Redjan Rraja, 34-vjeçarin nga Nikla e Fushë-Krujës, i cili u arrestua tre net më parë si një nga autorët e dyshuar në atentatin ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, del sot në orën 14:00 para trupit gjykyes për t’u njohur me masën e sigurisë. Ai u zbulua nga gjurmët e gishtave.
Ndaj tij rëndon akuza për veprat penale ‘vrasje të funksionarëve publik’, ‘vrasje e mbetur në tentativë’ e ‘armëmbajtje pa leje’. Për Redjan Rrajën kërkohet masa e arrestit me burg për akuzat e mësipërme. Redjan Rraja është kushëriri i deputetit socialist, Rrahman Rraja. Ai u arrestua në Shkodër, në pikën kufitare, në tentativë për t’u larguar drejt Malit të Zi.
Në momentin e arrestimit në Shkodër në pikën kufitare të Muriqanit, i janë sekuestruar edhe dy telefona celularë të cilat nuk janë zhbllokuar ende nga grupi hetimor, por cilësohen si në provë kyçe që mund të çojë në zbardhjen e kontakteve me persona të përfshirë në këtë ngjarje si dhe itinerarin e lëvizjeve të tij.
Tek pistat e atentatit ndaj prokurorit, rezulton deri më tani ajo e një atentati me pagesë pasi sipas hetuesve nuk ka asnjë konflikt të dokumentuar mes Redjan Rrajës dhe prokurorit Arjan Ndoja apo edhe Landi Muharremit. Redjan Rraja njihet edhe me pseudonimin “Dara” pasi sipas hetuesve ai në çdo veprimtari kriminale është gjakftohtë dhe i saktë. Rraja, sipas hetuesve është ndihmuar edhe nga tre bashkëpunëtorë të cilët po verifikohen.
Redjan Rraja i arrestuar si një nga autorët e dyshuar në atentatin ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, ka punuar edhe në burgun e Fushë-Krujës, si stomatolog.











