Portugalia ka fituar për herë të parë titullin e Evropës. Ajo fitoi finalen e “Euro 2016” të luajtur të dielën në Saint-Denis ndaj Francës së favorizuar (1:0).
Ndeshja u vendos në shtesa, pasi koha e rregullt u mbyll pa gola. Në fakt, gjërat nisën keq për portugezët dhe nuk dukej se do të dilnin kokëlartë nga “Stade de France”, pasi pa kaluar 20 minuta lojë u lëndua ylli kryesor i tyre, Cristiano Ronaldo. Por, ata shtrënguan dhëmbët dhe me një gol nga sulmuesi Eder, në minutën e 109-të, fituan finalen. Kjo ishte finalja e dytë e portugezëve. Më 2004 kishin humbur para tifozëve të vet nga Greqia autsajdere, njësoj siç humbi Franca kësaj here.
Ky ishte evropiani i 15-të, dhe njësoj si shumica e finaleve të tjera, edhe kjo e 10 korrikut u përshkua me goxha dramë, përcjell Koha Ditore shkrimin e UEFA.com
Finalen e Evropianit inaugurues e kishte fituar Bashkimi Sovjetik më 1960.
1960: Bashkimi Sovjetik – Jugosllavia 2:1
Lev Yashin ofroi siguri në portë, kurse Viktor Ponedelnik shënoi golin e fitores në vazhdime për t’ia mundësuar Bashkimit Sovjetik fitoren ndaj Jugosllavisë 2:1 në Paris. Bashkimi Sovjetik u bë ekipi i parë që ngriti trofeun e turneut “Henri Delaunay Cup”. Në finalen e evropianit inaugurues, Jugosllavia u kualifikua pasi mposhti Francën vendëse në gjysmëfinale. Në finale, Milan Galiq shpejt kaloi Jugosllavinë në epërsi, duke e mposhtur portierin Yashin, i cili ishte më i merituari që sovjetët nuk pranuan më shumë se një gol. Slava Metreveli barazoi rezultatin (1:1) për ta çuar ndeshjen në shtesa, ku Ponedelnik u shndërrua në hero. “Goli i shënuar në minutën e 113-të ishte më i rëndësishmi në karrierën time”, pati thënë Ponedelnik.
1964: Spanja – Bashkimi Sovjetik 2:1
Në shtëpi dhe kundër kampiones në fuqi, Spanja triumfoi për të fituar trofeun e parë. Para një numri të madh shikuesish në “Santiago Bernabeu”, në mesin e të cilëve ishte edhe presidenti Franco, Spanja kaloi herët në epërsi me anë të Chus Peredas. Bashkimi Sovjetik nuk u dorëzua dhe barazoi rezultatin nëpërmjet Galimzyan Khusainovit. Por, Spanjës fitoren ia dhuroi Marcelino Martinez pas asistimit të Luis Suarezit që ishte lojtari kryesor në këtë turne. “Ishim të bashkuar kurse Suarez ishte lider i kësaj orkestre. Pastaj kishim lojtarë të mëdhenj si Amancio e Marcelino që ishte golashënues natyral. Kemi qenë ekip fantastik”, ka thënë Pereda.
1968: Italia – Jugosllavia 2:0
Italianët ishin nëntë minuta larg disfatës në përpjekjen e parë për të shkuar në finalen e vitit 1968, por një barazim iu mundësoi atyre që pas 48 orëve të kthehen në stadiumin “Olympico” të Romës. Në finale, përballë Jugosllavisë, italianët dominuan prej fillimit të ndeshjes. Ai që bëri dallimin në fushë ishte Luigi Riva që sapo ishte kthyer në fushë, pasi kishte kuruar thyerjen e këmbës dhe Italia kishte pesë ndryshime në formacion. Riva shënoi në pjesëlojën e parë, kurse rezultatin e vulosi Pietro Anastasi. Në këtë ndeshje, portieri Dino Zoff shkëlqye.
1972: Gjermania Perëndimore – Bashkimi Sovjetik 3:0
Bashkimi Sovjetik kishte frikë nga më e keqja. Gerd Mueller kishte realizuar katër gola në fitoren 4:1 në miqësoren e zhvilluar një muaj më parë ndaj BRSS-së. Në finale, më shumë se 1/3 të tifozëve në tribuna ishin gjermanë. Mueller theu heshtjen në pjesëlojën e parë në Bruksel, kurse edhe një gol tjetër e shënoi në të dytën. Rezultatin përfundimtar e vulosi Herbert Ëimmer. “Ekipi punoi, trajneri punoi, gjithçka ishte madhështore”, pati thënë Mueller.
