Sot në Tiranë është sigluar akordi i binjakëzimit mes Akademisë së “Udinese Calcio” dhe AkademiSë Së futbollit “FC International Tirana”, që ka ndërtuar një kompleks me disa terrene sportive.
Përfaqësuesi i “Udinese Academy”, që është edhe drejtori i përgjithshëm, ish-futbollisti Masimiliano Ferrinjo, ka parashtruar projektin disavjeçar, por edhe rrugëtimin që do të ndiqet dhe se si do të procedohet.
I pranishëm edhe presidenti i Akademisë “FC International Tirana”, Ervin Cenollari, i cili pasi falënderoi mediat për pjesëmarrjen, u shpreh i kënaqur për këtë marrëveshje historike për futbollin shqiptar.
“Është një akord i rëndësishëm dhe që na hap dyer të reja drejt Europës. Janë bërë investime dhe do të vazhdohen të bëhen”.
Edhe drejtori i përgjithshëm i “Udinese Academy”, Ferrinjo, u shpreh: “Bashkëpunimi ynë do të jetë ekskluzivisht me Akademinë “FC International Tirana” që do të jetë pika jonë e referimit në Shqipëri.
Në fund të qershorit dhe deri në 3 korrik do të zhvillohet një fazë selektive dhe ku do te vijnë edhe trajnerë të moshave të Udinezes.









