Që titulli i editorialit të Financial Times “Pse Ukraina po fiton luftën” i nënshkruar nga historiani dhe filozofi izraelit Yuval Noah Harari, është ndoshta tepër optimist, bëhet veçanërisht i dukshëm pikërisht në ditën kur Kremlini ka rifilluar bombardimin me egërsi të qyteteve të mëdha ukrainase.
Dhe po aq pak realist është skenari i përmendur nga Donald Trump në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, sipas të cilit forcat ukrainase do të rimarrin territoret e pushtuara nga Rusia, një ide që të gjithë analistët ushtarakë e shohin me skepticizëm.
Vetë gjenerali Valery Zaluzhny, tani ambasador në Londër, ka pranuar se operacioni në Kursk ka qenë një gabim i kushtueshëm për Ukrainën, duke shkaktuar shumë viktima. “Nuk e di saktësisht çmimin e këtyre veprimeve, por është e qartë se ishte tepër i lartë,” shkroi ish-shefi i shtabit të përgjithshëm në një artikull të publikuar online. Për më tepër, gjatë gjithë verës, Kievi ka hasur vështirësi në frontin lindor, duke qenë i detyruar të tërhiqet dhe të dorëzojë territore për të shmangur humbje më të mëdha.
Megjithatë, nëse kthejmë medaljen nga ana tjetër, as Moska nuk po fiton. Siç e krahasoi gjenerali australian në pension Mick Ryan, “do të ishte sikur tre vjet pas pushtimit të Irakut në 2003, Shtetet e Bashkuara të kishin arritur të kontrollonin vetëm 20% të vendit, duke pësuar një milion të vrarë e të plagosur ndërkohë. Askush nuk do ta quante këtë një fitore”.
Për më tepër, miratimi nga ana e Trump për ndihmë ushtarake nuk ka ardhur ende dhe mund të mos vijë kurrë, duke marrë parasysh qëndrimet e lëkundura të Shtëpisë së Bardhë. Por së shpejti, Kievi mund të marrë leje për të blerë (dhe përdorur) raketat Tomahawk nga SHBA. Më të fuqishme se raketat ATACMS, me rreze më të gjatë veprimi dhe të përdorura në skenarë të ndryshëm, nga Iraku gjatë “Desert Storm”, në Siri kundër ISIS-it, deri në Karaibe kundër karteleve të drogës, këto raketa janë armë që SHBA-të i kanë me shumicë. Furnizimi i tyre Ukrainës nuk do të cenonte prioritetin “America First” për rezervat ushtarake, siç ndodhi me sistemet Patriot.
Kjo është një ndihmë që as administrata e Joe Biden, më pro-ukrainase se ajo aktuale, nuk e kishte miratuar më parë, për shkak të frikës nga reagimet e Moskës. Në realitet, siç theksojnë analistët, kjo armë nuk do ta ndryshonte rrjedhën e luftës njëherë e përgjithmonë, ashtu siç ndodhi me HIMARS apo ATACMS. Por do të rriste ndjeshëm presionin mbi Rusinë dhe do të mund ta detyronte Putinin të ulej në tryezën e negociatave. Vetë presidenti Zelensky ka vënë në dukje se edhe vetëm blerja e tyre do të ishte një sinjal i fortë për Moskën.
Ndërkohë, fushata ukrainase “DeepStrike” (që nënkupton sulme në thellësi të territorit rus) deri tani e mbështetur te dronët, ka dëmtuar drejtpërdrejt operacionet dhe linjat e furnizimit të Rusisë. Në më pak se dy muaj, forcat ukrainase pretendojnë të kenë goditur 85 objektiva të rëndësishëm brenda Rusisë, përfshirë 33 objektiva ushtarake (baza, depo, aeroporte, avionë në tokë) dhe 52 struktura të industrisë ushtarake (prodhim armësh, municionesh, karburanti dhe dronësh). Pra, nëse kjo fushatë fuqizohet me raketa me rreze të gjatë, mund të shkaktojë probleme serioze për Kremlinin.
Sipas gjeneralit ukrainas Oleksander Syrsky, objektivat e Rusisë gjatë pranverës dhe verës, krijimi i zonave tampon në rajonet e Kharkivit dhe Sumy-t, marrja e Pokrovskit, arritja në kufijtë e Donetskut dhe avancimi në Zaporizhzhia, Dnipropetrovsk dhe Kherson , “nuk janë realizuar”. Pra, edhe nëse Ukraina nuk mund të pretendojë fitore në terren, është po aq e qartë se as Rusia nuk po i arrin objektivat e saj dhe nuk duket se do t’i arrijë në javët e ardhshme.
E përkthyer ndryshe: Ukraina nuk po e humbet këtë luftë.
*Shkrim nga Marta Serafini për Corriere Della Sera