1976: Çekosllovakia – Gjermania Perëndimore 2:2 (5:3 pen.)
Penalltia, ngjashëm sikurse në gjysmëfinale kundër Jugosllavisë, Gjermania Perëndimore arriti të rikuperonte disavantazhin prej dy golave dhe të nxjerrë vazhdimet në Beograd. Dieter Mueller dhe Bernd Hoelzenbein në sekondat e fundit të ndeshjes anuluan epërsinë e Çekosllovakisë nga pjesë e parë, të arritur me golat e Jan Svehlik e Karol Dobias. Kësaj here fituesi u shpall ndryshe. Për herë të parë në një turne të madh, finalja shkoi në penallti. Shtatë penalltitë e para gjetën cakun para se Uli Hoeness të gjuaj mbi portë për gjermanët; Antonin Panenka lëshoi topin në mes, derisa Sepp Maier u hodh anash për t’ia siguruar titullin Çekosllovakisë.
1980: Belgjika – Gjermania Perëndimore 1:2
Horst Hrubesch, zëvendësim në prag të turneut, shënoi golin e parë në futbollin ndërkombëtar për t’ia siguruar shtetit të tij titullin e dytë. Rene Vanderreycken (75′) shënoi nga penalltia për ta anuluar epërsinë e hershme të gjermanëve në Romë, por më vonë sulmuesi Hrubesch shënoi me kokë pas harkimit të Karl-Heinz Rummenigges. “Kam luajtur tri ndeshje pa shënuar gol dhe po të mos isha titullar në finale nuk do të ankohesha. Por, në fund doli se trajneri Jupp Derëall kishte marrë vendimin e duhur”, ka thënë Hrubesch.
1984: Franca – Spanja 2:0
Spanja e nisi ndeshjen fuqishëm në Paris, por Michel Platini që ishte lider i Francës kaloi vendësit në epërsi me golin e tij të nëntë në këtë turne. Gjuajtja e lirë e Platinit nuk ishte prej më të mirave, por topi i rrëshqiti nga duart portierit Luis Arconadas për t’i mundësuar Bruno Bellones që të dyfishojë epërsinë dhe të vulosë rezultatin e ndeshjes. “Ishim superiorë ndaj të gjitha ekipeve”, pati thënë Platini.
1988: Holanda – Bashkimi Sovjetik 2:0
Marco van Basten ishte inspirues në Mynih, duke shënuar golin që për nga madhështia ishte konkurrentë me penalltinë e Panenkas të shënuar 12 vite më parë në Beograd. Fillimisht Ruud Gullit zhbllokoi rezultatin kurse Van Basten me një gjuajtje volej nga “këndi i vdekur”, u dha fund shpresave të sovjetikëve. Me këtë fitore, Holanda fitoi titullin e parë të madh që është pritur për një kohë shumë të gjatë. Mbetët ende i vetmi. “Nuk e kam ditur as vet se çka ndodhi, por vetëm pashë që topi u fut në rrjetë”, ka shpjeguar Van Basten situatën e golit.
1992: Danimarka – Gjermania 2:0
Richard Moller Nielsen po planifikonte të vendoste një kuzhinë të re kur dy javë para fillimit të turneut mori thirrjen për ta përgatitur ekipin e Danimarkës për “Euro 92”, pasi Jugosllavia ishte përjashtuar nga gara shkaku i shpërthimit të luftës. Një fitore në katër ndeshje ishte e mjaftueshme për t’i dërguar danezët në finalen e Gothenburgut. Golat e rrallë nga John Jensen dhe Kim Vilfort, kompletuan njërën prej befasive më të mëdha në evropian. Danimarka mposhti Gjermaninë në finale, 2:0. Fitoren ndaj Gjermanisë e inspiroi edhe portieri Peter Schmeichel.
