezave. Poema mbështetet mbi përfytyrimet e ullirit që “fsheh fytyrën”, “kujton”, “tregon sekretet” dhe madje “qan me gjethe”.  Ky animim ia kthen fjalëve fuqinë që deri në ato faqe i kishin marrë proza meditative dhe imazhi ilustrues. Njeriu-ulli-dëshmitar i kohërave dhe kultivues jo vetëm i kokrrave të pjekura e plot me vaj, por edhe i mundimeve dhe kujtesës kolektive.

Jovan Nikolaidis

Që në vargun hapës: “Sa vuan, o shëmti e imja”, prozatori ia lëshon vendin poetit, që krijon kundërvënien e fuqishme mes pamjes së jashtme (të shëmtuar) dhe bukurisë së brendshme të ullirit. Ulliri i kësaj poeme është më afër Aristotelit se sa Platonit, që mendonte se njeriu duhet ta shmangë shëmtianë. Por një shëmti si ajo e ullirit të Joan Arvanitis shërben për ta bërë bukurinë të dallohet më qartë. Krijesa gjithë zgavra, e heshtur dhe e përvuajtur, që e quajmë ulli, bëher rojtar mbrojës i dinjitetit të thellë etik. Ky ulli është Sokrati me shpirt të lirë e të bukur, futur brenda një trupi të shëmtuar, të lodhur, të plakur, gjithë sëmundje, që ndoshta ishte edhe paksa belban, por ja që me gjithë këtë cen, thoshte të vërtetën dhe “shkruante e fliste” shumë bukur. Kjo e bën këtë njeri-ulliri të jetë metafora e të urtit, vetësakrifikuesit, jo vetëm i pavlerësuar, por madje i dënuar nga bota. “Mirësia brenda teje lidhet me paqen” dhe  “Sekretet e tua i tregon me heshtje” shprehin idenë se urtia e vërtetë nuk ka nevojë për zhurmë apo madhështi të jashtme. Heshtja e ullirit është mençuria, që mbijeton. Poezia ka vlera artistike dhe gjuhë lirike të pasur me përfytyrime, si “dëshirë e kaltër”, “krushk i vjetër”, “vitet e errëta”, që krijojnë atmosferën meditative. Edhe pyetja retorike përmbyllëse: “A mos vallë qan me gjethe kur shushurit?”, i jep poezisë fund reflektues, ku natyra dhe ndjenja njerëzore bashkohen, për ta kthyer këtë pemë në një pasqyrë të fatit dhe shpirtit.

Iluminizmi: ky është vetëm një dimension poemës “Ulliri”. Krahas këtij, autori ndërton edhe estetikën e së “shëmtuarës sublime”. Trungu i ullirit në poemë, aspak ideal si fizik, përshkruhet vërtet si i shëmtuar, shtrembër, i plakur, i ashpër, por pikërisht aty qëndron “bukurisa morale”. Por kujt i duhet kjo “bukuri morale”, kjo etikë e lartë, kur Sokrati dhe Krishti, përfundojnë keq e kur pas vrasjes së tyre, ata që i vranë e i përqeshën, i shpallën mendimtarë e profetë?

Shëmtia sublime dhe urtia e heshtur në poezinë “Ullirit”

E keqja ka fuqi dhe forcën e numrave të saj e kemi provuar sa herë që diktati, disiplinimi i mendimit, ndëshkimet, diktarurat dhe autokratët shfaqen në derën tonë, siç e pamë në Europën Qendrore deri dje dhe siç vazhdojmë ta shohim në Europën Juglindore edhe sot. Ulliri, kjo metaforë e njeriut, ndihet i tradhëtuar. Cila qenka shëmtia e vërtetë e ullirit, nëse shëmtia fizike nuk e prek atë? Varfëria është shëmti. Mjerimi. Varfëria e pamerituar. Kjo është edhe tradhëtia që i bëhet një peme kaq të begatë, bujare, që gjithmonë jep dhe kurrë nuk kërkon, kulturë që është e detyruar të jetojë mes njerëzve me vese, me mendje të skllavëruar, bashkë me primitvët modernë.

Personifikimi i ullirit si “i bekuar, i duruar dhe modest” krijon kontrast me njeriun bashkëkohor, i cili nuk di më të presë, s’do të punojë dhe të ruajë trashëgiminë. Në kulturën tradicionale të Adriatikut lindor, ulliri ishte simbol i vazhdimësisë, maturisë dhe lidhjes së njeriut me tokën. Sot, kjo lidhje është dobësuar nga etja për fitim të menjëhershëm dhe nga kultura e komfort-rehatisë.

