Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar protesta dhe veprime të tjera nëse nuk procedohen ndryshimet e propozuara nga PDK-ja në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Gjatë një konference për mediat, nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, deklaroi se Qeveria e Kosovës duhet ta procedojë sa më shpejt projektligjin, në mënyrë që ai t’i kalojë Kuvendit për votim.
Syla iu referua edhe votimit të një dite më parë në Kuvend, ku sipas tij, 99 deputetë shprehën mbështetje për ish-udhëheqësit e UÇK-së në Hagë.
Ndërkohë, OVL-UÇK ka njoftuar se ka përfunduar përgatitjet për marshin që do të mbahet më 1 tetor, në orën 16:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Organizata u ka bërë thirrje veteranëve, kategorive të dala nga lufta dhe qytetarëve që t’i bashkohen tubimit.
Përfaqësuesit e OVL-UÇK-së paralajmëruan se, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh dhe ndryshimet ligjore nuk procedohen, do të ndërmarrin hapa të tjerë, përfshirë daljen në protesta.