1996: Çekia – Gjermania 1:2
“Merre Oliver Bierhoffin me vete”, i kishte thënë gruaja trajnerit të atëhershëm Berti Vogts, para fillimit të “Euro 96”. “Ai do ta shpaguajë ftesën”. Dhe, kështu doli. Bierhoff u inkuadrua në 20 minutat e fundit të finales në Londër, ndeshje në të cilën çekët kishin shënuar para një ore nëpërmjet Patrick Bergerit nga penalltia. Bierhoff nuk humbi kohë, fillimisht barazoi rezultatin pas vetëm katër minutave në fushë dhe çoi ndeshjen në shtesa. Pastaj shënoi “golin e artë” në minutën e pestë të vazhdimit të parë. Në atë kohë ishte rregulli kësisoj: Posa shënohej goli, ndeshja ndërpritej. Quhej “goli i artë”.
“Ai ishte qendërsulmues tipik, edhe pse nuk kishte teknikë. Të gjithë kemi përfituar nga ai dhe Bierhoff ka merituar këtë finale”, ka thënë bashkëlojtari Matthias Sammer.
2000: Franca – Italia 2:1
Vetëm pak sekonda e ndanin Italinë nga suksesi pas golit të epërsisë që e shënoi Marco Delvecchio në pjesën e dytë. Por Sylvain Ëiltord baraspeshoi gjërat me golin e shënuar në minutat shtesë. Ndeshja shkoi në shtesa. Regulli i “golit të artë” ende ishte në fuqi. Dhe, këtë e shfrytëzoi rezervisti David Trezeguet, duke shënuar dhe duke i dhënë fund ndeshjes. Franca u shpall kampione e Evropës. “E gjithë forca ime ishte në atë gjuajtje. Ka qenë një kampionat i vështirë. Kjo është një arritje e madhe për ne, pasi para dy vjetësh fituam edhe titullin e botës”, pati thënë Trezeguet.
2004: Portugalia – Greqia 0:1
Grekët, si autsajderë të turneut, arritën të shokojnë të gjithë në Lisbonë dhe kështu rivalizuan suksesin e papritur të Danimarkës të vitit 1992. Sikurse në ndeshjet tjera, mbrojtja e ngjeshur që udhëhiqej nga Traianos Dellasi ia siguroi titullin e Evropës, Greqisë, me fitoren 1:0 ndaj Portugalisë, në finale. Ishte mesfushori Theodoris Zagorakis ai që harkoi për sulmuesin Angelos Charisteas që me kokë theu zemrat e portugezëve. Shënoi për 1:0. “Kur arbitri përfundoi ndeshjen ishte sikur të ndaleshin gjitha dritat. Ky do të jetë momenti që nuk do ta harrojë kurrë”, pati thënë Zagorakis, që u shpall edhe lojtari i turneut të mbajtur në Portugali.
2008: Gjermania – Spanja 0:1
Pas 44 vjetësh, Spanja i dha fund pritjes për një trofe tjetër. Goli i Fernando Torresit, në pjesëlojën e parë në Vjenë paralajmëroi një periudhë dominimi të spanjollëve në futboll. Spanja nuk kishte arritur më larg se çerekfinalet në asnjë turne për 24 vjet, por futbollistët e Luis Aragonesit shkruan historinë në turneun e mbajtur në Austri e Zvicër. Edhe pse Gjermania e nisi furishëm ndeshjen, Spanja u tregua shumë më e rrezikshme. I mjaftoi vetëm një gol në minutën e 33-të për t’u kthyer në shtëpi me trofe. Fitoi finalen 1:0. “Këtë turne e fituam me stil”, pati thënë Aragones tashmë i ndjerë.
2012: Spanja – Italia 4:0
Kundër një Italie të dobët, Spanja prej fillimit kontrolloi plotësisht ndeshjen finale të luajtur në Kiev. David Silva (14′) zhbllokoi rezultatin para se Jordi Alba të regjistroj golin e parë për Spanjën dhe ta dyfishoj rezultatin pa mbaruar pjesëloja e parë. Largimi i Thiago Mottas që ishte zëvendësimi i tretë për shkak të lëndimit, bëri që Itali në gjysmë orën e fundit të luajë me dhjetë lojtarë. Kjo u ndihmoi rezervistëve spanjollë si Fernando Torres e Juan Mata që të regjistrohen në listën e realizatorëve për triumfin e dytë rresht të Spanjës në evropian. (b.an)