Në viset e Adriatikut lindor, nga Ulqini e deri në brigjet e jugut shqiptar dhe dalmat, ullishtat dikur përfaqësonin ekonominë e ngadaltë, por të sigurt. Sot, shumë prej tyre braktisen, nuk ka kush vjel, ndërsa njerëzit ëndërrojnë pasurim përmes turizmit të shpejtë, ndërtimeve kaotike ose emigrimit që sjell para dhe bashkë me paratë edhe pandehmën e asaj që Umberto Eco ofron një vëzhgim të patrembur kur citon Karl Marksin. Çështja është te koncepti i pakapshëm i shëmtisë dhe relativiteti i bukurisë në historinë e njerëzimit. Çfarë quajmë të mirë? Çfarë quajmë të bukur?

Në vitin 1844 ky i fundit e përshkruan shëmtinë si diçka që lidhje me varfërinë dhe që ka kuptim vetëm në mungesë të parave. Kur shkruan se “jam i shëmtuar vetëm kur nuk kam para”, por në prani të parave, edhe pse jam i shëmtuar, mund të blej gratë më të bukura, gjithçka bëhet e qartë edhe për njeriun që rritet pranë ullinjve, që jeton në mënyrë sezonale, midis tempove “piano-piano” dhe “avash-avash”.

Prej kësaj kultohet se “efekti shëmti”, fuqia penguese e shëmtisë, anulohet nga paratë. Edhe ky njeri i brigjeve adriatiko lindire e juglindore, ku natyra punon më shumë se individi, e ka bërë të vetën mendësinë se edhe pse është i çalë, paraja e bën me njëzet e katër këmbë. Prandaj nuk jam i çalë. Jam i keq, i pandershëm, i paskrupullt, budalla, por paraja është e nderuar. Pa tru, por paraja është truri i vërtetë i të gjitha gjërave dhe me tru e me mend e me mendim është edhe poseduesi i parave. Përveç kësaj, ky posedues mund të blejë njerëz të zgjuar për vete. A nuk është ai që ka pushtet mbi të zgjuarit, madje më i zgjuar se vetë i zgjuari?

Libri “Ullishta”, edhe pse nuk e trajton në mënyrë të drejtpërdrejtë tematikën, e shpreh si një humbje shpirtërore distancimin nga puna. Për “të pavëmendshmit”, ulliri “shërben vetëm për prerje me sëpatë, sharrë motorike dhe zjarrin në oxhak”.

Ky vëzhgim kritik shkon ndaj një shoqërie që sheh vetëm paratë, jo trashëgiminë shumëbrezëshe, ndaj së cilës “rinia e sotme dëshiron të ecë vetëm drejt, sa më shpejt, sa më lehtë.” Ky rob i komoditetit dhe izolimit, ndonjëhrë ndjen ndostalgji për “moskokëçarjen në varfëri”, të mbledhësve të ullinjve, që punojnë nën shi, me “rroba të vjetra” por “ama, të lumtur”, por kjo mund të sjellë ngushëllim, por nuk di ta zgjidhë jetën e vet edhe po të themi se pasuria materiale nuk prodhon domosdoshmërisht edhe paqe shpirtërore. E ka dëgjuar, me siguri e ka dëgjuar se “nëse largohesh prej ullirit, do të jetojë i vetmuar pa zhurmë dhe pa dëshmitarë! Nëse e përkëdhel trungun e tij, do ta mbajë mend prekjen tënde deri te nipërit e tu.”

 

 

Kultura e punës dhe kriza e njeriut bashkëkohor

 

Në fund të vitit 1889, Van Gogh-u pikturoi tre versione një pikture ku gratë vjelin ullinj. Piktura ka afri tematike me “Mbledhëtarët e ullinjve”, por ajo nuk duhet lexuar si mesazh politik, apo se  “bota ishte më mirë ashtu siç ishte”. Jo, nuk ishte më e mirë e kjo. Ka pamje të botës që nuk ndryshojnë kurrë, janë arketipe, si mbledhësin e ullinjve që, edhe kur e romantizojmë, nuk ka asgjë romantike. Prej thuajse 150-të viteve largësi, vepra e Van Gogh-ut na shtyn të pyesim se çfarë humbet një shoqëri kur kultivimin e vlerave me ritmin e ciklit natyror e zëvendëson me shpejtësinë e suksesit dhe fitimit.

