Ukraina dhe Rusia kanë akuzuar njëra-tjetrën për qindra shkelje të një armëpushimi të përkohshëm, që përkoi me festimet e Pashkëve Ortodokse.
Sipas ushtrisë ukrainase, forcat ruse kanë kryer 2 mijë e 299 shkelje që nga nisja e armëpushimit në orën 16:00 ditën e shtunë, duke përfshirë edhe vrasjen e katër ushtarëve të paarmatosur.
Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar se forcat ukrainase kanë kryer 1 mijë e 971 shkelje, përfshirë tre kundërsulme në rajonin e Dnipropetrovskut.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u shpreh se ushtria e tij do t’i përgjigjet “në mënyrë simetrike” sulmeve ruse gjatë armëpushimit, duke e cilësuar Pashkën si “një kohë paqeje”. Ai shtoi se shpreson që armëpushimi të zgjatet edhe pas festës, për të lehtësuar negociatat e paqes, të cilat kanë mbetur pothuajse të bllokuara.
Megjithatë, Rusia e ka refuzuar këtë ide, duke deklaruar se operacionet ushtarake do të rifillojnë të hënën.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e shpalli armëpushimin e Pashkës më herët gjatë javës, pas refuzimeve të mëparshme për ndalimin e përkohshëm të luftimeve. Zelensky kishte deklaruar se Ukraina do të vepronte në të njëjtën mënyrë.
Të dyja palët njoftuan gjithashtu se kanë shkëmbyer nga 175 robër lufte secila, përfshirë edhe shtatë civilë.
Megjithatë, si civilët ashtu edhe ushtarët në vijën e frontit, ku lufta vazhdon që nga viti 2022, shprehen skeptikë për efektivitetin e armëpushimit.