Duke e lexuar si poemë, ese antropologjike, meditim filozofik dhe dokument kulturor, nga vepra “Ullishta” mund të kemi të një përgjigje mbi atë që humbasim dhe atë që fitojmë. Në mënyrë ideale, te pema e ullirithohim gjurmët e kulturës detare dhe një qytetërim të ndërtuar mbi durimin, kujtesën, bashkëjetesën dhe bashkëpunimin. Por ullinjtë janë të motshëm. Asgjë e gjallë në ato brigje nuk është me i vjetër se ata. Ullinjtë dinë ta dallojnë mungesën e dëshirës për punën e duarve. Ata ullinj shekullorë e dinë se nuk i mbollëm ne, por paraardhësit tanë. Ne jemi mbledhësit e ullinjve.

“Ullishta”, kjo elegji për një skaj të qytetërimit mesdhetar, në vetëzbehje tani, jeton si relike muzeale brenda një shoqërie të nxituar, që strehohet në ankesa, që gjen gëzim te nihilizmi dhe te nostalgjia dhe përpiqet më kot të kapë kohën e humbur. Falë një peme si ulliri, që ka parë shumë, shoqëri mund të kuptojë krizën e e vet morale, vanitetin, krenarinë e zbrazët epike dhe euforinë nacionaliste, që mund të ngrejë gjithçka, madje dhe luftë, veç jo një vend me begati normale dhe të jetueshëm, të bërë me punë. Por të gjitha këto tasni nuk janë është “problem” i autorëve Joan Arvanitis dhe Gazmend Çitaku, që e kanë bërë tashmë “ullishtën” e tyre dhe e kanë punuar kopshtin, siç kërkonte Volteri.

Next Post
Dosja “SASPAC”, Beqaj kërkon lirim nga burgu, ofron garanci 20 mijë euro

Letër e hapur drejtuar anëtarëve të Gjykatës së Lartë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Kanosnin të miturën për publikimin e fotove kundrejt parave, arrestohen tre të rinj në Kamëz

Përplasja me policinë në Mamurras/ Lihen në burg dy të rinjtë, njëri do të ekstradohet në Itali

May 25, 2026
Për ca jugosllavë të mbetur në Prishtinë

“Raporti me të vërtetën ishte më serioz”, Rama: Pse gazetaria e viteve ’90 prodhoi figura të forta

May 25, 2026
Trump nën presion për marrëveshjen me Iranin, republikanët paralajmërojnë: Katastrofë!

Trump nën presion për marrëveshjen me Iranin, republikanët paralajmërojnë: Katastrofë!

May 25, 2026
Ironizon Manjani: SPAK për të goditur financimin e terrorizmit, jo sponsorët e fustaneve…

Partia Demokratike sot nuk është 36 vjeç, por 83 sa lideri i saj

May 25, 2026
Dosja “SASPAC”, Beqaj kërkon lirim nga burgu, ofron garanci 20 mijë euro

Letër e hapur drejtuar anëtarëve të Gjykatës së Lartë

May 25, 2026
Letërkëmbimi si arkiv i mendimit shqiptar

“Ullishta”, një elegji adriatike për kujtesën, njeriun dhe qytetërimin

May 25, 2026
Hapen aplikimet për Skemën Kombëtare 2026, çfarë përfitojnë fermerët

Hapen aplikimet për Skemën Kombëtare 2026, çfarë përfitojnë fermerët

May 25, 2026
Minxhozi: Presidenti i ka pritur këta zotërinjtë që kërkojnë dialog dhe nuk janë paraqitur. Janë nisur të…!

Nuk votuan Berishën, (ri)zgjodhën Ramën kryeministër

May 25, 2026
“Më 11 maj do kthejmë Europën në këtë shesh të flasë shqip”, Manja: Do marrim 4 mandate në Qarkun e Lezhës

Kur politika ndryshon fatin: Dibra nuk është më “xhepi i harruar” i Shqipërisë

May 25, 2026
E rëndë në Shkodër, e moshuara i vë flakën vetes

Po kalonte rrugën për në shkollë, 7-vjeçari përplaset për vdekje në Elbasan

May 25, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In